Discover millions of ebooks, audiobooks, and so much more with a free trial

Only $11.99/month after trial. Cancel anytime.

illz: Revistë Letrare e Tiranës - Nr. 5
illz: Revistë Letrare e Tiranës - Nr. 5
illz: Revistë Letrare e Tiranës - Nr. 5
Ebook402 pages5 hours

illz: Revistë Letrare e Tiranës - Nr. 5

Rating: 0 out of 5 stars

()

Read preview

About this ebook

illz is a periodical of literature in the Albanian language. It is published every two months by Klubi i Poezisë, Tiranë. This is issue nr. 5.

illz është një revistë letrare periodike në gjuhën shqipe e botuar nga Klubi i Poezisë, Tiranë. Revista botohet çdo dy muaj. Ky është numri 5.

Autoret e publikimet e këtij vëllimi:

Gjergj Fishta - Një libër imoral i ban ma keq shtetit se një kryengritje
Ernest Koliqi - Tregtar flamujsh
Toni Morrison - Shkrimtarët që përballen me rrezikun
Aleksandër Solzhenicin - Të jetosh pa gënjeshtër
Petrit Ruka - Bëj durim i Tepelenti im, Qazim Shemaj!
Miftar Spahija - Terri asht dritë... (Fragment “Arbanët e Curranët”)
Luan Rama - Casares dhe gratë që donte aq shumë Kamy
Maria Casares - Rezidente e privilegjuar
Léon Rey - “Natën në Louvre” ose Historia e balerinës Lucette
Azem Shkreli - Poezi
Fahredin Gunga - Poeme
Rrahman Dedaj - Poezi
Ernest Koliqi - Migjeni dhe unë
Sazan Goliku - Simbolika e poezisë së Rrahman Dedajt
Janis Ricos - Poezi
Rose Ausländer - Poezi
Roland Gjoza - Nuk shoh lëvizje letrare në Shqipëri – Intervistë
Arif Demolli - Përrallë për Urithin dhe Minjtë
Faik Ballanca - Idhulli i Robit
Spiro Gjoni - Faik Ballanca - Paradigmat e një krijimtarie
Demir Gjergji - Poezi
Erenestina Gjergji Halili - Poezi
Namik Dokle - Lulet e Skajbotës (Fragment romani)
Rudi Erebara - Epika e Yjeve të mëngjesit (Fragment romani)
Basri Çapriqi - Poezi
Eqrem Basha - Poezi
Skënder Zogaj - Poezi
Salajdin Salihu - Poezi
Afrim A. Rexhepi - Estetika është fiziologjike
Prof. Dr. Shaban Sinani - Letërsia e vjetër shqipe në shkrime e tejshkrime të Rexhep Ismajlit
Agim Gjakova - Kodra, Tregim
Butrint Berisha - Mbreti pinte shumë cigare, Tregim
Luan Rama - Murgu i malit të shenjtë..., Tregim
Sotir Athanasi - "Romancë parisjene", Tregim
Brunilda Mustafa - Poezi
Eltona Lakuriqi - Poezi
Fiqirete Kukli - Poezi
Liljana Furrxhiu - Poezi
Mirja Mehmeti - Poezi
Rudina Mërkuri - Poezi
Miho Gjini - Equus - Drama e dramave të njeriut...
Xhahid Bushati - Esat Oktrova, Vitet E Arta Të Regjisorit...
Agim Baçi - George Oruell: Makthi i parashikimit tronditës
Lazër Stani - “Ora e Zooparkut”, e Zija Çelës, një libër që të lexon
Sherif Selimi - Surrealizmi- si formacion stilistikoro-letrar
Vaid Hyzoti - Përshkëndija poetike e ”Çiftelisë” së Silvana Berkit
Flamur Maloku - Ideologjia e tjetrit në letërsinë shqipe
Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj - “Balta e arave”... të Dritero Agollit
Mate Grbavac - “Parisi kot”, Roman bashkëkohor në çdo pikëpamje
Qirjako Ikonomidhi - Udhëtari i Bukfjalës
Sherif Selimi - Narrativet e Agim Morinës

LanguageGjuha shqipe
Release dateApr 9, 2020
ISBN9780463805848
illz: Revistë Letrare e Tiranës - Nr. 5
Author

Klubi i Poezisë

Illz is a periodical of literature in the Albanian language. It is published every two months by Klubi i Poezisë, Tiranë.

Read more from Klubi I Poezisë

Related to illz

Related ebooks

Related categories

Reviews for illz

Rating: 0 out of 5 stars
0 ratings

0 ratings0 reviews

What did you think?

