Discover millions of ebooks, audiobooks, and so much more with a free trial

Only $11.99/month after trial. Cancel anytime.

illz: Revistë Letrare e Tiranës - Nr. 33
illz: Revistë Letrare e Tiranës - Nr. 33
illz: Revistë Letrare e Tiranës - Nr. 33
Ebook406 pages4 hours

illz: Revistë Letrare e Tiranës - Nr. 33

Rating: 0 out of 5 stars

()

Read preview

About this ebook

illz is a periodical of literature in the Albanian language. It is published every two months by Klubi i Poezisë, Tiranë. This is issue nr. 33.

illz është një revistë letrare periodike në gjuhën shqipe e botuar nga Klubi i Poezisë, Tiranë. Revista botohet çdo dy muaj. Ky është numri 33.

Autorët e publikimet të këtij vëllimi:

FAQET E REDAKSISË
Rexhep Shahu - 33 numra të revistës illz u botuan, shtet, ku je !?
Roland Gjoza - Kriza e librit shqip
Ardian Klosi - Martin Camaj përherë me ne

RETRO
Gaius Valerus Catullus – poezi - Le ta gëzojmë jeten. . . – Përktheu: Rudolf Marku
Safo - Një mollë e kuqe, e pjekun mirë – Përktheu: Rudolf Marku
Ovidi - Kënga e dytë – Përktheu: Rudolf Marku
Li Po - Gruaja e tregtarit të lumenjëve – letër – Përktheu: Rudolf Marku

STUDIO
Leonard Cohen - Përmasa e madhe e mirënjohjes – Përktheu: Artan Gjyzel Hasani

PERSONALITET
Islam Spahia - Dom Lec Sahatçia
Gabriele D’Annunzio - Shiu në pishnajë – Përktheu: Islam Spahia

IN MEMORIAM
Shaban Sinani - Sibilat e Bogdanit dhe Zanat e Orët e Fishtës
Stefan Çapaliku - Estetika e satiries fishtiane
Skënder Zogaj - Testamenti poetik i Havzi Nelës
Qazim Muska - “Hylli i Dritës” – revista me strukturë polivalente ku lartësohej shpirti i kombit

TË FTUAR
Adam Zagajevski –Majmunët erdhën në pushtet – poezi - Përktheu: Salajdin Salihu
Ilse Aichinger - Shpresa më e madhe (fragment) – Përktheu: Anna Kove
Gynter Gras – poezi – Përktheu: Remzi Salihu
Mihail Soare - Poemë për një dashuri si nuk është parë më – Përktheu: Oana Glasu
Guy De Maupassant – Frika – Përktheu: Iskra Thoma
Marin Sorescu – poezi – Përktheu: Ramadan Musliu
Tomaž Šalamun – poezi – Përktheu: Ramadan Musliu
Otilia Teposu - Regina - Përktheu: Oana Anca Mihaela Glasu
Ibrahim Hadžić – poezi – Përktheu: Ibrahim Rugova – Përgatiti Fahri Musliu

TË ZGJEDHUR

Bardhyl Londo – Pazari i librave – poezi
Lazer Stani - Fantazma e paraardhësit
Frederik Reshpja - Erdhi ora të vdes përsëri
Leon Lekaj - Andrra me qiej
Agim Mala – poezi
Shkelqim Çela – Shejza
Roland Gjoza - Nju Jorku nuk u projektua nga poetet
Aqif Hysa - Kohët e dashurisë
Donika Dabishevci - Lufta nuk e kishte emrin tim
Shaip Beqiri – poezi
Alfons Zeneli – I more me vete dhe statujat – poezi
Bislim Ahmetaj - Jorgoja I Tropojës
Ymer Nurka - Ku mund të isha këtë çast?!
Bajram Mjeku - Sinopsis para Betejës në Fushën e Mëllenjave
Eli Kanina - Nuk është e lehtë të matesh me qiellin
Ilir Magjistari - Si shpëtova nga qeni. . .
Arben Idrizi – poezi
Jaho Brahaj – Kola
Namik Dokle - Të bijtë e një mjegulle t’hirtë – poezi
Maxhun Osmanaj - Dy artet e jetës

