Discover millions of ebooks, audiobooks, and so much more with a free trial

Only $11.99/month after trial. Cancel anytime.

illz: Revistë Letrare e Tiranës - Nr. 1
illz: Revistë Letrare e Tiranës - Nr. 1
illz: Revistë Letrare e Tiranës - Nr. 1
Ebook357 pages9 hours

illz: Revistë Letrare e Tiranës - Nr. 1

Rating: 0 out of 5 stars

()

Read preview

About this ebook

illz is a periodical of literature in the Albanian language. It is published every two months by Klubi i Poezisë, Tiranë. This is issue nr. 1.

illz është një revistë letrare periodike në gjuhën shqipe e botuar nga Klubi i Poezisë, Tiranë. Revista botohet çdo dy muaj. Ky është numri 1.

Përmbajtja e këtij vëllimi:

Izet Duraku - Illz, revistë letrare e Tiranës
Ismail Kadare - Poezi : Dreri; Në natën plot acar
Umberto Eco - Funksioni i letërsisë : të edukojë fatin dhe vdekjen
Luan Rama - Profecia e poezisë dhe ardhmëria jonë.
Edward Mendelson - Obama dhe Elioti
Pjetër Bogdani - Krijimi i rruzullimit
Havzi Nela - Nuk them se jam trim
Floresha Dado - Shaban Sinani - Shekulli i Kadaresë
Gabriel Garsia Markez - Sikur zoti të më falte pakëz jetë
Edison Ypi - Ti nuk lexon
Nga Lutjet e Nënë Terezës
Mirko Kovaç - Lutje për intelektualët
Izet Sarajliq - Fragmente nga Përmbledhja sarajevase e luftës
Ioan Es Pop - Askush s’do të ketë aq asgjë sa ne
Mehmet Kraja - Një histori mbi liqenin e trishtuar
Thanas Medi - Fjala e fundit e Sokrat Bubës
Svetlana Alexievich - Mbi betejën e humbur
Gjergj Fishta - Nji lule vjeshtet
Miftar Spahija Thaçi - Fragment nga romani “Taf Bardheti”
Filip David - Shtëpia e kujtesës dhe e harresës
Kosta Haxhiantoniu - Agrixhento
Radmila Laziq - Doracak për poezinë
Luljeta Lleshanaku - Secili fatin e vet
Petrit Ruka - Në mungesën tënde
Skender Buçpapaj - Unë krijova Shkumbinin
Ardian-Christian Kyçyku - Atdheu dhe ata që e bënë
Lazër Stani - Një vonesë bagazhesh
Zija Çela - Formula e jetës
Ardita Jatru - Një ditë
Elida Rusta - Unë e ti Migjen
Shqiponja Axhami - Ka ra mbramja
Stefan Xheorxhesku-Serxhent - Shqiptarët
Eqrem Kryeziu - Poetika e Skiroit
Behar Gjoka - Figura e Kasëm Trebeshinës
Ermira Ymeraj - Azem Shkreli dhe Xhevair Spahiu
Hysni Ndreu - Përmasa e unit poetik në vëllimin “Qyteti i Lutjeve”
Halil Matoshi - Lulet, Bebet dhe Poezitë e Xhevdet Bajrajt
Xhavit Beqiri - Shejtnimi i fjalës

LanguageGjuha shqipe
Release dateMar 25, 2020
ISBN9780463413142
illz: Revistë Letrare e Tiranës - Nr. 1
Author

Klubi i Poezisë

Illz is a periodical of literature in the Albanian language. It is published every two months by Klubi i Poezisë, Tiranë.

Read more from Klubi I Poezisë

Related to illz

Related ebooks

Related categories

Reviews for illz

Rating: 0 out of 5 stars
0 ratings

0 ratings0 reviews

What did you think?

Tap to rate

Review must be at least 10 words

    Book preview

    illz - Klubi i Poezisë

    Illz, revistë letrare e Tiranës vjen në një shteg të rrahur për kulturën shqiptare duke dëshiruar të shkojë përpara pikërisht në këtë udhë të çelur. Ernest Koliqi do ta quante revistën e tij kulturore, Shêjzat. Ai e vazhdoi për rreth dy dekada botimin e saj në kushtet jo të lehta të ekzilit, ku e hodhën dallgët e kohës pas përfundimit të Luftës së dytë Botërore. Shêjzat e tij erdhën, mbase edhe si një këmbëngulje për të vazhduar misionin e ndërprerë në Shqipëri të Hyllit të Dritës.