Tap to rate

Review must be at least 10 words

    Book preview

    illz - Klubi i Poezisë

    NJË LIBËR IMORAL I BAN MA KEQ SHTETIT SE NJË KRYENGRITJE

    …"Me ditë me mbajtë penën në dorë, nuk do me thanë, me kenë i zoti me shkrue libra, vjersha, artikuj e revista të hijshme e të dobishme.

    Edhe kasapi e mban thikën në dorë e pret mish si kirurgu. Por hane kasap e hane kirurg !".

    "Po të isha vetë kryeministër, po ju kallxoj të drejtën, se ma fort do të kisha ra në mendime për ekzistencën e shtetit prej botimit të një libri imoral, se sa prej një kryengritje sado mirë të organizume.

    Pa moral, një moral të shëndoshë – të thotë ç’ka të thotë Ministria e Arsimit – s’mbahet shtet në kambë. Tash çfarë morali mund të thuhet, se ka një popull, në mes të të cilit dhuna, palavia, flligshtia ma të poshtra mbrrijnë me botue për përdorim të masës së re? Në atë popull jo veç se s’ka moral, por duhet thanë se ka hupë edhe kuptimi i moralit"...

    ERNEST KOLIQI

    TREGTAR FLAMUJSH

    Fragment

    Në raftat deri në tavan që rrethojshin katër zdatkat(1) e odës, tue lanë lirshëm vetëm atrorin e dritores kah oborri mbas dugajës(2), rrijshin pilue(3) qinda paketash të trasha mbështjellë në etër zverdhurke. Letra e shkyeme vende vende lëshonte pre do paketash skjepin e ndonji kindi(4) të kuq. Disa gypa të gjatë qepë në beze shifeshin të mbështetun pingul për rafta. Hjedhun në një kand afër dritorje venitej të kuqtë e nji flamuri me shtizë veshë në kadife. Përmbante mija flamujsh ajo odë e errtë. Vjerrshatari i ri, mësue qyshë prej rinisë ma të parë me shndrrue ndjesitë e pacaktueme në parafytyrime të gjalla, mendoi: Mija agimesh epopeje të kuqe fjetë në burgun e nji kohe të mugët.

    Humbi në një fluturim të vrikshëm(5) lyrike. I pau ata flamuj të shtjelluam në një dritë të gjallë fitoresh kumbore(6), në krye të nji kombi të lirë mbi udhë plot brohorina t’ardhëmenisë kur era e larit(7) tymonte e pastër drejt qiellit. I pau ato shqipe të zeza tue lirue nga burgu i errët i një kohë te zezueme e tue rrahë flatrat nëpër ajri të kuqe si ëngjuj drejtësie kah skajet ma të fshefuna të maleve e të fushave t’atdheut.

    - A shef si kam ra mbrendë? Tue mbajtë uzdajë(8) se nuk do të rrinte shtëpi pa e marrë ka nji, i porosita me turra. Por s’blen kurrkush. Me kanë mbetë pa u shitë. Mjaft, pra, ia kam ulë çmimet.

    Zani me tinguj metalikë theu shortin(9) e vegimit të largët ajruer. Një zemërim i hovshëm iu gjinikue(10) djaloshit përmbrenda. Donte të thonte dishka për me e fye tregtarin; kërkoi me mend nji të shame që t’i përshtatej.

    - Gjynah me mbetë pa u shitë ky farë malli!

    Ndërsa me dorën e rrëmakët(11) mbante shtizën, rroku me atë të djathtën një kind të pëlhurës së kuqe e ju afrue djaloshit tue e ndukë.

    - Shih sa cohë e mirë!

    Po të vronte dy duer të ndyta tërbue n’epsh shtazarak tue u shtri kah trupi i nji krijatyre të njomë e të dashur, përqethje ma e rreptë s’ia kish tronditë mishin e shtatit. Befas e me rrëmbim vërvitës vërviti duert përpara e ia hoq pëlhurën tregtarit. Ky zgërdhuci(12) syt. Hilush Vilza tha me za t’ultë, por të ndezun:

    - Mos e prek me ato duer.

    Me za që i dridhej prej pezmit, tjetri ia kthei:

    - Po, zati(13) ti s’din veç me qitë bejta. Jeto me prralla, bieru mbas andrrave.

