Discover millions of ebooks, audiobooks, and so much more with a free trial

Only $11.99/month after trial. Cancel anytime.

Shkrimtarët për Havzi Nelën
Shkrimtarët për Havzi Nelën
Shkrimtarët për Havzi Nelën
Ebook327 pages3 hours

Shkrimtarët për Havzi Nelën

Rating: 0 out of 5 stars

()

Read preview

About this ebook

Vëllimi përmbledh këta autore:

Agron Tufa - Si Jeta Dhe Vdekja Duhen Meritue
Ahmet Premçi - Havzi Nela, Ëndrra Për Lirinë
Albert Vataj - Havzi Nela, Martiri I Fjalës Së Lirë...
Alfred Nela - Liria Pa Frym? Dhe Fryma Pa Fjal?
Aqif Hysa - Diell I Zi Mbi Fletën E Bardhë
Azgan Haklaj - Përse Trishtohet Sërish Havzi Nela
Bardhyl Londo - Martirët Nuk Harrohen Kurrë
Bashkim Shehu - Kam Qenë 10 Vjeç Kur E Kanë Varë Poetin
Behar Gjoka - Havzi Nela - Ëndrra Që Nuk Varet Në Litar
Besnik Mustafaj - Havzi Nela, I Papenduari
Bedri Blloshmi - Si E Njoha Havzi Nelën Në Burgun E Qafë Barit
Bedri Halimi - Emri Yt Mbush Me Të Ardhme
Berzat Hasa - Havzi Nelës
Bislim Ahmetaj - Si U Njoha Me Emrin E Havzi Nelës
Bujar Balliu - Një Gazetar I Shuar
Dëfrim Cani - Në Anën E Përtejme Të Akerontit
Demir Gjergji - Lumjani I Lirë
Dodona Qose - A Ka Ende
Elida Rusta - Hero Në Kohë Tutjesh Kolektive
Eva Gjoni – Poeti
Faruk Myrtaj - Si Të Mos E Themi Një Fjalë
Fatmir Sulejmani - Shkrimtari Dhe Diktatura
Fejzulla Gjabri - Shënime Para Një Poeti Me Litar Në Grykë
Florin Zyberaj - Shpërthime Poetike Gjatë Internimit Dhe Varja Në Litar E Havzi Nelës
Gëzim Ajgeraj - Kumt Për Fjalën E Vrarë
Granit Zela - I Vetmi Poet I Varur Në Gulagun E Evropës Lindore
Hamit Aliaj - Havzi Nela - Poet I Drinit
Hekuran Koka - Pendul I Kohës Sime
Hysen Shehu - Në Sy Kishte Poezi
Isa Halilaj - Kujtime Nga Jeta Shkollore Për Havzi Nelën
Islam Çenga - Poetit, Havzi Nela
Ismail Kadare - Një Njollë Turpi
Istref Haxhillari - Dimensioni I Lirisë
Izet Duraku - Havzi Nela, Orfeu I Lirisë
Kastriot Dervishi - Hazvi Nela, Qëndresë Me Dinjitet Dhe Martirizim Në Komunizëm
Luan Rama - Rrugëtimi I Fransua Vijon Në Malin E Pikëllimës
Maxhun Osmanaj - Kohë E Varur Në Litar
Maxhun Peka - Njeriu I Lirë Havzi Nela
Mirdash Shehu - Njeriu I Lirë Havzi Nela
Naim Fetaj - Motiv Popullor
Namik Dokle - Havzi Nela Është Dhe Do Të Mbetet Me Yjet
Namik Selmani - E Varën Poetin
Ndue Dedaj - Havzi Nela, Pelegrini I Lirisë Së Munguar
Petrit Ruka - Dëshmorët E Fjalës Janë Fati I Lirisë
Preç Zogaj - Përpara Bustit Të Havzinelës
Primo Shllaku - Vdekja E Hokubetshme E Poetit Havzi Nela
Rexhep Shahu - Ku Është Koka Havzi Nelës
Rezarta Reçi - Harresë - Kujtesa E Poetit
Sadik Bejko - Havzi Nela Dhe Moraliteti I Një Shoqërie
Sami Milloshi - Unë Nuk Jam Veteran
Sazan Goliku - Kënga E Njeriut Të Pagjunjëzuar
Shefqet Hoxha - Vendosja E Bustit Të Havzi Nelës - Një Ditë E Madhe
Shkëlqim Abazi - Varri Vertikal
Sulejman Dida - Pro Dhe Kundër Havzi Nelës, Dy Taborre
Vera Istrefaj - Pikëllimi I Pikëllimës
Xheladin Mjeku - Pengu I Fjalës Frymoi Liri
Xhemal Ahmeti - Polimeria E Epistemocidit Përballë Triumfit Të Martirëve