PERSONALITETI
Abdulrazak Gurnah - Koha kur mbërrin te letërsia - Bashkëbisedim i Anupama Mohan dhe Sreya M. Datta me Abdulrazak Gurnah, fitues i Nobelit për letërsinë, 2021– Përktheu: Granit Zela

PLUS
Alma Basha - Ëndrrat kushtojnë shtrenjtë
Ymrije Beqiri - Mos u zemëro, kitara ime
Alma Zenellari - Si është të flasësh me ty...
Ajne Iberhysaj - Une jam grua
Neviana Shehi - Më mungon deti im
Gladiola Jorbus - Desha të jem e lumtur
Meri Bo - Një natë shiu
Enxhi Drapi - Përmbysje netësh

NË TAKIM ME SHKRIMIN
Milazim Krasniqi - Mrekullia poetike e poezisë “Kosovës” të Arshi Pipës
Afrim A. Rexhepi - Tregimi shqiptar në Maqedoninë e veriut
Yzedin Hima - Kur shqipëria është bërë lëmsh e lëmë, një njeri del nga mazgallat e saj dhe futet në histori -
Mark Simoni - Primo Shllaku dhe disidenca si ndërgjegje gjykimi
Durim Çaça - pasioni i fjalëve të shkrimit postmodern - Lexim i Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve - roman nga Bashkim Shehu
Luan Starova - Dëshmia romaneske për një dashuri shekspiriane - Per librin e Luan Ramës “Një dashuri e nëmur nga Maligradi” – Përktheu: Merita Abazi
Belfjore Qose & Manjola Brahaj - “Ri

LanguageGjuha shqipe
Release dateMar 23, 2022
ISBN9781005184353
illz: Revistë Letrare e Tiranës - Nr. 33
Author

Klubi i Poezisë

Illz is a periodical of literature in the Albanian language. It is published every two months by Klubi i Poezisë, Tiranë.

Read more from Klubi I Poezisë

Related to illz

Related ebooks

Related categories

Reviews for illz

Rating: 0 out of 5 stars
0 ratings

0 ratings0 reviews

What did you think?

Tap to rate

Review must be at least 10 words

    Book preview

    illz - Klubi i Poezisë

    33 NUMRA TË REVISTËS illz U BOTUAN, SHTET, KU JE !?

    U botua numri 33 i revistës illz, revistë letrare e Tiranës, tetor 2021

    Si botues dhe kryeredaktor i saj krenohem që arritëm të botojmë 33 numra reviste, 33 numra të illz që janë shumë e janë pak. Krenohem dhe nuk e fsheh gëzimin e krenarinë. Bile e shkruaj edhe pse mund të qortohem nga miqtë për mungesë përulësie. Por nuk i bëj dot ballë tundimit. Sepse e çmoj si një arritje të madhe për veten e grupin që bëjmë revistën, për miqtë, për shkrimtarët, për letërsinë shqipe, për kulturën kombëtare, për historinë e letërsisë, për shtetin dhe gjithë njerzit e republikës së letrave shqipe.

    33 numrat e revistës illz janë gjerdani më i bukur në qafën e letrave shqipe.

    33 numra reviste me rreth 8500 faqe B/5 me shkrim 11, ku për 64 muaj shkruan e përkthyen rreth 2500 autorë nga gjithë bota e gjithë kohërat letërsi të zgjedhur, janë pak e janë shumë, por është një punë shumë e madhe.

    33 numra të revistes illz, sa vitet e Krishtit. Për Krishtin që jetoi 33 vjet janë e vetmja jetë që pati ndonëse ai vazhdon të jetojë. Revista illz do të jetojë sa shkrimi.

    E ideuar dhe pagëzuar me këtë emër të bukur 5 vjet e gjysmë më parë nga miku im Izet Duraku që është drejtor i revistës, e sponsorizuar pa kushte, diktime e imponime nga miku im humanist deputeti Flamur Hoxha që e ndjen se një vend pa letërsi e arte është i shkretë, e mbështetur dhe kuruar nga figura të rëndësishme të letrave shqipe që u ulën në sofrën e bordit të saj, revista illz u bë qiell për shkrimtarë shqiptarë, ballkanas, europianë e botërorë të të gjitha kohërave edhe përmes përkthyesve të mrekulleshëm që na ndihmojnë, u bë bulevardi më elitar që ka aktualisht letersia shqipe, apo siç thotë miku i madh i revistës akademik Shaban Sinani Koleksioni i revistës illz është sot trashëgimi… dhe lexuesi e njeh si tribunë mendimi e krijimtarie për gjithë republikën e gjuhës shqipe. " Faleminderit për të gjithë kontribuesit e kësaj reviste, për shkrimtarët që sjellin shkrime, për përkthyesit që zgjedhin e përkthejnë për ne, për miqtë, lexuesit e të interesuarit që na përkrahin e nxisin.