    Me vjen keq për gjind të tuej se tash i qet në rrugë të madhe, me shka shof un. Hajt, hajt, qit bejta e dueje Shqipnin: bejtat e Shqipnija kan me të qitë në dritë…

    U afrue edhe ma tepër e pëshpëriti si në nji fishkullimë:

    - U shitne a s’u shitne flamujt, qëndroi a s’qëndroi Shqipnija, un kam mjaft, shyqyr, me jetue: a more vesht? e tash, jashtë…

    - Kadalë… ia priti djaloshi me t’egër e sytë i vetuen: - dal vetë, s’ashtë nevoja me më qitë jashtë ti. Por edhe një fjalë due me t’a thanë e të lutem vire ne vesh si at këshillë qi më dhae par(14) në dugajë. Ti thue se jeton, por rrehesh. Ti je shlye prej numrit të të gjallëve qyshse je ndry në kët dugajë mbushë me mall. Ky asht vorri i yt. E sa për Shqipni po të siguroj un se ka me qindrue. Prandej mos ban merak(15) se edhe flamujt kanë me t’u shitë krejt. Por rueje shpirtin t’and mos t’ia shtish dreqit.

    E Hilush Vilza doli, lehtësue në zemër nga ai shfrim, me thithë ajr të kulluet n’udhë sepse era e asaj dugaje i mirrte frymën

    1 zdatka: mure ndarës dërrase

    2 dugajë: dyqan

    3 pilue: njëra mbi tjetrën

    4 kind: cep, palë

    5 vrikshëm: të shpejtë, rrëmbyeshëm

    6 kumbore: të bujshme

    7 lari: dafina

    8 uzdajë: shpresë

    9 short: magji

    10 gjinikue: lind, përftoj

    11 rrëmakët: majtë

    12 zgërdhuci: zgurdulloi

    13 zati: zaten

    14 par: më përpara

    15 mos ban marak: mos ki merak, mos ki frikë

    TONI MORRISON

    SHKRIMTARËT QË PËRBALLEN ME RREZIKUN

    Toni Morrison u nderua me Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1993. Ajo është autore e shumë romaneve, duke përfshirë romanet Sula, Kënga e Solomonit, I dashuri më së fundi, Mëshirë. Ajo është vlerësuar edhe me çmimin kombëtar të kritikës së librit dhe me çmimin Pulitcer për prozën e saj.

    Regjimet autoritare, diktatorët, despotët janë shpesh, por jo gjithmonë, budallenj. Por asnjëri prej tyre nuk është aq budalla sa t’u lërë shkrimtarëve largpamës, disident dorë të lirë për të botuar gjykimet e tyre apo për t’iu bindur instinkteve të tyre krijuese. Ata e dinë këtë e bëjnë duke marrë rrezikun në sy. Nuk janë aq budallenj sa të heqin dorë nga kontrolli (i hapur ose i fshehtë) i medias. Metodat e tyre përfshijnë mbikëqyrjen, censurën, arrestimin, madje edhe vrasjen e atyre shkrimtarëve që e informojnë dhe e shqetësojnë publikun. Shkrimtarët që janë të trazuar, ata që ngrejnë pyetje duke dyshuar, duke i parë gjërat në një këndvështrim tjetër më të gjerë, gazetarët, eseistët, shkruesit në blogje, poetët, dramaturgët, mund t’i hapin punë shtypjes sociale që funksionon si një gjendje kome për popullatën, një gjendje kome të cilën despotët e quajnë paqe dhe këta janë ata që ndërpresin hemoragjinë e gjakut të luftës i cili shndërrohet në ushqim për përkrahësit e politikës së forcës dhe spekulatorët që fërkojnë duart.

    Ky është rrezik i tyre. I yni është i një tjetër lloji. Sa e zymtë, e padurueshme, e urryer bëhet eksiztenca kur ne nuk na lejohet krijimi i veprës së artit. Fakti që jeta dhe vepra e shkrimtarëve të cilët përballen me rrezikun duhet të mbrohen, është një nevojë e ngutshme, por bashkë me këtë ngut, duhet të sjellim në kujtesë se mungesa e tyre, bllokimi i punës së shkrimtarit, zhdukja e tij mizore, është një rrezik po aq real edhe për ne. Shpëtimi që duam për ta është një bujari më vete. Ne të gjithë i dimë kombet që mund të identifikohen nga arratia e shkrimtarëve nga brigjet e tyre. Këto janë regjimet ku frika e shkrimit të pambikqyrur përligjet prej tyre, ngaqë e vërteta i shqetëson. Është shqetësim për luftënxitësin, torturuesin, hajdutin e korporatave, kalemnxhijtë e politikës, sistemin e korruptuar të drejtësisë, si dhe për një publik në gjendje kome.