LanguageGjuha shqipe
Release dateJun 12, 2020
ISBN9780463349809
Shkrimtarët për Havzi Nelën
Author

Klubi i Poezisë

Illz is a periodical of literature in the Albanian language. It is published every two months by Klubi i Poezisë, Tiranë.

Read more from Klubi I Poezisë

Related to Shkrimtarët për Havzi Nelën

Related ebooks

Reviews for Shkrimtarët për Havzi Nelën

Rating: 0 out of 5 stars
0 ratings

0 ratings0 reviews

What did you think?

Tap to rate

Review must be at least 10 words

    Book preview

    Shkrimtarët për Havzi Nelën - Klubi i Poezisë

    SI JETA DHE VDEKJA DUHEN MERITUE...

    Poeti Havzi Nela (1934 – 1988), i varur në Kukës me 10 gusht 1988 me firmën e Ramiz Alisë, pasi për varjen e tij kishte firmosur gjithë KQ i PPSH-së së asaj kohe. Kurrikulat e sistemit tonë shkollor nëntëvjeçar, të mesëm e universitar ende nuk e kanë përfshirë poezinë e Havzi Nelës në antologjinë e edukimit artistik, estetik dhe etiko-moral, ndonëse për jetën e tij, e deri diku dhe për veprën poetike është shkruar, duke e trajtuar më shumë si kuriozitet të adrenalinës së diktaturës. Ndërkaq, pa mohuar thelbi e përgjithshëm popullor të lirikës së tij, si këngë, elegji e këngë vajtimi, ndesh në veprën poetike të Havzi Nelës një cikël të poezive të vona, që kanë një nivel artistik të lartë dhe harmoni estetike të thjeshtësisë klasike. Kjo mjafton për të përfaqësuar kredon poetike e artistike të poetit që shkruajti në kushte ektremalisht të vështira, të paimagjinueshme për kohën tonë. Ato poezi (cikli i Arrnit) mbeten dhe testamenti i krejt lirikës së tij antidiktatoriale të një karakteri të pakompromis, si lirika e mëposhtme.

    O LIRI, O VDEKJE

    Nuk them se jam trim, jo as frikacak,

    Thellë n'afshet e shpirtit më grafllon guximi;

    Vdekja për liri nuk më tremb aspak,

    Si e duron robninë zemra e nji trimi?

    Pse ore pse t'kem frikë, frikë se mos po vdes?!

    Oh, çfarë marrie, ndoshta faj për mue!

    T'ecësh zvarrë si krimb, t'mos jesh kurrë serbes,

    Ketë s'ia fali vetes, kjo më ban me u mendue.

    Pse t'më dhimbset jeta, pse u dshka kursye?

    Veç me përtypë bukën, me u rropatë si kalë?

    Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,

    Unë skllav i bindun, tash, kur s'jam as djalë.

    Deri kur durim, deri kur me shpresë?

    Jo, jo, mos m'i thoni, këto fjalë nuk i due.

    Me durim e shpresë nuk due të vdes.

    Si jeta dhe vdekja duhen meritue.

    S'meriton asnjenën kur mbetesh gur varri

    Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund.

    Le të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!

    Liria më thërret, vdekja nuk më tund.