    Në 33 numra të illz janë botuar e janë në radhë botimi pothuajse shkrimtarët më me emër pa përjashtuar askënd, ani se ende nuk është kompletuar konstelacioni i menduar prej nesh.

    S’kemi përfillë asnjëherë kritere ideologjike, nuk kemi shkrimtarë partie e shkrimtarë armiq, shkrimtarë të ndarë në breza të vjetër a të rinj. Për ne më i riu e më moderni është Homeri. Shkrimtarët e kanë parë revistën të hapur, lexuesit po ashtu. S’na ka shqetësuar pse shkrimtari është i bardhë a i zi, vjen nga burgu a liria, nga vendi a diaspora, nga Shqipëria a nga hapsirat e tjera shqiptare, nga gjuha standarte a dialektet, nga Ballkani a Europa etj.

    Jemi përpjekë me ikë si prej kolerës prej mediokërve e anonimëve të bujshëm, ndonëse ata kanë pushtetin edhe në planetin e letrave. Dhe do të përpiqemi.

    Po për shtetin shqiptar a janë, sa janë, çfarë janë 33 numra të një reviste letrare periodike dy mujore elitare me numër mesatar faqesh 240 e me dy numra antologjikë me nga 500 faqe për Skenderbeun e shkrimtarët martirë.

    Shteti, shteti si nuk e pa as nuk po e sheh revistën illz dhe dritën që bën ajo. Një revistë letrare që është e vetmja në gjuhën shqipe që gjithë numrat e së cilës gjenden në gjithë libraritë dixhitale në botë. Shtet, a je, ku je shtet?

    Është provuar se revista illz bën pa shtetin, i jep dinjitet gjuhës e letrave shqipe. Revista deri sot nuk krenohet me shtetin, por shteti, në mos sot, nesër e gjithmonë do të krenohet e do të mburret me këtë revistë illzish.

    Revista illz nuk është letra xhepi, revistë qokash, buzëqeshje ekranesh. Është e rendë për të hyrë ne zarfa, sirtare e nën tavolina zyrash. Koleksionin e saj nuk e ngrenë dot duar zyrtarësh, përfituesish projektesh, të zgjedhur e të begenisur ministrash a zyrtarësh partiakë e mediokër. S’e lexojnë as kuptojnë dot gjysmë a çerek të diturit që vendosin ta përçudnojnë dinjitetin e shtetit me autorët që zgjedhin e shpikin për shkrimtarë dhe i rekomandojnë për librin shkollor, për qoka shtetërore dhe për emancipim shoqëror, duke harruar si thotë Fishta se një liber i keq ashtë më i rrezikshëm e i më damshëm për shtetin se një kryengritje… Le të ndiçojë, le të na iluminojë shteti që drejtohet nga një njeri arti. Revista illz ka illzit e saj që bëjnë dritën e tyre. Shteti merr dritë prej saj, merr krenari e dinjitet dhe nuk kujtohet për këtë revistë yjesh të pangjashme, të pakrahasueshme me asgjë në përditshmërinë letrare të vendit. Ndjesë, por illz , revistë letrare e Tiranës bën diferencë në botimet shqipe. Dhe më shumë se sa ka nevojë revista illz për shtetin, është shteti ai që ka nevoje të madhe për revistën illz sot e mot, pasi revista illz tashmë është si Drini, nuk di të ndalet…

    Ne, që e bëjmë revistën illz, na mungon dora e lypjes për ta shtri. Nga krenaria për çfarë kemi bërë, liria, pavarësia e dinjiteti. Por shteti për ta zbardhë fytyrën e vet e për t’ia rritë mendjen vetes mendoj se duhet t’u ofrohet vetë me elegance e përulësi vlerave të tilla.