    Me revistat Shêjzat e Hylli i Dritës, Illz ka të ngjashëm emrin dhe misionin që bashkohet si edhe në media të tjera letrare, tek fjala dritë, që do na duhet për të parë më mirë synimet tona për qartësi mendimi e bukuri dijeje e vërtetësie. E ardhur nga thesaret dialektore të shqipes, Illz do që të shprehë më përulje nderimin për rrënjët tona më të hershme.

    Natyrisht ujë të ri kaltëron në dete. Tash jemi më se tre shekuj larg kohës kur malli i shtampës do t’a rrëmbente Pjetër Bogdanin, një prej lavërtarëve më të parë të shqipes, ta përfundonte sa më parë veprën e tij Çeta e Profetëve, për tu kthyer tek dheu i tij, i përmbytyr kudo prej territ osman, me një qiri të ndezur në dorë në dorë për të ndritunë atë të vobek dhe t’Arbënit.

    Ndër qëllimet kryesore të revistës është botimi i letërsisë së zgjedhur dhe i mendimit letrar që do t’i shërbente në një vështrim botës krijuese dhe kulturës kombëtare.

    Revista illz – revistë letrare e Tiranës - (ill = yll – shumësi i kësaj fjale dialektore, e dëgjuar në shumë vise në Jug e Veri të vendit, deri tek arbëreshët në Greqi e Itali), ka synim të botojë letërsinë e zgjedhur, kryesisht shqipe, por edhe ballkanike e më gjërë.

    I lodhur nga shtrëngatat e jetës, njeriu si udhëtar i përjetshëm, edhe në netët më të errta, u mësua të orientohet nën dritën e yjeve. Në këtë dritë mahnitëse, Jeronim De Rada arriti të shohë edhe kontributin shqiptar në pasurimin shpirtëror të gjuhës së njerëzimit. Shqipja, sipas këtij korifeu letrar, mund të krahasohej dhe të matej me gjuhët kryesore të botës si greqishtja e vjetër dhe latinishtja, që i kishin dhënë kaq shumë dritë civilizimit të përgjithshëm njerëzor. Kontributin e shqipes De Rada e shihte edhe të një nuancë gjuhësore që lidhej me ndriçimin e yjeve. Sipas tij, drita e qëndrueshme dhe e lëmuar e yjeve duket se pasqyrohet me fjalën latine të plotë e të shtruar, stella, por ka dhe një lloj ndriçimi më të fuqishëm, të pandërprerë dhe të pashterur, që duhet sikur helenët e kanë paraqitur me fjalën e tyre astir. Ndërsa ndaj mëngjesit, shton De Rada, dritat e yjeve më tepër se kurdoherë zbehen e dobësohen dhe njerëzve që i shikojnë, u duket sikur zhduken tej në horizont, pa luajtur nga vendi i përhershëm. Këtë lloj drite të yjeve që është e zbehtë dhe e pagjymtuar, duket sikur e shpreh mirë fjala shqipe iill.

    Si revistë letrare e Tiranës, Illz do të jetë njëlloj e vëmendshme ndaj zhvillimeve letrare në Prishtinë, Shkup, Ulqin e në diasporë ku gjithnjë e më shumë po shtohet gjaku ynë i shprishur. Do të synohet gjithnjë në përkrahjen e botimeve më të mira duke dashur të shtohen vlerat kulturore kombëtare.

    Si kriter përzgjedhës publikimi, për të shmangur sa më shumë subjektivitetin, do të shërbejë kryesisht vlerësimi i jurive të njohura lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, si për letërsinë shqipe ashtu edhe për atë të vendeve ballkanike dhe më gjërë. Revista do të sjellë në çdo numër në radhë të parë vlerat më të mira letrare të fqinjve tanë ballkanas: grekë, bullgarë, maqedonas, serbë, malazias, boshnjak, kroat, slloven etj.

    Njëkohësisht përpjekja do të jetë për të kapur rrjedhën letrare evropiane e botërore përmes përkthimeve dinjitoze e përfaqësuese, duke shmangur sa më shumë prirjet e shqipërimeve komerciale.