    Arrën, nëndor 1987

    Havzi Nela (20 nëntor 1934 - 11 gusht 1988) është bërë gjerësisht i njohur (ndonëse jo aq sa duhet dhe sa e meriton), falë rrethanave të tij tragjike të burgimeve të gjata politike, papërkulshmërisë dhe karakterit burrëror që tregoi gjatë gjithë proceseve dhe kohës së vuajtjes së dënimit dhe internimit nga drejtësia komuniste. Epilogu i jetës së tij të shumëvuajtuar zgjidhet tragjikisht me egërsinë më të pashembullt, me aktin makabër të varjes së tij në litar në mes të qytetit të Kukësit me 11 gusht 1988, kur Havzi Neli ende nuk i kishte prekur të 54 vitet e jetës së tij. Drejtësia komuniste e kryente këtë akt të paskrupull barbarie në kushtet kur sistemi komunist ishte shkrehur tejpërtej në kampin komunist të Europës Qëndrore e Lindore, në kohën kur kryqendra e Perndorisë së të Keqes, Moska, kishte filluar që në vitin 1985 rishikimin e sistemit me Perestrojkën e Mihaill Gorbaçovit, në kohën kur kishte tre vjet që kishte vdekur diktatori i Shqipërisë Enver Hoxha.

    Havzi Nela ka shkruar që heret poezi dhe tematika e tyre është e shumëllojshme në gjinitë e lirikës. Në krijimet e para ndjehet ndikimi i lirikës popullore dhe kanonit romantik të poetëve të rilindjes e pasrilindjes sonë; vjersha të thjeshta, motive të afërta me këngëzimin: imazhet sunduese janë ato të mallit me simbolikë dhe alegori të kapshme për rrethin e njerëzve të pa stërholluar në estetikat e poezisë moderne. Ka dhe poema të gjata mbi ngjarje historike apo figura të luftëtarëve të Rilindjes kombëtare dhe kryengritjeve popullore. Në librin me poezi të zgjedhura që ka hartuar studiuesi Petrit Palushi shumica e kësaj krijimtarie është pqrfaqësuar me krijimet më të goditura, të zgjedhura me shije. Sa për ilustrim unë po sjell njërën nga kjo mori e pabotuar e poezive të tij:

    VJEN NJË SHPEND MA I BUKRI SHPEND

    Po fryn flladi i pranverës,

    Gjithë natyrës i dha gjallni,

    Trandafilit, luleshqerrës

    Zemrës gaz e dashuni.

    Po shkrin bora, ndërrohet moti,

    Nisën bjeshkët me lulëzue.

    N'ambëlsi si e do Zoti

    Kanë nis shpendët me ligjërue.

    Vjen një shpend ma i bukri shpend,

    Atij shumë kush ia ka zilinë,

    Gardelinë asht përnjimend

    Krejt mu zemrën po ma shkrin.

    Sa kur doli nga kafazi,

    Sa kur nis krahët me shpî,

    Fluturim ndezë prej marazi

    Nanës vet i ra në gji!

    Sa fort nana u mallue

    Kur e njohu bijën e saj;

    U përmend, me afsh u lshue

    Nan' e bijë u shkrinë në vaj!

    Qan e ama për të bijnë,

    Qan e bija për të amën;

    Ma të errët ia sheh freskinë

    Ma të thellë ia ndëgjon fshamën.

    Që të dyja n'heshtje ranë,

    E prej krahësh shpejt u lshuen,

    Me ofshamë përsri u ndanë

    Nanë as bijë nuk u gëzuen!

    Burrel, dhjetor 1980

    Poezi të tilla lirike me simbolikë folklorike baladash popullore për mallin, ndarjen, vetminë dhe brengën e të qenit i skajuar, ishullor mes harlisjes së stinëve dhe harmonisë së natyrës janë të shumta në krijimtarië e pabotuar të Havzi Nelës. Ato kanë rëndësinë se na japin një peisazh të klimës shpirtërore të poetit nga qelitë e burgjeve komuniste.

    Shpesh herë Havzi Nela është pranuar në perceptimin popullor si martir, që u ekzekutua në mënyrën më monstruoze në kaprcyell të falimentit komunist në Shqipëri, si sinonim i papërkulshmërisë dhe pafajësisë, çka shkakton dhimbje therëse, keqardhje të madhe dhe mosjustifikim të egërsisë së drejtësisë komuniste. Por harrohet, ose eklipsohet fakti, që Havzi Nela ka qenë një poet, një poet shumë i mirë, nëse kemi parasysh, se prej krijimtarisë së çdo poeti, në fund fare mbeten, gjithësej, 5 poezi, të cilat të japin çertifikatën e përjetësisë. Dhe Havzi Nela i ka këto pesë poezi, në mos më shumë...