    Shteti nuk i sheh shkrimtarët edhe pse drejtohet nga një njeri arti që shquhet për fjalime nekrologjie për shkrimtarët e artistët, nuk e sheh revistën illz që tashmë është një histori e rrallë suksesi.

    Ne nuk kemi mbajtë kurrë qëndrime si revistë dhe ndoshta nuk kemi bërë mirë. Ndoshta duhet t’i ngjajmë më shumë kohës e të shqetësohemi më hapur për të ardhmen dhe fatin e shkrimtarëve pasi siç thotë shkrimtari Ethem Haxhiademi të cilin e mbytën në burg "Mprojtja mâ e madhe qi munt t’i bahet nji shkrimtari asht t’a çojnë mësuës asè sekretar në ndonji zyrë të vogël. Nga nji herë ngjanë qi e qisin jasht fare dhe nga kjo punë e thjeshtë dhe e lanë pa bukë në të katër rrugët.

    Po a munt të lulëzojë në këtë mënyrë literatura shqiptare?".

    33 numra të revistës illz dolën, janë te lexuesi, te biblioteka. Janë shumë dhe pak.

    Shpresoj t’ju shkruaj kështu për numrin 66 e 99.

    ROLAND GJOZA

    KRIZA E LIBRIT SHQIP

    Ka nje mbingopje, tha miku im, me sakte, ka nje mbingopje totale. Shiko librat qe dalin, pa lene kurrfare mbrese, shiko librarite e zbrazeta, vetem dy a tre rafte me libra shqip, ne ato pak librari qe ekzistojne. . shiko faqet e pakta kulturore te gazetave. . te duket se eshte krejt e parendesishme te flasesh shqip per librin shqip. Shiko kanalet televizive, shiko. . Sapo jam kthyer nga nje librari. Para dy muajsh botova romanin qe me mori dhjete vjet kohe, kohen time me te cmuar, kushtuar pothuaj krejtesisht librit, me nje kujtese te ngulmet per te, por plot me harresa te medha per gruan, prinderit, femijet, miqte. Kaq here perserita; ndjese, ndjese, pa marre kurrfare pergjigjeje. Hyj ne librari, e kerkoj, por nuk e gjej. Nuk jam aq i mete sa te mendoj se eshte shitur. Pyes nje nga vajzat qe sherbejne se ku ndodhet libri im. Ajo hap kompjuterin dhe e kerkon. Po, ai eshte ketu, thote ajo. Po ku, une nuk e shoh. Jane dhjete kopje, shton ajo. Ose jane shitur, ose. . prit te shoh evidencen. . Heshti per nje grime sikur te druhej prej nje fakti qe sikur s’donte te ma zbulonte, pastaj tha; Eshte ne magazine. Po pse nuk e nxirrni ne raft? Ngriti supet. Mund te pyesni menazherin. Nuk e di pse me erdhi turp. Ika.

    Tani po punoj me tregimet. Dhe provoj dilemen; te vazhdoj? Eshte e kote, me duket, te botosh sot. Aq shume libra dalin sa te kaplon nje ndjenje neverie, ne vend qe te gezohesh. Pse? Libri me kohe ka hyre ne zonen e erret te injorances. Shkruajne te gjithe. Ne vend qe te pakesohet ky pasion patologjik morbid, po shtohet. Shtepite botuese krahas nje profesionisti hedhin ne shtyp dhe nje pseudoliber, per shkak te parave. Kur i pyet, te pergjigjen; botojme ata me para qe t’iu botojme ju pa para. Po keshtu dhe me letersine bestseller. Po keshtu dhe me faqet roze te gazetave, me perkthimet. Numerohen me gishta shkrimtaret e mire shqiptare, po librat e tyre nuk shiten. Numerohen me gishta dramaturget, komedianet, po ata nuk shikohen se i mbyt bestselleri i huaj. Dhe librat kane emra te huaj, shkrimet e faqeve kulturore, dendur e me dendur, kane emra te huaj, madje kafenete dhe restorantet ku pime nje kafe apo drekojme, kane emra te huaj, aq sa te duket se je ne Nju Jork apo Paris.