    Yjet e mëdhenj e të ndritshëm duken më mirë në qiell. Nën dritën e tyre mbase do të ëndërrojë gjithnjë njerëzimi. Por qielli nuk mund të kuptohet pa dritën e yjeve më të vegjël, që këmbëngulin të ndrijnë me dritën e shpirtit të tyre. Ngjajnë më të zbehtë në largësinë e tyre enigmatike, po mbase ruajnë dramat më të mëdha. Me këtë shpresë në faqet e revistës do të gjejnë vend gjithnjë e më shumë edhe krijuesit e rinj.

    Revista Illz do të synojë të pasqyrojë prirjet e sotme letrare. Atje ku duket si kaos në ankthin e përhershëm të krijimeve, në vlimin e përhershëm të të rejave që sjellin lëvrimet letrare, përmes mendimit shkencor më të përparuar, revista Illz do të synojë të japë një vizion rendi e harmonie të vlerave, ku duke perifrazuar mendimin bogdanian, të shfaqen më të plota brigjet e lumenjve, të ndahen ujrat nga toka dhe qielli i kaltër të veçohet prej flakëvet të një zjarri, që mund të mbulojnë dhe të përpijnë krijesat e sapolindura.

    Illz, si revistë letrare e Tiranës, do të jetë e hapur për të gjitha gjinitë letrare: poezi, prozë e dramaturgji. Vend të rëndësishëm do të zënë, studimet, kritika, esetë dhe vlerësimet për veprat më të mira të botuara në hapësirën shqiptare në Ballkan, në diasporë dhe jo vetëm.

    Revista ka Redaksinë dhe Bordin e saj shkencor, mendimi i të cilit do të jetë gjithnjë i mëshiruar në publikimet e saj.

    Redaksia do të jetë e vëmendshme ndaj qëndrimeve e vlerësimeve të opinionit të lexuesve të saj, duke u përpjekur të mbetet në një rrjedhë përmirësimesh të vazhdueshme, duke qenë e vetëdijshme që përsosmëria do të mbetet një cak i dëshiruar dhe duke mos harruar modestinë e Bogdanit kur shkruante: Përse as dielli pa hije, as hana pa niegullazë mbë faqe nuk ashtë…

    ISMAIL KADARE

    DRERI

    O drer i lartë me ata brirë gjer në yje,

    Ndjekur nga qentë ikën, ikën, ikën.

    Sa herë kokën shkund, rrëzon prej qiejsh

    Copëra dëbore e kristalesh pikë-pikë.

    Porsi parmendë brirët e tu lërojnë

    Veç lartësitë e ngecin në to prore.

    Fije viskoze yjsh e brumë kometash,

    Ethe agimesh boreale e horoskopë.

    Por qentë s’duan t’ia dinë, ata veç lehin,

    Rreken të të rrëzojnë e ti prapë ikën,

    Nën yje mospërfillës.

    Më shumë se qentë

    Kjo mospërfillje qiejsh ty të pik.

    1984

    NË NATËN PLOT ACAR

    Në natën plot acar një zjarr desha të ndez

    Por, nata ish e ftohtë, ah, ç’tmerr i zi që ish,

    Ndaj që të mbahej gjallë ky zjarrth n’atë rrebesh

    Diçka përherë kërkonte, kërkonte vazhdimisht.

    Ndaj si shtegtari murg, që shkarpat mblesh në terr,

    Unë hidhja n’atë zjarr gjymtyrët pa pushim.

    Por ishin pak ato, ndaj fill pas tyre rresht

    Mbi të nisa të hedh copëra të shpirtit tim.

    Se s’bëhej ndryshe, dot, se s’bëhej ndryshe, eh,

    Se duhej që dikush ta mbante atë flakë.

    Në flakëzën-delir që veç vajosja sjell

    Të frikshme pamje ndritnin e dridheshin përqark.

    I shihnit vallë ato, dallonit vallë diçka

    Ndërsa rreth meje nata me terr e ujq u mbush.

    Se donin që të gjithë ta fiknin atë zjarr,

    Dikush me ligësi e me padije dikush.