    Shkrimtarët e papërsekutuar, të paburgosur, shkrimtarët e bezdisshëm janë shqetësues për injorantin mujshar, racistin tinëzar dhe grabitqarët që ushqehen nga burimet e botës.

    Alarmi, ky shqetësim për ngritjen e problemeve nga shkrimtarët është iluminues për shkak se ky veprim është i hapur dhe i pambrojtur, por nëse nuk mbikqyret nga policia është kërcënues. Rrjedhimisht shtypja historike e shkrimtarëve është shenjë e hershme paralajmëruese e zhdukjes së të drejtave dhe lirive të tjera që pasojnë.

    Historia e shkrimtarëve të persekutuar është po aq e gjatë sa historia e vetë letërsisë. Dhe përpjekjet për të censuruar, për ta lënë të vdesë urie, për të na disiplinuar dhe për të na asgjësuar ne, përbëjnë shenja të qarta se diçka e rëndësishme ka ndodhur. Forcat kulturore dhe politike mund të rrafshojnë të gjithë llojet a arteve, përveç të sigurtit, të gjitha llojet a arteve por të miratuar nga shteti.

    Më kanë thënë që ekzistojnë dy reagime njerëzore ndaj perceptimit të kaosit: ndërrimi i emrave dhe dhuna. Kur kaosi është thjesht e panjohura, ndërrimi mund të arrihet pa asnjë përpjekje – një specie, yll, formulë, barazim, prognozë e re. Ndodh gjithashtu edhe krijimi i një harte, katagolizimi i gjithçkaje, ose krjimi i emrave të rinj për zona gjeografikë që mungojnë, për peizazhe dhe popullsinë. Kur kaosi bën qëndresë, ose duke e reformuar veten ose duke u rebeluar kundër një rendi të imponuar, dhuna shihet të jetë si reagimi më i shpeshtë dhe më racionali në përballjen me të panjohurën, të kobshmen, të egrën, të paarsyeshmen dhe të pakorrigjueshmen.

    Reagime racionale mund të jenë censura, internimi në kampe, burgjet, ose vdekja, vetëm për ty ose bashkë me të tjerët në luftë. Nuk ka megjithatë një reagim të tretë ndaj kaosit, për të cilin nuk më kanë folur, i cili është heshtja. Një heshtje e tillë mund të jetë pasiviteti dhe mosdëgjimi. Mund të jetë frika paralizuese. Por mund të jetë edhe arti.

    Ata shkrimtarë që e ushtrojnë zejen e tyre afër ose larg fronit të pushtetit politik, atij ushtarak, në ndërtesën shtetërore perandorake apo në shtëpizën e tij, mund të krijojnë një kuptim përballë fytyrës së kaosit duhet të mbështeten, të mbrohen. Dhe është e drejtë që një mbrojtje e tillë të nisë nga shkrimtarët e tjerë.

    Dhe është e domosdoshme jo vetëm për të shpëtuar shkrimtarët e rrethuar, por për të shpëtuar veten tonë.

    Mendimi që më bën të sjell në kujtesë me tmerr fshirjen e zërave të tjerë, të romaneve të pashkruara, poezive të pëshpëritura ose të gëlltitura nga frika e përgjimit nga njerëz të këqinj, jashtëligjshme gjuhë të nxjerra jashtë përdorimit që fliten nëpër kthina nëntokësore, pyetjet e eseistëve që sfidojnë autoritetin që nuk janë bërë kurrë, drama të pavëna në skenë, filma që nuk janë shfaqur-ky mendim më kthehet në makth. Është sikur një univers i tërë ngjyroset me bojë të zezë.

    Disa lloje traumash tek disa popuj janë aq të mëdha, në mënyrë mizore, sa ndryshe nga paraja, ndryshe nga hakmarrja, madje ndryshe nga drejtësia, dhe madje ndryshe edhe nga drejtësia, ose të drejtat, apo vullneti i mirë i të tjerëve, vetëm shkrimtarët mund të përkthejnë trauma të tilla, ta kthejnë dhimbjen në kuptim, duke e forcuar përfytyrimin për të moralshmen.

    Jeta dhe vepra e shkrimtarit nuk janë një dhuratë për njerëzimin; ato janë domosdoshmëri.