    Te gjithe flasin, po askush nuk flet. Kush jane keta te gjithe? Pakica jone mjerane. Shkruajme per krizen, po nuk shkruajme asgje, sepse ne me kohe e kemi humbur terrenin. Ky paradoks fsheh ate qe askush nuk pyet per librin shqip, sikur ai te mos ekzistoje. Me mire pa libra, e c'duhen librat ne kete kohe te thate, ekzistenciale? Lexohet? Shume pak. E c'kerkojme ne atehere? pyes veten me deshperim. Po nuk me le krimbi i shkrimit te shkeputem nga ai kendi im klasik, ku kam kolltukun dhe dy batanije, njeren qe e hedh supeve, tjetren gjunjeve ( per shkak te kursimit ) ku kam kompjuterin dhe librat e fjaloret rremuje, aty-ketu. Perse qendroj ende? Perse s'me merr dhe mua rryma e suksesit ne nje fushe tjeter fitimprurese. ? Perse vuaj? Nuk e di. Vetem nje gje e di mire, se kur me vjen me trandje trullosese e grishje te forte ajo fryme qe e quajme rendom frymezim, arsyeja e zakonshme e nje njeriu te zakonshem me behet fir e me pushton nje ndjenje e pamposhtur per te shkruar. Perse shkruaj ne nje kohe te antishkrimit? Edhe kete nuk e di. Po i bindem gjithsesi absurdit; drejt e te kompjuteri dhe humb diku ne nje bote magjepsese. Kur permendem, njeriu i zakonshem, me ben te ndjehem me turp. Dhe ai gjithmone ka te drejte dhe une kerkoj falje, po s'marr asnje pergjigje. Dhe falja nuk pranohet me. Heren e fundit degjova gruan qe tha; vajza dhe djali kane nevoje per rroba dimri! C't'i thoja? Blija? Une nuk nxirrja me para. Une isha paraziti i shtepise, une, shkrimtari.

    Dhe ja c’me ndodhi nje dite; pashe nje mikun tim me nje grua te bukur. Hyme ne nje kafene te tre dhe atje une i thashe asaj se te dy ishim shkrimtare dhe a kishte lexuar ajo ndonje liber te mikut tim? Ajo cuditerisht u skuq, shpertheu papritur; Shkrimtar, ky? Sa per dijeni une nuk lexoj libra, nuk kam lexuar kurre libra. . po. . po ky me ka thene se merret me biznes. Une u hutova. Miku im me shkeli kemben nen tryeze dhe beri nje gjestikulacion sikur une te kisha bere nje mekat te madh. Kesaj c’i thua? Le qe eshte bere e natyrshme te mos shkruash dhe te botosh, sepse te thuash se je shkrimtar, i le tjetrit nje mbrese sikur nuk gezon nje emer te mire dhe nuk fiton para.

    Ka ardhur nje kohe tjeter. Nuk mund te botosh pa fituar para. Ose perndryshe mos shkruaj. Dikush do te me pyese me ironi; pse permend parate? Sepse ti nuk me lexon dhe nuk ble libra, ia kthej une. Paske mbetur me frymen e vjeter, ngulmon ai ne te veten, sot fiton ai qe ngjall interes. Pse te lexoj ty, kur une mund te lexoj Kafken, Oruellin, Borgesin. Ke ndonje kundershtim? Apo do te me mbushesh mendjen se gjoja keshtu humbet interesi per librin shqip. Po a jeton ne Shqiperi, gati sa nuk belbezova, sepse e ndieja qe nuk kisha ndonje argument te forte, nuk eshte per ty intrigues nje histori shqiptare, e shkruar bukur? Po, me intereson, u nxitua ai te me pergjigjet, aq sa une u gezova, se biseda po merrte papritur ate rrjedhe qe deshiroja, po me cfare lekesh ta blej librin e bukur shqip? Une vetem ne biblioteke mund ta siguroj librin, po ku jane bibliotekat? Fjale, fjale, o shkrimtar! S'pyet njeri per ju! Dhe ne e kemi humbur fare interesin per librin tuaj. Ku jeni, as ne tv, as ne gazeta, askund, vecse rralle, kur nderkaq jeni harruar. Me shume njihen emrat e krimineleve qe permenden pernate ne tv dhe nxihen perdite ne gazeta, se nje roman, bie fjala, qe boton Kadareja. E shikon, mik, se c'arsyetim? Nuk ka me kuptim. Tek mosha e trete qe vjen nga komunizmi mund te gjesh ende njelloj nostalgjie, po ata po shuhen dalengadale, atehere kush do te na e qaje hallin? Jane permbysur hierarkite; nje gazetar i mire i lidhur me qeverine, fiton shume, ka emer te madh, po ku ai e ku nje shkrimtar i mire. Flas per vlerat e mirefillta. E kush te kupton?