    Të tjerë majë kodrash ku dielli kishte rënë

    Të tyret zjarre ndrisnin dhe qeshnin që përtej.

    Se s’donin të kuptonin ç’bëhej këtu brenda

    Se ç’fli kërkon një flakëz që lindet në një terr.

    I lodhur nganjëherë kam thënë: shuhu pra,

    Në qoftë se nuk të duan, të bjerë natë e pafund.

    Të verbtit sytë tuaj kështu ndoshta do t’jenë

    Në terrin absolut pa shqetësim kurrkund.

    Po prapë diçka më shtynte të ngrihem si somnambul,

    Si murgu shkretimtar që shkarpat verbtaz mbledh

    Dhe sipër zjarrit prap’ të hedh gjymtyrët akull

    Dhe copërat një nga një të shpirtit tim të hedh.

    Poezitë e mësipërme të Kadaresë janë marrë nga libri i tij Ca pika shiu ranë mbi qelq.

    UMBERTO ECO

    FUNKSIONI I LETËRSISË:

    TË EDUKOJË FATIN DHE VDEKJEN

    Në dhjetë vitet e fundit, me shtimin e mjeteve të komunikimit në masë, po përjetojmë një humbje progresive e të rrezikshme të rëndësisë së letërsisë. Mbi të gjitha mes të rinjve, po shpërndahet, si një epidemi shqetësuese, bindja se letërsia është diçka e padobishme, pasi nuk jep një përfitim material, të prekshëm; ndaj shikohet si diçka pa të cilën mund të jetohet, duke e vendosur mes sportit, kinemasë dhe shahut…

    Në shoqërinë ku jetojmë gjithçka, deri edhe arti, i nënshtrohet ligjit të tregut. Arti – ka shkruajtur nobelisti E. Montale – është produkt si objekt konsumi, për t’u përdorur e hedhur mënjanë në pritje të një bote të re në të cilën njeriu ka arritur të çlirohet nga gjithçka, edhe nga ndërgjegjja e tij.

    Por poezia, si letërsia, nuk është mall. Ajo, është një nga ato fuqitë jomateriale të pavlerësueshme në peshë por që peshojnë.

    Në një botë të zotëruar nga konsumizmi, në të cilën paraja është kthyer në gjeneratorin e të gjitha vlerave (cit. Umberto Galimberti), ka prirje për t’u dhënë rëndësi të mirave materiale në vend të atyre jomateriale, si poezia e letërsia.

    Ndaj, nuk është për t’u habitur, shkruan Umberto Galimberti, që të rinjtë, duke mos kuptuar më se çfarë është e bukur, çfarë është pa vlerë, të kuptojnë vetëm se çfarë është e dobishme. E, meqë shpesh mendojnë se letërsia nuk vlen, paraqesin përballë këtij arti një mungesë interesi, indiferenca, gati apatike. Të dhënat statistikore tregojnë se kjo sjellje po përhapet si njolla e vajit. Nevojitet të bllokohet menjëherë epidemia, para se të kthehet në një pandemi, duke kërkuar, siç thotë Daniel Pennac, t’u nxitet të rinjve kënaqësia e letërsisë, por pa e detyruar.

    Nëse kjo nuk do të ndodhë, pra nëse nuk arrihet të bllokohet epidemia e tmerrshme, nëse letërsia nuk rimerr rolin e saj themelor në shoqëri e në jetët tona, efektet mund të jenë shumë të rënda. Një botë në të cilën, letërsia është lidhur me shtresat e jetës sociale është e dënuar të varfërohet në planin shpirtëror e të vendoset në rrezik liria e saj.