    Përktheu: Granit Zela

    ALEKSANDËR SOLZHENICIN

    TË JETOSH PA GËNJESHTËR

    Kemi humbur njerëzillëkun në mënyrë kaq të pakthyeshme, sa që për kafshatën modeste të ditëve të sotme, jemi të gatshëm të heqim dorë nga të gjitha parimet tona, shpirti, të gjitha përpjekjet e paraardhësve tanë dhe nga mundësitë e fuqive tona – gjithçka, vetëm e vetëm për të mos e trazuar ekzistencën tonë të pasigurtë. Nuk dimë më se çfarë janë krenaria, qëndrueshmëria, një zemër e përvëluar. Nuk na tremb as vdekja bërthamore, lufta e tretë botërore (duhet të ketë patjetër një vrimë ku të fshihemi) – vetëm një gjëje ia kemi frikën: që të bëjmë ata pak hapa që na ndajnë prej kurajos civile!

    Vetëm e vetëm që të mos largohemi nga tufa, të shkojmë për hesapin tonë – sepse, po sikur, pastaj të gjendemi pa bukën e bardhë, ujëngrohësin me gaz, lejen e qëndrimit në Moskë? Ka një koncept në gjendje të na sigurojë një jetë të qetë, sa kohë që jetojmë, dhe që na e kanë ngulitur në të gjithë salcat e qarqeve të edukimit politik, deri sa na ka hyrë mirë në kokë: mjedisi, kushtet shoqërore, nuk dilet prej tyre, qenia përcakton ndërgjegjen. Atëherë, ky hyjmë ne? Ne nuk mund të bëjmë asgjë. Përkundrazi, mund të bëjmë gjithçka. Por preferojmë të gënjejmë vetveten, për të qenë të qetë. Nuk janë aspak ata fajtorët për gjithçka, jemi vetë ne, vetëm ne! Do të na kundërshtojnë: por në fakt, çfarë mund të bëhet konkretisht? Na kanë mbyllur gojën, nuk na dëgjojnë, nuk pyesin për mendimin tonë. Si të bëjmë për t’i bindur ata që të na dëgjojnë? Sido që të jetë, nuk ka asnjë mënyrë që t’i detyrojmë të ndërrojnë mendje. Gjëja më e natyrshme do të ishte që të mos i rizgjidhnim – po tamam, sikur në vendin tonë të kishte zgjedhje.

    Pra, është një qark i mbyllur? Vërtetë nuk ka rrugëdalje? Dhe duhet të presim pasivisht që, nga hiçi, diçka të bëhet vetë? Por ajo gjëja që kemi përsipër nuk do të largohet kurrë vetë, nëse ne të gjithë do të vazhdojmë ta pranojmë, ta nderojmë dhe ta përforcojmë çdo ditë, nëse nuk vendosim t’i kundërvihemi, duke filluar aty ku është më e dobët. Nga gënjeshtra.

    Kur dhuna thyen konsorciumin paqësor njerëzor, fytyra e saj digjet prej sigurisë arrogante që shfaq, madje ulëret, sipas mësimeve të saj: Unë jam dhuna! Largohuni, hapni rrugë ose do ju vë poshtë! Por, dhuna plaket po kaq shpejt, dhe pa kaluar shumë vite, nuk është më kaq e sigurtë në vetvete për t’u shfaqur, e për t’u bërë më e paraqitshme kërkon papushim një aleate, dhe kjo është Gënjeshtra. Në fakt, dhuna nuk ka mënyrë tjetër për t’u maskuar, përveç gënjeshtrës, dhe gënjeshtra nuk mund të ketë jetëgjatësi, përveçse përmes dhunës. Dhe dhuna nuk ka nevojë që të bëjë të ndihet çdo ditë, në çdo sup, peshën e putrës së saj: ajo kërkon vetëm që ne t’i nënshtrohemi gënjeshtrës, që të bëhemi përditë pjesëmarrës në gënjeshtër – dhe kaq mjafton për të qenë të nënshtruar besnikë. (bota.al)

    Pikërisht këtu gjejmë çelësin, që deri sot ne e kemi fshehur, por aq ka qenë kaq i thjeshtë për t’u gjetur, për çlirimin tonë: mos pjesëmarrjen personale në gënjeshtër! Nëse gjithnjë e më shumë njerëz nuk do të duan të kenë të bëjnë me gënjeshtrën, ajo fillon të zhduket. Si një sëmundje ngjitëse, e cila ekziston sa kohë që ka njerëz për t’u infektuar. Nuk na kërkohet të zbresim në shesh, nuk jemi të pjekur sa duhet për të shpallur publikisht të vërtetën, për të shprehur me zë të lartë atë që mendojmë – nuk është për ne, ka shumë rrezik. Por të paktën të refuzojmë të themi atë që nuk mendojmë. të vetëdijësohemi për kufirin, përtej të cilit fillon gënjeshtra – të tërhiqemi nga ky kufi i gangrenizuar.