    Nje pronar televizioni me tha nje dite; Jo, telenovelat shqiptare nuk i duan, as filmin shqip, se e ka mbytur telenovela turke, po ti hajde dhe bej punen e korrektorit se kohet e fundit na ka ardhur nje urdherese nga qeveria per gabimet qe bejne gazetaret televizive me gjuhen shqipe. Ai i tha keto fjale qe mua m’u duken nenvleresuese, krejt natyrshem, sikur po me bente nje nder, sepse edhe ai i takonte shumices se njerezve qe kishin mendim te keq per shkrimtaret. Nje drejtor gazete me tha nje dite; Na perkthe ndonje artikull terheqes nga; The New Yorker. . Pagesa do te behet cdo fund muaji. . Dicka, sa per kafe.

    Sic te thashe, tani po merrem me tregimet. Ti shkruan shpejt, ndersa une i mbaj gjate neper duar. Edhe keto do te me hane nja tre vjet kohe, gjersa te harroj perfundimisht gruan, femijet, prinderit dhe. . veten. Jam jashte kohe. Ndoshta nuk jam fare. Dhe ndersa mendoj keshtu bie zilja e celularit; Do te kthehesh ne Amerike? Po. Rremo atje se mos me gjen ndonje roman surprize. Nga ai romani i fundit qe me perktheve; Burrat vijne nga Marsi, grate nga Venusi, arrita te shes

    20. 000 kopje. Na beri me ca para. Kurse ai tjetri qe ti ma mban si kryeveper, nuk po ecen fare. . nuk di si do t’ia bej. .

    Dhe tregimet e mia nuk m’i permendi fare. E ka tmerr librin shqip, se nuk i shitet. Edhe kur merr nje dore para nga emigrantet e shkrete, ua jep librat me vete; shitini atje, u thote, ngopjauni shokeve te kafenese, ose ndonje paralliu, se nuk kam vend ne magazine.

    Ndonje dite do t’i trokas ne dere atij pronarit te televizionit dhe do t’i kerkoj te bej punen e korrektorit te gjuhes shqipe. Edhe kjo nje pune fisnike eshte! E bej qe te rroj!

    ARDIAN KLOSI

    MARTIN CAMAJ PËRHERË ME NE

    Sot, shkrimtari dhe linguisti Martin Camaj do të kishte mbushur 85 vjeç. Në dy vjetët që do të kalonin deri sa vdiq, Camaj luajti një rol të jashtëzakonshëm në jetën tonë. Ai ishte shembulli i gjallë i qëndresës në fushën e kulturës.

    Botojmë sot për herë të parë bisedën në një talk-show të Televizionit Austriak, në Mars 1991 ku Camaj ndodhej përballë një ambasadori që mbronte vijën e PPSH-së.

    Sot, shkrimtari dhe linguisti Martin Camaj do të kishte mbushur 85 vjeç. Një moshë e zakonshme mund të thuash për malësorët e tij të Dukagjinit, sidomos për një njeri aq të përkorë si profesori i Mynihut. Por sëmundja e rëndë që i qe shfaqur që para se të mbushte të 65-at i rrëmbeu jetën më 12 mars 1992.

    Ai e dinte shumë mirë që do të vdiste, edhe kur jemi takuar për herë të parë në

    Innsbruck në shkurt të vitit 1990, mandej shumë herë e ka tematizuar vdekjen në poezinë e tij (Kur të vdes më mbështillni me tesha të leshta/sikurse ishte dokja ndër të parët e mi) ndërsa vitet e fundit ndërtoi me të një parabolë të tërë në formën e një cikli poetik, për mendimit tim nga më të mirët në gjithë veprën e tij: „Palimpsest".

    Takimin e parë me Camajn e kam përshkruar edhe në raste të tjera. Ai erdhi në

    Innsbruck me shpresën që një poete lokale e atyshme të lëmonte do përkthime të dobëta nga shqipja të poezive të tij.