    Letërsia, në fakt, jo vetëm që ka një funksion të madh edukativ të personave, por ka edhe një funksion të rëndësishëm në mbrojtjen e demokracisë dhe nevojitet për të forcuar ndjesinë e bashkimit, përkatësisë së komunitetit njerëzor, falë të cilës të gjithë njerëzit hyjnë në komunikim e mund të dëgjohen, në një farë mënyre të bashkohen. Letërsia duhet mbi të gjitha - shkruan Galimberti – të edukojë ndjenjat tona, të cilat nuk i kemi si dhunti natyrore, por si ngjarje kulturore. Bulizmi, Ksenofobia, Homofobia, nuk janë gjurmë natyrore, por merren duke u rritur. Nga këtu nis rëndësia e letërsisë: asgjë më mirë se romanet e mira s’na mësojnë t’i shikojmë si pasuri e pronë njerëzore ndryshimet etnike e kulturore. Falë librave mund të kultivojmë imagjinatën simpatizuese, pra të zhvillojmë aftësinë për t’u vendosur në pozicionin e njerëzve shumë më ndryshe nga ne. Kjo, sipas filozofisë Marta Nussbaum, është një nga aftësitë e nevojshme për kohëzgjatjen e demokracisë. Kushti tjetër i domosdoshëm për mbrojten e demokracisë është krijimi i një kulture zhvilluese, reflektuese, në të cilën të jemi më pak të ndikuar nga të tjerët, nga autoritetet, e nga moda.

    Letërsia, jo vetëm kontribuon në krijimin e qytetareve të përgjegjshëm e kritikë, por na ndihmon edhe të pasurojmë leksikun tonë, të përmirësojmë aftësitë gjuhësore, për të arritur të shprehemi më mirë e me një forcë më të madhe, idetë tona.

    Në të kundërt, pa letërsinë, bota do të ishte – shkruan nobelisti Vargas Llosa – një njerëzi robotësh të dorëzuar që ka hequr dorë nga liria. Letërsia është linfa jetësore e një shoqërie të përparuar. Një botë pa letërsi do të ishte një botë barbare, e paqytetëruar e jetime në ndjeshmëri (cit. Mario Vargas Llosa).

    Një jetë pa letërsi

    Të bësh një jetë pa letërsi është e mundur, por është padyshim një jetë më pak e vetëdijshme: një person që nuk lexon libra nuk ka një shpirt kritik, është i përjashtuar nga aftësitë analitike e përpunuese që lejon të shohë përtej të dukshmes, ndaj është lehtësish i ndikueshëm; edhe nëse ka ndjenja, nuk është në gjendje të parashikojë zhvillimin sepse nuk e mund ta shohë veten në personazhet e filmit, që kanë përjetuar të njëjtat përvoja emotive. Nga ana tjetër, njerëzit që nuk lexojnë, apo lexojnë pak, ose lexojnë vetëm mbeturina janë më pak të përgatitur për të pranuar ligjet e paepura të jetës.

    "Është pikërisht ky, funksioni i madh i romaneve: të edukojë fatin dhe vdekjen.

    Heronjtë e tyre, që mund t’i kishin shpëtuar një fati të dhimbshëm, për dobësi e symbyllësi, përfundojnë në humnerën që kanë gërmuar me duart e tyre. Kundër çdo dëshire tonën për të ndryshuar fatin, na e bëjnë të prekshme pamundësinë për ta bërë. Kështu çfarëdolloj gjëje që të tregojnë, tregojnë edhe tonën. Për këtë arësye i lexojmë dhe i duam. Kemi nevojë për mësimin e tyre të fortë e të dhunshëm. Po të mos jenë romane, ma shumë mundësi që sot askush të mos reflektonte më mbi kuptimin e jetës e të vdekjes, sepse mediat kufizojnë çdo aftësi izolimi e reflektimi. Ato na bombardojnë në mënyrë të vazhdueshme me një sasi të madhe imazhesh, shpesh vulgare, pa kuptim, që duket se janë bërë posaçërisht për t’u penguar konsumatorëve për të reflektuar e për të bëre që tek ta të lindë menjëherë dëshira, madje nevoja për të marrë menjëherë atë produkt të caktuar kozmetik apo multivitaminat integruese, sikur të kenë formulën sekrete të rinisë së përjetshme apo pavdekësisë. Por kjo formulë natyrisht nuk ekziston. Sot si në kohën e Paleolititit, si në mesjetë apo në vitet ‘800 njerëzit plaken e vdesin, dhe të mos flasësh për këto momente të jetës, sigurisht nuk i zhduk ato. Në shek. XXI, vdekja është kthyer gati në një tabu, nga koha kur flitet aq rrallë, dhe duket sikur po paraqitet si diçka surreale, tërësisht e huaj nga eksperienca njerëzore; në fakt nuk ka asgjë më natyrale, më të sigurt se vdekjen. I vetmi ilaç që mund të përdorim për t’u mësuar me idenë e vdekjes janë romanet, të cilët ashtu siç edukojnë ndjenjat tona, duke na bërë të ndiejmë atë që ndiejnë personazhet, në të njëjtën mënyrë na mësojnë të vdesim" duke treguar vdekjen e personazhit.