    Madje ato 5 poezi janë një testament universal i fuqisë dhe rezistencës shpirtërore, etike e morale të karakterit shqiptar, të tilla, që të sfidojnë çdo lloj diktature. Nëse na lypet një model i këtillë në kohën e krizave dhe topitjes së vlerave humane, atëherë Havzi Nela është një nga modelet siperane artistike dhe estetike që vazhdon të na flasë nëpërmjet testamentit të poezive të tij.

    Në katër poezitë e tij të fundit, të shkruara mes qerthullit kapërthyes të maleve të Arrnit ku e kishin internuar në vitin 1987 dhe ku nuk e lejonin të komunikonte me asnjë njeri (nëse ngjitej këmbë njeriu në ato maja), pra në këto katër poezi të paravdekjes (Nuse më dhanë robninë, Arrën, tetor 1987; Arrnit me arrna, Arrën, tetor 1987; Malet e Arrnit, Arrën, nëntor 1987; O liri, o vdekje, Arrën, nëntor 1987) - kulmojnë të gjitha temat thelbësore të asaj se çfarë ishte e çfarë dëshironte të mbetej në idealitet karakteri i njeriut, sipas Havzi Nelës. Në këto poezi të fundit vokacioni i poetit ngjitet në një kreshendo të pikëlluar, sepse në vargjet e tyre përvijohet bilanci tragjik i një jete të tërë njerëzëre me përndjekje, ligësi, goditje, egërsi, morsë e hekurt për të mos e lënë të realizojë as një testament të thjeshtë për të dashurit dhe pasardhësit. Braktisja, vetmia, përzënia në qoshkun më skajshëm e të humbur ku bishat janë shumë më humane se njerëzit, tërë ky izolim nuk ndeshet as në shembujt më ekstremë të degdisjes që nga antikiteti e deri sot.

    Megjithëse nuk na ndajnë dhe aq shumë vite, për bashkëkohësin tonë është e pamundur të ndërtohet një përfytyrim më absurd se ky, ku poeti kuvendon me veten dhe me bishat mes natyrës së ashpër e të përjetshme. Që nga ky kënd mes qerthullit të maleve të Arrnit, ky Ovid i shumëfishtë tragjik, me zërin e lodhur e të ngjirur shkruan elegjitë e tij të pikëlluara postume, duke mos i hequr asnjë qime krenarisë dhe dinjitetit të njeriut të pamposhtur. Poezitë kanë bilancin e njeriut që nuk u mund dhe që mes natyrës ku e kanë izoluar shtrihet vetëm perspektiva e pritshme e vdekjes, të cilën ai e thërret si ngushëllim, me kushtin që të vijë e ta gjejë me dinjitet, si një kurorë e finales tragjike, por krenare. Kuptimësimin e fundit filozofik të këtij bilanci të gjatë, poeti Havzi Nela e shpreh me një varg filozofik e sentencial, që është një divizë e njeriut të pamposhtur dhe që vlen për të gjitha kohërat: ...dhe vdekja dhe jeta duhen meritue, apo deviza tjetër tek elegjia Arrnit me arrna: Liria më thërret, vdekja nuk më tund!.

    Sigurisht në repertorin e teksteve të shpëtuara të poetit-martir Havzi Nela ka edhe poezi të tjera të realizuara artistikisht, që të godasin dhe rrëqethin me shijen e athët tragjike të fatit, madje janë poezi të nivelit antologjik për krestomcitë shkollore, por katër poezitë e fundit flasin sa për katër romane-epope, ku dinjiteti i njeriut përpara atdheut, lirisë e Zotit mbetet i pacënuar asnjë grimë.