    Unë isha duke mbyllur studimet e mia në atë qytet. Na e ndërmjetësoi takimin albanologu i Innsbrukut Hermann Oelberg, njeri që kishte mbledhur në bibliotekën e Institutit të tij shumë literaturë subversive për Shqipërinë e që kërkonte me të herë pas here të më thyente frikën.

    Subversive në pikëpamje letrare ishte vepra e Camajt, e plotë në vëllime të mëdhenj të bukur me ngjyra të thekshme nën motivet e Gjelosh Gjokajt, e vështirë për t'u depërtuar me skemat që kishim ne në kokë aso kohe lidhur me vlerat dhe hierarkitë në letërsinë shqipe. Por një herë që të kishte pushtuar magjia e gegnishtes dhe poezisë së tij, ajo nuk të lëshonte më.

    Misteri që fshihej në shumë nga ato poezi, abstragimi i tyre i lartë, të bënte t'i ktheheshe e riktheheshe si ndonjë gote magjike me verë që mbushet vetiu. Ishte një botë gjithë ngjyra që nuk pranonte emërtime të caktuara, si mëngjese të largëta fëminie ku gjithë sendet dhe njerëzit përreth kanë kuptim të thellë e të vërtetë.

    Vetë Camaj ishte tejet i përzemërt, me një mirësi të kultivuar, kur bashkohej malësori bujar me europianin erudit. Zëri ishte tejet melodioz, dukej nganjëherë sikur fliste me kantilenë, e nuk e di si këndonte por do çuditesha sikur të mos këndonte bukur me atë zë dhe nuancat e holla që shqiptonte. Sidomos gjermanishten e kishte të kulluar, fjalët të nyjëtuara saktë me një tingëllim Shkodre për të cilin më duket ishte krenar.

    Ashtu sikurse Bogdani erdhi në Shkodër për të lëmuar kosovarishten e vet (m'anshtë dashunë me djersë të mëdha shumë fjalë me ndërequnë ndë dhee të Shkodërsë) edhe Camaj kishte marrë tingëllimet më të bukura të qytetit të tij, ku pat zbritur dikur fëmijë nga Temali i Dukagjinit për t'u shkolluar në kolegjet e jezuitëve.

    Për çudi atë ditë të ftohtë dimri një numër fjalish në shqip i linte të pambaruara, kalonte prej një teme te tjetra, a thua se e nguste diçka ose pse e ndjente pamundësinë që në kohën e mbetur të kumtonte të gjitha sa donte (midis nesh 45 vjet mungesë komunikimi).

    Erika e shoqja, ndërhynte herë pas here për ta sjellë te tema për të cilën kishin ardhur. Unë në fillim, nën ndikimin e sa e sa romaneve si Armiqtë ose Mërgata e korbave e kushedi sa filmave të Kinostudios Shqipëria e Re, e ndjeja që kisha përballë armikun klasik (aq më shumë që Camaj shtatlartë kishte veshur një pardësy të çelët dhe e kishte ngritur jakën mbi qafë ngaqë në luginën e Innit frynte erë e fortë).

    Por tundimi për ta njohur ishte shumë më i madh se frika, e pastaj kur sheh se ky njeri merret me kulturë dhe poezi të rafinuar dhe jo me diversion, skemat e Kinostudios kthehen në libra për fëmijë të prapë.

    Në dy vjetët që do të kalonin deri sa vdiq, Camaj luajti një rol të jashtëzakonshëm në jetën tonë.

    Ai ishte shembulli i gjallë i qëndresës në fushën e kulturës, vijuesi i një tradite të pandërprerë në poezinë shqipe të variantit geg që megjithatë kishte hyrë në terrene të pashkelura më parë nga krejt poezia jonë, duke u afruar me motrat më avangarde në kontinent, pa e humbur karakterin e saj shqiptar, përkundrazi me rrënjë shumë të forta në mitologjinë dhe mënyrat shprehëse të Veriut. Camaj ishte shembulli i gjallë edhe i qëndresës në gjuhë.

    Ndërsa të tjerët luftonin me pamflete ose teorizime që nuk i dëgjonte njeri, ai e tregoi me vepra të shumta në poezi, në prozë ose dramaturgji se një traditë aq e gjatë letrare nuk mund të vdesë brenda një brezi, edhe pse për këtë qe vendosur më 1972, në kushtet e diktatit nga lart, prej shumicës së përfaqësuesve të asaj që ishte kultura zyrtare e kohës.