    Përktheu: Albana Muçaj

    LUAN RAMA

    PROFECIA E POEZISË DHE ARDHMËRIA JONË

    Për një Respublica litteraria në Shqipëri

    Pothuaj dy shekuj më parë, në kaosin e filozofive të trishta e të depresionit të madh, të luftrave që gjëmonin në Europë midis perandorive, poeti i madh Höderlin bëri një thirrje duke hedhur idenë novatore se jeta duhej jetuar poetikisht, pasi kjo do ta çonte Europën drejt së mirës, humanizmit, drejt dashurisë njerëzore e progresit të vërtetë. Kështu, në kohë që përjeton shoqëria shqiptare, thirrja e Höderlin është më se aktuale, gjithnjë novatore, në atmosferën e një zhgënjimi të madh nga ëndrra e demokracisë dhe e lirisë së vërteta nga diktaturat, pasi korrupsioni, llumi, amoraliteti, e kanë kapur për fyti shoqërinë shqiptare duke e asfiksuar gjithnjë e më shumë dhe ku shkëlqimi i vetëm është shkëlqimi i parasë, lakmisë, intolerancës, oligarkisë dhe i një klase politike që mendon vetëm për lumturinë e saj, por që në thelb është një zhbërje e vetë individit. Pikërisht, në këtë atmosferë të shoqërisë sonë, dhe të një atmosfere akoma më të rënduar luftrash hegjemoniste, fetare, intolerancash e kamikazesh, thirrja për t’iu rikthyer poezisë, është një thirrje për t’i dhënë frymë dhe ajër shoqërisë, për ta humanizuar atë, për ta bërë të ndjeshme ndaj virtutit, dhe ja pse poezia, letërsia, artet, duhet të kenë një mision të ri, atë të udhërrëfimit, pasi kur ngrihen në këmbë poetët, nuk ka forcë që të shkoj kundër vullnetit të tyre. Në kohën kur poeti i madh francez Arthur Rimbaud, ngulmonte të thoshte se Poeti duhet të jetë një Profet i kohës, i shoqërisë, këtë e thoshte se kishte ardhur koha e një lëvizje të madhe humane dhe drejt një shoqërie të re, çka e gjejmë në vëllimin e tij Përshkëndritjet, ku poeti, siç shkruan ai "kërkon të ndeshet, të përpiqet, të luftojë", pra të jetë profet i një kohe të re dhe i një arti të ri. Të njëjtën gjë e kemi parë te Victor Hugo apo Majakovski i zhgënjyer në Rusinë e sovjetëve, Ricosi apo Lorca spanjoll, Whitman si dhe surealistët e Francës. Të njëjtën gjë, që poezia të ndërmarrë një mision shoqëror, e gjejmë aq fortë në poezitë e Migjenit të madh: atë të ndryshimit të sistemeve, të ndryshimit të vlerave, pasi në epokën moderne që jetojmë, në epokën e telnologjive të reja dhe integrimeve të mëdha, shoqëria shqiptare vuan ende nga fataliteti, nga emigrimi i madh, nga një lloj depresioni dhe pafuqishmërie për të marrë në dorë fatet e veta. Ku janë intelektualët, poetët, artistët? Jetojnë ata të ngujuar në atelierët e tyre, studiot, kafenetë? Si mund të zhvillohet një «revolucion» humanist në frymën e një Erasmus modern. Ja pse në kohën kur gjithnjë e më shumë njerëz në Shqipëri i janë kthyer poezisë e botojnë, kemi një «Poeteka», klube të poezisë, botohen antologji, kolana poetike, njerëzit zgjohen poetë edhe pse janë në fillimet e tyre, rrjeti poetik po zgjerohet, poezia nuk është më pronë e një grupi elitar, por ajo është bërë pronë masive, është kthyer në shprehje personale dhe kolektive. Përse ndodh kjo vallë? Ndoshta sepse në dëshpërimin e madh, njeriu e ndjen se ka nevoje për një ngritje poetike dhe morale te shoqërisë, duke iu drejtuar jo vetëm dashurisë, të bukurës, por dhe poezisë sociale, pasi e para që duhet rikrijuar është bukuria dhe dashuria e shpirtit, janë këto territore të trishta që sot duhen ndriçuar nga poezia, territore që kthehen në territore të solidaritetit njerëzor dhe të humanizmit. Një revolucion i tillë shpirtëror është i mundshëm, pasi poezia sjell optimizëm, poezia krijon një utopi, atë të asaj që duam të ndërtojmë, sepse poezia kërkon ta zgjojë ndërgjegjen njerëzore dhe t’i japë një kuptim jetës, veprimit, ndërtimit të gjithçkaje, pasi Fjala, Verbi, kanë më shumë vlerë se shkëlqimi i parasë. Dhe së fundi, poezia është arti i të guxuarit, ajo guxon të lidhë ata që janë në fronte të kundërta, pasi ajo lidh shpirtrat përmes forcës së fjalës; sepse poezia, siç thotë dhe nobelisti Saint-John Perse, "edhe përmes një strofe arrin të përmbledhë të tashmen, të kaluarën dhe të ardhmen, humanen me mbi-humanen dhe gjithë hapësirën planetare në një hapësirë universal"… Le të shpresojmë që ashtu si në vendet e përparuara të Europës, në kohë depresionesh, u arrit të krijohej pushteti autonom shpirtëror dhe filozofik i asaj që quhej Respublica litteraria, kjo lloj republike të krijohet edhe në vendin tonë, pasi poezia, arti, të shtyjnë të kesh një refleksion më të thellë për shoqërinë dhe ardhmërinë. Ja pse poeti 92 vjeçar francez Yves Bonnefoy, në një nga poezitë e tij të fundit, ndër të tjera shkruante: "… Miqtë e mi/ kjo tokë shkon keq e më zi/ dhe shpesh është ç’njerëzore/ por unë besoj se e Bukura ekziston dhe ka domethënie/ besoj se ende ka një kuptim që ta rilindim atë…". Ja pse më së fundi poezia është një profeci më vete, aq e dëshiruar nga Arthur Rimbaud apo Migjeni! Le t’i besojmë kësaj profecie të madhe!