    Rileximi i poezive të Havzi Nelës, të cilat janë paraqitur në një përzgjedhje nga bashkëpatrioti i tij, shkrimtari dhe studiuesi kuksian Petrit Palushi në vëllimin Havzi Nela Poezi të zgjedhura, na shpalos, përveç emocioneve dhe përjetimeve shkundulluese, jo vetëm rezistencën e lartë shpirtërore të poetit-njeri, por edhe fuqinë artistike dhe elegancën estetike të poezisë si art, kur autori nuk ka më se ç'të mësojë tjetër nga jeta. Për edukimin artistik, estetik, moral e atdhedashës të brezave të rinj, gjimnazistëve e studentëve, trashëgimia poetike e Havzi Nelës është një model i përsosur edukimi, përballë hipokrizisë dhe krizës morale të përditshmërisë së sotme, një galeri ku gjëllijnë marioneta e ish-bashkëpunëtorë të diktaturës, e pse jo, edhe vrasësve të tij të drejtpërdrejtë.

    Për ta përmbyllur këtë rikthim të shkurtër tek poezia e Havzi Nelës dhe për të imagjinuar kushtet në të cilat shkruajti ai, po përcjell një shënim që ka lënë në fletore martiri i ndjerë në fund të katër poezive të tij të fundit, një ndër shumë shënimet që linte rëndom poeti nëpër fletore, me shpresën se së afërmi, lexuesi do t'i ketë të botuara në veprën e tij të plotë që po përgatit Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK).

    Shënimi i fundit me të cilin Havzi Nela përcjell katër poezitë e tij të fundit nga Arrni.

    Këto vjersha i kam nxjerrë gjatë ditës në punë dhe duke ecë rrugës, pa përdorë laps e letër dhe duke i hartue e mësue përmendsh. Dje me datë 17 nëntorë mora letër nga Verja dhe më thanë se këto dit do të vijë në takim dhe shpresonte të vijë Verja vetë. Prandaj unë sonte nën dritën e zjarrit i nxorra nga mendja dhe i hodha në letër për me ia dhënë Verës në dorë po erdhi vetë.

    I kam shkrue me zor pa dritë e nëpër tym.

    Arrën 18 nëntorë 1987

    * * *

    Në mbyllje të këtyre shënimeve dua të theksoj diçka, që më duket thelbësore për receptimin e poezisë së Havzi Nelës. Havziu ishte ndër të paktët poetë (në mos i vetmi), që punonte drejtëprsëdrejti me Zërin e vet, me zërin e brendshëm, zërin njerëzor – në kuptimin filologjik e psikik të diafragmës, me vokalitet e timbër përsiatës, të pafiksuar në letër. Ky zë që çlirohej prej parzmit të tij burrëror e të brengosur midis ajrit të rëndë të qelive apo galerive, s’ka më as kohë e as nge për latime e lima. Është zëri i vulosur me parandjenjën e tragjedisë personale e të krejt gjindjes e fisit shqiptar, zë që shkepet së thelli dhe i pohon botës dinjitetin e njeriut të përzënë në zgrip të greminës; zë që këndon si një Makferson që shkon ballëhapët drejt vdekjes, litarit. Çdo lajle, çdo spërdredhkë metafore, çdo grremç i stërholluar leksikor është i tepërt. Fjala, Fryma dhe Mendimi në këto poezi të pragvdekjes përputhen saktë me dihatjen e shpeshtuar dhe frymimin e vdekjes në zverk.

    Diç të tillë të ngjashme do të ketë ndjerë dhe poeti tragjik francez i shek XV, Frasua Vijon-i (François Villon) përpara litarit:

    Jam Fransua. Se ç’kob-pohim!

    Ajme! Vetë vdekja do më mbrrijë.

    Se sa peshon ky korpi im -

    Shpejt qafa do ta dijë.

    AHMET PREMÇI

    HAVZI NELA, ËNDRRA PËR LIRINË

    Ftesën e poetit Rexhep Shahu për të marrë pjesë në përvjetorin e përkujtimin e një ngjarje makabre, atë të varjes në litar të poetit martir Havzi Nela në Kukës, e prita me një emocion shumë të veçantë. Kur mendon sot në vitin 2018, kur gjërat kanë ndryshuar me shpejtësi, është një detyrim madhor të kthejmë kokën në vitet e mënxyrës komuniste e të përjetojmë tmerrin e kalvarin e vuajtjeve të viktimave që nën terror mbolli diktatura në të katër anët e vendit. Ishte kohë kur intelektualët përndiqeshin, të mënçurit pëbuzeshin, poetët vareshin me këngën e lirisë në buzë pranvere. Ishte një kohë lugetërish, hienash, kuçedrash…