    Këtë qëndresë ai e zhvilloi edhe në shinat e dijes, me monografi e gramatika të ndryshme, sikurse në Albanian Grammar të tij ku e analizon gjuhën shqipe në tri koinetë kryesore të saj: gegënisht, toskërisht e arbëresh.

    Pak për t'u habitur sot, kur Camaj pranohet nga gjithë përfaqësuesit me peshë e me poste të gjuhë-letërsisë shqiptare, kjo anë e personalitetit të tij lihet në heshtje, madje Camaj ngrihet lart më fort nga të gjithë pikërisht prej atyre që nuk duan as t'i dëgjojnë termat gegënishte ose variant letrar geg.

    Camaj pati për ne një rol të veçantë edhe si frymëzues për njohjen dhe përhapjen e kulturës së panjohur ose deri më aty të ndaluar shqiptare në Shqipëri.

    Në qershor 1991 krijuam Lidhjen e shkrimtarëve e intelektualëve të pavarur Albania që e pati pikërisht këtë si synim kryesor të saj: në disa botime të atyre viteve si Shqipëria zgjim i dhimbshëm, Libertas, Quo vadis Shqipëri etj.

    Martin Camaj dhe Arshi Pipa ishin nga kontribuesit kryesorë. Pak ditë para se të vdiste i dërgoi me telefon lidhjes sonë këtë mesazh që u bë më pas i famshëm për fjalinë e tij të fundit:

    "Të dashun miq e vllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë popull shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve. Gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron.

    Bâtë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt. Martin Camaj. "

    Në ditët që pasuan rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë jemi takuar me Camajn në studion e Klub 2, një nga talk-show kryesorë të Televizionit Austriak. Ishin ftuar këtu gjithashtu historiani M. Schmidt-Neke, gazetaria Ch. von Kohl, ambasadori i atëhershëm i Shqipërisë në Vjenë, zëdhënësi i Partisë Demokratike Genc Pollo.

    Camaj u tregua edhe këtu i qetë e i matur, megjithë ndërhyrjet e vrazhda e provokuese të ambasadorit që mbronte natyrisht vijën e PPSH e që arriti deri aty sa t'i thoshte tërthorazi Camajt se i paskej duart e lara me gjakun e popullit.

    Apo ndoshta Camaj u tregua i përmbajtur se mendonte që mund të hakmerreshin ndaj familjes së tij në Temal, ndaj të vëllezërve Gjergj e Zef që jo pak kishin vuajtur qysh prej arratisjes së tij më 1948? Midis Camajt dhe ambasadorit botë kulture.

    Mjaft të vëreje gjermanishten e latuar me kantilenë Shkodre të profesorit dhe fjalitë e rrëmujshme të tjetrit për të bërë dallimin. Sidoqoftë nxora nga kaseta e emisionit të atëhershëm ato fragmente ku ka folur Martin Camaj dhe dialogun që është zhvilluar mes të dyve:

    Nga emisioni për Shqipërinë në Klub 2 të Televizionit Austriak, më 2 mars 1991: Moderatori: Cili është versioni juaj, zoti ambasador [për rrëzimin e monumentit]? Ambasadori: Unë përfaqësoj këtu si ambasador një shtet dhe një qeveri. Dëgjova këtu çfarë thanë dy zotërinjtë, zoti Klosi dhe zoti Pollo, për mua nuk është asgjë e re.

    Studentët ishin futur në grevë urie, kishin kërkesa të tjera të cilat pjesërisht u përmbushën. Duhet të theksoj se nuk ishin aty të gjithë studentët, nuk është nevoja të përgjithësohet kështu.

    Në grevë urie ishin rreth 700 studentë. Pastaj, thonë, se u bashkuan me ta edhe punëtorë. Por për mendimin tonë fjala nuk është thjesht për një ose dy monumente. Ekzistojnë forca në Shqipëri që duan të pengojnë zhvillimet demokratike, janë forca regresive, rebele, nëse mund të shprehem kështu, janë forca të errëta që provokuan direkt.

    Moderatori: Ju thatë forca

    Enjoying the preview?
    Page 1 of 1