    EDWARD MENDELSON

    OBAMA DHE ELIOTI

    Para do kohe kam shkruar një ese për T. S. Eliotin, prandaj mu desh që të shfletoja tekste të vjetra dhe të reja shkruar për autorin. Dallova dy kritikë. Njëri është Frenk Kermodi, i cili më 2010, si 90 vjeçar, e shkroi njërën prej eseve më të mira, Eliot and the Shudder, tejet gjithëpërfshirëse dhe e fokusuar në reagimin e Eliotit ndaj ankthit ekzistencial.

    Tjetri ishte një student 24 vjeçar, Barak Obama, i cili shkruan për Eliotin në një letër që ja dërgon mikeshës së tij, Aleksandra Maknir. Asaj i duhej që të shkruante një punim seminari për poemën Tokë e shkretë të Eliotit.

    Kjo letër është botuar edhe në biografinë e Barak Obamas, gjegjësisht në: David Maraniss, Barack Obama: The Story, botuar më 2012. Letra ka nxitur shumë komente. Në disa lavdërohet e në të tjerë përçmohet. Mua më ka befasuar se si një punim i shkruar në mënyrë të shpejtë dhe eliptike përmban gjithçka që do t’i nevojitej një kritike të mirëfilltë letrare – ashtu, si për shembull, eseja e Frenk Karmodit.

    Letra përmban edhe disa sinjale shqetësuese që ndërlidhen me karrierën e mëvonshme të Obamës.

    Ja çka i ka shkruar Obama mikeshës së tij (teksti është i ndarë në pasuse që të lexohej më lehtë në ekran):

    U bë një vit që nuk e kam lexuar Tokë e shkretë", pa tentuar që ndonjëherë ta mësoja përmendësh. Rrezikoj ta them se tek Elioti e hasim të njëjtin vizion ekstatik zhvillimin e të cilit mund ta vërejmë nga Minceri deri te Jejtsi. Megjithatë, ai e bazon në realitetin shoqëror / në rendin e kohës së tij.