    Poeti Havzi Nela është njëri nga dhjetra mijë të varur e të pushkatuar. Më e dhimshme është se pas burgut të Spaçit, poeti i ndjerë donte dhe një vit për të shpëtuar gjallë e për të dalë në liri në vitin 1990. Bishat e egërsuara duke dhënë shpirt bënë shembullin e fundit, makabritetin e pashembullt, varjen ne litar të një poeti në mes të qytetit. E gjykuan dhe e denuan me varje poetin Havzi Nela. Dënonin me varje ëndrrën për liri, ëndrërën për vargun e lirë, për demokraci e për të drejta elementare njerëzore. Ja prenë në mes, tamam aty ku fillon shpirti, tamam aty ku fillon belbëzimi, tamam aty ku tupani i lirisë bie fort e kumbueshëm. Më e dhimshme akoma është se gjyqtarët, prokurorët dhe pushtetarët partiakë të nomeklaturës në grahmat e fundit, që dhanë vendimin dhe verdiktin makabër nuk u ndëshkuan kurrë, as nga ligjet e shtetit, as nga e drejta e jetës, as nga Zoti! Gëzuan e gëzojnë edhe sot privilegje të atributeve që ju ka dhënë detyra në diktaturën komuniste. Disa morën poste të larta e disa u dekoruan dhe kjo përbën një turp në ditët e demokracisë.

    Të gjitha vendet ish komuniste, të gjithë popujt e këtyre vendeve vuajtën pasojat e regjimit të kuq sovjetik. Historia e Havziut është unike, vuajti rreth dy dekada në burgun e Spaçit të tmerrshëm, qëndroi i interrnuar ne Arrën në një zonë nga më të thellat malore në Shqipëri, e në fund, një vit para rrëzimit të murit të Berlinit, para lirisë shqiptare, pikërisht në vitin 1988, i pritet jeta në mes në mënyrë makabre. U var në mes të qytetit të Kukësit dhe u varros diku nga ca njerës mizorë, në një përrua, në këmbë, vetrikalisht, pa kokë. A ka gjë më të tmerrshme të ekzekutosh kështu një mësues, një poet që lexon dhe shkruan, ndonëse i revoltuar dhe i pa pajtuar me izolimin diktatorial. Ai vetëm fjalë ka thënë. E para dhe e fundit për Havziun ishte fjala, ishte vargu, ishte ëndrra për liri e demokraci. Ky ishte dhe lajtmotivi i cilido prej nesh që në vitet ’90 u sulëm në rrebeshin e pandalshëm të përmbysjes së madhe. Mungonte fizikisht poeti Havzi në këtë tramundanë, mungonte fizikisht sepse shpirtërisht ai ishte dhe është në krye të turmës që kërkonte Liri e Demokraci, që e donte Shqipërinë si e gjithë Europën. Nuk kishte si ndodhte ndryshe me vargun dhe këngën e tij që kishte kohë që kishte lëshuar jehonën e një shpirti të lirë, të pandalshëm, si valët e lumit Drin, si ortiqet e Gjallicës e Pashtrikut, si shiu në vjeshtë e si vapa e korrikut… Ai s’kishte kryer asnjë krim, nuk kishte vrarë as prerë njeri, nuk kishte varë askënd që ti jepej një dënim i tillë. Xhelatët e masakruan poetin për të treguar fuqinë e tyre që askush në këtë vend të mos mendonte më kundër regjimit, askush të mos guxonte të shkruante poezi për lirinë, për hapësirën që të jep demokracia. Jo! Duhej vetëm ti nënshtroheshe diktaturës, të heshtje, të pajtoheshe dhe të doje atë regjim, vetëm kaq!