    Atëherë, secili prej nesh duhet të gjejë kurajën dhe të zgjedhë: ose të qëndrojë shërbëtor i vetëdijshëm për gënjeshtrën, ose të vendosë që ka ardhur momenti të shkëputet, të bëhet një njeri i ndershëm, që meriton respektin e fëmijëve dhe bashkëkohësve…

    Po, në fillim nuk do të jetë e lehtë. Dikush do të humbasë përkohësisht vendin e punës. Të rinjve që duan të jetojnë sipas të vërtetës, kjo do ua ndërlikojë shumë, që në fillim, ekzistencën e tyre rinore: në fakt, edhe verifikimet me pyetje-përgjigje janë të mbushura me gënjeshtra, dhe duhet zgjedhur.

    Nuk ka ditë, kur gjithësecilit prej nesh nuk na duhet të zgjedhim në cilin drejtim të shkojmë: drejt të vërtetës, apo drejt gënjeshtrës, drejt pavarësisë së shpirtit, apo drejt servilizmit shpirtëror. Dhe kush nuk do të ketë kurajën e mjaftueshme për të mbrojtur shppirtin e tij, të paktën të shmangë mburrjen për idetë e veta progresiste, të mos lëvdohet me titujt e tij akademikë, artist i popullit, i merituar për këtë apo për atë, dua vetëm të rri ngrohtë dhe me barkun plot.

    Për njerëz si ne, të mpirë prej mosveprimit, edhe kjo rrugë – më e moderuara mes formave të ndryshme të rezistencës – nuk do të rezultojë aspak e lehtë. Sidoqoftë, më e lehtë se sa të luajmë me zjarrin, apo edhe se sa një grevë urie: flakët nuk do të përfshijnë gjymtyrët, sytë nuk do të të bëjnë grevë, dhe pakëz bukë e zezë e një gotë ujë i pijshëm, do të gjenden gjithmonë për familjen tënde. Ai popull i madh i Europës, që e kemi mashtruar dhe tradhëtuar – populli çekosllovak – a nuk na ka treguar ne, se një gjoks i dobët, mund t’u rezistojë edhe tankeve, nëse brenda tij rreh një zemër e denjë? Do të jetë një rrugë e mbushur me pengesa – megjithatë, do të jetë më pak e dëmshmja nga të gjitha. Një zgjidhje jo e lehtë për trupin – por e vetmja për shpirtin. Një rrugë jo e lehtë – megjithatë, edhe tek ne ka njerëz, dhjetëra njerëz, që prej vitesh u përmbahen këtyre kritereve, jetojnë sipas të vërtetës. Pra, nuk jemi të parët që i hyjmë kësaj rruge, por u bashkohemi atyre që e kanë bërë tashmë! Sa më të shumtë dhe të bashkërenduar të jemi në interpretimin e saj, aq më e kalueshme dhe e shkurtër do të na duket! Do të jemi me mijëra, nuk do të na e ulin kokën, as nuk do ta provojnë. Nëse bëhemi dhjetëra-mijëra, vendi ynë do të ndryshojë aq shumë, saqë nuk do ta njohim më.

    Nëse na pushton frika, të paktën të pushojmë së ankuari për ata që do të na e heqin edhe ajrin për të marrë frymë – jemi ne vetë që e bëjmë! Të përkulemi edhe më shumë, të presim si do të shkojë, dhe miqtë tanë biologjikë do të kontribuojnë që të afrohet dita kur do të mund të na lexojnë edhe mendimet dhe të riprogramojnë gjenet tona.

    Nëse edhe këtë herë do të lejojmë të fitojë frika, do të thotë se jemi hiçë, se për ne nuk ka asnjë shpresë.

    Pjesë nga shënimet e Solzhenicinit: Të jetosh pa Gënjeshtër, që autori i ka shkruajtur në 12 shkurt 1974, në Moskë / www.bota.al

    PETRIT RUKA

    BËJ DURIM I TEPELENTI IM, QAZIM SHEMAJ!

    Më në fund e ndave mendjen dhe ike vëllai im në këtë ditë të bukur prilli. Mes përmes luleve dhe për këtë e ke vetë fajin. Ishe marrë gjatë me prillin, nga që poezia jote ishte e prilltë. Ia mbathe për atje, në prillet e Qesaratit tënd ku manushaqet rriten sa t’i korrësh me drapër.