    Në përballje me atë që mund të veçohet si zgjedhje ndërmjet kaosit ekstatik dhe rendit mekanik të pajetë, ai e ruan me sukses distancën ndërmjet pastërtisë aseksuale dhe realitetit brutal të seksit. Dhe para tij mban një maskë stoike. Që ta kuptosh se për çfarë po flas, lexo vështrimin e tij Tradita dhe talenti individual dhe Katër kuartetet, ku merret më pak me përshkrimin e Europës së lodhur.

    Me siguri të kujtohet kur të kam thënë se ekziston lloj i veçantë konservatorizmi, që e respektoj më shumë se sa liberalizmin borgjez – Elioti i përket këtij lloji.

    Natyrisht, dikotomia ku mbështetet është reaksionare, por shkaku i saj është fatalizmi i thellë dhe jo mosdija. (Rendite përballë Jejtsit ose Paundit, të cilët edhe pse i përkasin të njëjtit lloj, vendosën ta përkrahnin Hitlerin dhe Musolinin).

    Ky fatalizëm vjen nga raporti ndërmjet pjellorisë dhe vdekjes, që e kam përmendur në letrën paraprake – jeta ruhet falë vetvetes.

    Fatalizmi që ndonjëherë më është i afërt aq sa është i afërt edhe për traditën perëndimore. Më duket se të befason ambivalenca kundërthënëse e Eliotit, por Aleks, a nuk je edhe ty e tillë?"

    Në pjesën e parë Obama përqendrohet te tradita letrare dhe fetare e Eliotit dhe te raporti i veçantë që ka me këtë traditë: Elioti është njëri prej shkrimtarëve protestant, vizionar dhe apokaliptik, ku shihet reflektimi që nga Tomas Minceri në shekullin 16 - të deri Jejtsi në shekullin 20, por dallon prej tyre sepse apokalipsin e gjen në botën ekzistuese dhe jo në atë vizionare.

    Obama pastaj shkruan për prirjen e dyfishtë impulsive të Eliotit për mbretërinë vizionare të kaosit ekstatik dhe pastërtisë aseksuale, në njërën anë, dhe rendit mekanik e të pajetë dhe realitetit brutal seksual të jetës së përditshme, në anën tjetër. Dhe e kupton se Elioti e pranon këtë impuls të dyfishtë si fat tragjik, i cili s’mund të tejkalohet dhe prej të cilit s’mund të çlirohesh.

    Obama e vëren se konservatorizmi i Eliotit dallon prej konservatorizmit të ithtarëve të fashizmit, të cilët duan ta imponojnë një rend të ri politik të papërshtatshëm për botën reale.

    Për dallim prej tyre konservatorizmi i Eliotit është tragjik, një vizion fatalist mbi botën që nuk mund të reformohet, përkundër jo-liberalëve që besojnë se mundet; është një botë që asnjëherë nuk mund të riparohet vetvetiu, por duhet të pastrohet nga mëkatet. Prapa botëshikimit konservator të Eliotit qëndron edhe qasja e Obamës se politika partiake nuk duhet ta ketë si qëllim suksesin e njërës apo partisë tjetër, por duhet të jetë mjet që i mundëson moralit privat të veprojë në sferën publike. Prandaj liberali Obama mund ta respektojë Eliotin konservator – të dy priren drejt vlerave morale supreme – dhe jo ndaj caqeve politike.

    Obama më tej thotë se fatalizmi i Eliotit, që ndonjëherë më është i afërt aq sa është i afërt edhe për traditën perëndimore , rrjedh nga botëkuptimi i tij se jetës i duhet vdekja. Pjelloria e gjallë që gjendet në Tokën e shkretë doemos duhet ta kërkojë vdekjen e vet që të lind jeta re; fara doemos duhet të vdes.

    Ky është mesazhi i pjesës Vdekja nga ujiTokë e shkretë dhe në vargjet e Katër kuarteteve ku thuhet se loja martesore pashmangshëm çon në pleh dhe vdekje. Kurse cikli fatalist lindja, shumëzimi dhe vdekja (fjalë të Eliotit në një dramë të tij) gjithmonë i është kundërvënë përsosmërisë së pavdekshme në të cilën Toka e shkretë shndrit

    Enjoying the preview?
    Page 1 of 1