    Ai regjim vari poetin por nuk mundi të ekzekutonte mendimin, aspiratat e deshirat e tij. Ja, sot poezitë e Havzi Nelës lexohen nga të gjithë brezat, kujtimi i tij jeton kudo, statuja e tij u vendos në mes të qytetit të Kukësit e shikimi i tij deperton tek të gjithë ne, matet me Gjallicën për nga forca dhe madhështia, duket sikur thotë: Ja ku jam! Përballë jush e bashkë me ju, si ju e me ju. Liria, mendimi e revolta e tij nuk u ekzekutuan dot, nuk u shuan, përkundrazi gjëmojnë më të forta thirrjet e tij që dalin nga ajo kohë e zymte, e errët, e trishtueshme..

    ***

    E kur mësoj nga poeti e shkrimtari Rexhep Shahu se Bashkia Kukës e kryetari i saj Bashkim Shehu, po ndërtojnë shtëpinë e Havzi Nelës në fshatin e tij në Kollovoz, e po e kthejnë në një shtëpi muze, në një shtëpi ku do bëhet pelegrinazh i përvitshëm nga poetë e qytetarë në çdo përvjetor, zemra të ngazëllehet e ndjehesh vërtet borxhli e njëkohësisht krenar ndaj kontributorëve për të mbajtuar në këmbë vlerat e çmuara të kombit tonë. Havzi Nela ishte dhe mbetet symbol i qëndresës dhe krenarisë. Ai refuzoi, ai qëndroi, ai sakrifikoi, ai nuk u përkul kurrë për të mbetur i tillë në memorjen e brezave. Jeta e sakrifica e tij do bëjë krenar çdo lumjan dhe çdo shqiptar.

    ***

    Në Gusht do udhëtoj për në fshatin Kollovoz, në fshatin e Havzi Nelës, do vizitoj shtëpinë e tij. Aty në këtë ditë do gjej shkrimtarë e poetë nga e gjith Shqipëria. Aty do lexohen poezitë e Havziut që u shkruan në skëterrën e gestapos komuniste, poezi si pika gjaku që rrjedhin kur shtrydh plagët vdekjeprurëse. Dhe Havzi Nela nga bota e përtejme do të jetë krejt i qetë në parajsën e tij. Ai vuajti më shumë se askush e sot lartësohet emri i tij i mbushur me lavdi, i nderuar nga ajka e shoqërisë shqiptare, nga poetët e gjithë vendit.

    Unë ndjehem i privilegjuar që jam pjesë e njerzve të vendit tim për të hedhur këto pak radhë për poetin legjendë, për poetin brilant e për njeriun martir, Havzi Nela. Kuptohet që janë disa radhë modeste që unë shkruaj krahasuar me fjalët që do gdhendin për Havzi Nelën shkrimtarët e poetë bashkëkohorë e të mirnjohur që përfshin kjo përbledhje sinjifikative, kjo përmendore për njeriun e mirë, poetin e talentuar të ëndrravë, Havzi Nela…

    Emri, kujtimi, krijimtaria dhe sakrifica sublime e tij do na bëjë gjithmonë të mendojmë thellë, të reflektojmë e të korrigjojmë memorjen tonë. Simbole të tilla kanë vendin e rëndësishëm jo vetëm në histori por dhe në rrugëtimin dhe aktivitetin e përditshëm të gjithsecilit që e dëshiron atëdheun tonë më të mirë, më të lirë, më të begatë e më të bukur, në altarin e shdritshëm të poezisë e të këngës, që nga belbëzimi i parë deri në ofshamën e fundit…

    ALBERT VATAJ

    HAVZI NELA, MARTIRI I FJALËS SË LIRË, POETI I KUSHTRIMEVE GJËMUESE

    Nga pak na shtrëngon të gjithëve në fyt ai litar që të shteri frymën e fundit, Havzi Nela asaj pasmesnate të 10 gushtit 1988. Sot pas 30 vitesh qysh prej atij akti mizorie, sekush ndër ne e ndjen peshën e rëndë të atij krimi. Ata që kanë moshën e këtij ekzekutimi do ta kenë të vështirë të besojnë mbi absurdin që çoi në litar një poet të andshëm, një mësues të përkushtuar, një malësor atdhetar. Me vitet nuk shuhet kobi i asaj nate. Në mish na ngulet thellë e më thellë kafshimi i asaj vdekjeje, fikja e atij shpirti të

    Enjoying the preview?
    Page 1 of 1