    Ti e pate shkruar këtë varg, që u bë i famshëm në ato vite dhe që ende e kujtojnë të gjithë si një gjetje të mrekullueshme. Ike prillërisht. E si mund të vdisje ti i brishti, i papërsëritshmi në poezi, fjala vjen në dhjetor? Ti poeti i rrallë, që Dritëroi ta pati quajtur poezinë qumësht vjeshte…

    Jam ende i tronditur. Shumë të tjerë po shkruajnë për miqësinë me ty. Po unë, unë nga t’ia nis? Unë që të kam njohur e jetuar me ty prej 40 e ca vjetësh. Si t’ia bëj të shpreh një jetë të tërë me ca rreshta të shkretë, kur kam mijra e mijra orë rinore të pagjuma, të lëna atje në Tepelenen tonë e më pas këtej nga na hodhi fati.

    Është krejt e kotë. Më duhet të të përcjell njëherë nesër për Andej me një grusht dhe, të mbledh veten e pastaj të shkruaj.

    Do të të shkruaj një letër tjetër vëllai im, pas asaj që të shkruajta para 30 e ca vjtetësh, duke përdorur Vjosën, që dy fshatrat tanë kishin në mes, si një postiere të vjetër. Një letër të gjatë malli dhe lotësh. Dhe, në se, edhe ajo nuk do të mjaftoj bëj durim e më prit edhe pak sa të bëhemi sërish bashkë, si atëhere, 20 e ca vjeçarë, duke folë deri në mundim për magjinë e fjalës e poezinë buzë vjosës.

    Janë mijra vende që dhembin sot aty në Tepelenën tonë, ku kemi ecur krah për krah…

    Vjosa me siguri ka sot aromën e shpirtit tënd kur kalon pranë shtëpive tona ku lindëm.

    Ajo ishte motra jonë e madhe kur ishim të vegjël. Pastaj e dashura e parë…

    Sot qan si nëna jonë humbjen tënde!

    Do të të shkruaj, Qazim!

    Bëj durim i tepelenti im.

    Hë për hë, lexoje sot edhe njëherë letrën time të parë që të pata nisur dikur nga fshati im në Qesarat dhe që ty të pëlqente aq shume, i miri im…

    O ATDHE I DASHUR, PSE KAQ MONOTON?!

    Letër Qazim Shemës, mësues në Qesarat

    Nën dritaren time kalon Vjosë e lodhur,

    Dal t'i them dy fjalë për ty, si letër,

    Ku bën kthesë në Qesarat tek izba jote,

    Le t'i bier me vrap postier-e vjetër.

    Dal e rri mes natës po s'gjej fjalë,

    Që të gjitha fjalët janë të lashta,

    Nuk e di se ç'drapër ua korri kallinjtë

    Ah, or mik, u mbetet vetëm kashta…

    Mbi pasqyrë të lumit hedh një kopje

    Të fytyrës sime - hartë dëshpërimi,

    Ti mos u tromaks tek shikon vetveten

    Ti mos u thuaj: o zot, u mbyt Qazimi….

    Si dy pika ujë na na ngjan krejt jeta,

    Nesër që të dy do spjegojmë përemrat,

    Një fabrikë i bën dërrasat ku do shkruajmë,

    Një turjelë i mbush me vrima zemrat.

    Bangat, lapsat, dhe vetminë e fshatit.

    Nga një breg në tjetrin Vjosa i kopjon,

    Ah, ç'po biem dëshmorë të Mërzisë

    O Atdhe i dashur, pse kaq monoton?!

    Turan, Tepelenë, hixhra 1328

    MIFTAR SPAHIJA

    TERRI ASHT DRITË! TERRI ASHT SHPËTIM!

    Fragment nga romani Arbanët e Curranët

    Jo, ori bi! N’mos ta thashtë zemra me shkue ku t’ape baba, mos shko! A ta kalojsh jetën gjithnja me dyshime, me frigë, me vujtje! Mos shko!

    Në fjalë nana dukej e droshtë; po a thue nuk e dinte se fjalën e mrame nuk e ka ajo, as bija? E dinte, e dinte, po s’çikti donte me e shfry avullin e ithtë të nijesive.

    Ishte ajo fryma kryengritse e njerzve qi e nijnë dhe e dijnë se nuk janë as të flipta, as të froshta me ba si të jau thotë koka e të jau nijë zemra.

    Nëpër terrin e natës, të dy gratë rrokateshin me gjetë nji fjollë drite qi duhej ta shpinte Hanën kah nji mot i lumë.

    Ahi-i-i, ajo fjollë drite frizëdhanëse, porsa bante me xixllue para syve të nanës e të bisë, shimej në terrin e sentisë! Porsa kujtojshin se jan tue pa at xixë drite edhe se të mektë, gazmeni kthehej në helm. E nijshin, e dijshin se marrin frymë nëpër kapzerr të Shan Curranit! E Shan Currani, për trimnimet e tyne, për kërcnimet, për kryengritjet me fjalë, s’çante kokën! Fryma e fuqija e tyne kalonte nëpër kapzerr të tij. Le të shkërputhen sa tu kanet!

    Nanë e bijë dridheshin si me pasë ethe. Vorbulli i zalginave jau kishte ulë vrullin e qinresës. N’at gjenje të tollovitme si ishin, than, ma mirë mos me menue kurgja; ma mirë me u vdjerrë në pavetdijen e gjumit!

    Veç në terr të pavetdijes, veç në terr të gjumsisë nëse do t’gjejshin flipi me andrrue! Poj, s’ka flipi, ku mos t’ketë fuqi. Çka të duhet dija, çka të duhet vetdija, kur t’mos kesh fuqi? Kur s’din, s’don; kur s’don, vunë. Të lumë qofshin ata qi janë në terr! Terri asht dritë! Terri asht shpëtim!

    Ashtu si ishin tue fsha e tue lotue; ashtu si ishin tue dënesë e tue vajtue; ashtu si ishin sollatë në vorbullën e zalgive, të dy gratë po i zen gjumi. Nanë e bi u rrasën në mretninë e pavetdijes, në mretninë e gjymësdekës, tue lovrue nëpër anrrat e avullta të territ. Poj , terri asht lumni; drita –vujtje. Drita shplon gjana të shëmtuta. Ma mirë mos me i pa; kur mos t’i shohsh, s’vunë. Në terr le të gjinet lumnija!

    Hej gjum i truem qi mgjumë vërzelet e njerzimit! Ti je si deti qi msheh gjithçka në gjinin tan; ti din me i mështjellë në pëlhurën tane vujtjet e dritës, ti din me i amëltue varrët e vujtjeve të njerzimit. Mshelnai sytë qi mos të shohim shëmtimet e dritës; mutonai veshët qi të mos nijmë fshamet e njerzve të vujtun! Sytë tonë janë lodhë tue pa lot e gjak. Veshët tonë janë çjerrë tue nije fshamë e vaj.

    O gjumë i truem! O vlla i dashtun! Le të merremi vesht ni çikës! Mos kujto se na duem të na i mshelish sytë se s’kemi hamat a derdhet a s’derdhet loti e gjaku i gjakut tonë? Mos kujto se na duem të na i mutojsh veshët se s’pytim a fshan kush a nuk fshanë! Jo, or vlla , jo! Po veç jemi lodhë to pa shëmtime e to nije ofshime. Ah, vlla! Gjithë shqipet, kudo qofshin, janë të ngathta edhese të duken kryenalta e ku rafsha mos u vrafsha!

    O gjumë i truem! O vlla i dashtun! Edhe nji tjetër lutje: A s’ban me i vu në gjumë edhe ata qi shkaktojnë lot e gjak? Ata qi thonë, të rrijmë syçelë, qi të mos na zanë shqipet në befasi? A s’ban? A kujton ti se ata s’duhet me prajtë? A s’e din ti se tue pi lot e gjak të pafajshëm, janë dejë si me pasë pi raki? A s’e din ti se i dejuni s’din çka ban? A s’duhet me i vu në gjumë? A s’e din ti, se aj qi dehet tue pi lot e gjak, kur t’nije fshamë kcen prej gzimi si kcen gjarpni prej fjaullimi? A s’e din ti se fshamët ja amëltojnë veshin? Ah, vlla, venin në gjumë edhe ata! Veni në gjumë! Gjithë njerzimi le të flejë! Gjithë njerzimi le të prajë!

    S’çikti – së pakti; e droshtë – e fortë; e fliptë – e lirë; flipi – liri; e froshtë – e zonja; frizëdhanëse – shpresëdhënëse; senti – realitet; zalgi – mërzi e madhe.

    LUAN RAMA

    CASARES DHE GRATË QË DONTE AQ SHUMË KAMY

    Kur

    Enjoying the preview?
    Page 1 of 1