Discover millions of ebooks, audiobooks, and so much more with a free trial

Only $11.99/month after trial. Cancel anytime.

RRUGËT E JETËS (Ribotim i plotësuar)
RRUGËT E JETËS (Ribotim i plotësuar)
RRUGËT E JETËS (Ribotim i plotësuar)
Ebook411 pages6 hours

RRUGËT E JETËS (Ribotim i plotësuar)

Rating: 0 out of 5 stars

()

Read preview

About this ebook

Serafin Kuke lindi në fshatin Borovë të Rrethit Kolonjë më 16 Mars 1933. Përjetoi masakrën e egër dhe mizore të djegies së Borovës në korrik 1943, nga ushtria hitleriane në të cilën mbetën të vrarë e të djegur 29 veta nga familja dhe farefisi i tij. Shkollën fillore dhe unike e kreu në fshat dhe Ersekë, kurse te mesmen dhe universiteti

LanguageGjuha shqipe
PublisherALSEKU
Release dateSep 9, 2013
ISBN9781087924021
RRUGËT E JETËS (Ribotim i plotësuar)

Related to RRUGËT E JETËS (Ribotim i plotësuar)

Related ebooks

Reviews for RRUGËT E JETËS (Ribotim i plotësuar)

Rating: 0 out of 5 stars
0 ratings

0 ratings0 reviews

What did you think?

Tap to rate

Review must be at least 10 words

    Book preview

    RRUGËT E JETËS (Ribotim i plotësuar) - SERAFIN KUKE

    CHAPTER ONE

    PARATHËNIE

    DEDIKIM

    Nuk mund të lë pa përmendur dhuratën që më ka dhënë bashkëshortja Jolanda në rritjen, edukimin, arsimimin, formimin moralo-kulturor e të dashurisë familjare e prindërore, për fëmijët tanë Vilma dhe Aldi, përpjekjet e të cilëve nuk kanë munguar, e nuk do të kenë të munguar për transmetimin e këtyre virtyteve e të tjera në një nivel edhe më të lartë tek fëmijët e tyre. Uroj për ta suksese në rrugët e jetës.

    Këtë libër, në këtë vit jubilar, ja dedikoj edhe 100 vjetorit të ditëlindjes të Mamasë Vangjeli.

    Nuk dua të përmend emra të tjerë por, më vjen mirë të theksoj se, me shokët më të cilët kam punuar kam patur mirëkuptim, më kanë qëndruar afër, më kanë mbështetur e ndihmuar në zbatimin e detyrave të rëndësishme që kam patur. I falenderoj të gjithë.

    I dashur lexues,

    Keni përpara jush një udhëtim nostalgjik në kohë me një diapazon që përfshin etapat e Luftës së Dytë Botërore, etapën e socializmit e të demokracisë. Është një shtegëtim emocionues, mbresëlënës e me plot peripeci të jetës së një djaloshi që përjetoi vdekjen e nënës në moshë të vogël, vrasjen, djegjen e të afërmëve dhe fshatit të tij Borovë dhe që ndonëse i vetëm por me vullnet të paepur arriti të ngjitë shkallët e aparatit drejtues shtetëror e të mbajë për 11 vjet detyrën e Zv Ministrit të Ndërtimit në kohën e socializmit.

    Ky rrëfim do t’ju hapë një dritare me një pamje të vecantë historike e tematike. Do t’ju ftojë të merrni pjesë në ngjarje të papritura prekëse, dhe të zbuloni një thesar të vërtetë eksperience jetësore që nuk mund ta merrni dot në bankat e shkollës. Aty do të ndesheni me vështirësitë e jetës dhe kapërximin e tyre, problematikën e organizim-drejtimit, të relacioneve delikate me vartësit dhe drejtues të lartë shtetërore, të intrigave, prapaskenave njerzore, të peshës së përgjegjësise. Në të njëjtën kohë do të gjeni dashurinë njerëzore, respektin, virtutin, thjeshtësinë e po ashtu frymëzimin në përshrkrimin e këndëshëm të natyrës dhe bukurisë së jetës në fshat, të traditave, kulturës dhe të vlerave familjare që mund të shërbejne si bosht mbështetës në udhëtimin e vështirë të rrugëve të jetës.

    Lexim të këndëshëm

    Të shkruash është atribut i njerëzve të ditur, sepse duhet të krijosh për të shkruar. E pa studiuar, pa lexuar e mësuar nuk shkruan dot. Këto, ata që shkruajnë, i fitojnë në jetë me punë dhe eksperiencë. Këtu është burimi i vlerave që na paraqit autori i këtij jetëshkrimi, njeriu fisnik, miku im Serafini.

    Veprimtaria e gjatë dhe e pasur në jetë i ka ofruar një arsenal të pasur vlerash profesionale, arsimore, kulturore, shoqërore, morale e qytetare, intime e familjare, të cilat janë gatuar me durim, me dashuri e pasion, sistematikisht deri sa arritën të krijojnë një karakter të fortë e të papërkulur, një personalitet kuadri profesionist, personalitet shoqëror të nderuar nga miq e shokë, një bashkëshort, prind e familjar i dashur, të ngrohtë, intim, gjithmonë të respektuar.

    Serafini, që i mitur, e fillon jetën pasi bën, si të thuash, një pagëzim të dyfishtë tragjik. Ai përjeton dhimbshëm masakrën tragjike çnjerëzore të fshatit të lindjes, Borovës, dhe largimin e nënës nga kjo jetë, duke ngelur jetim. Djaloshi i vogël është biri, shoku dhe ndihmësi i atit të vet. Përjetimet e fuqishme emocionale të moshës se fëmijërisë, vështirësitë, mundimet, puna dhe dashuria për shkollën dhe vëllain e vet më të vogël rezultojnë të jenë embrioni i ngjizjes së personalitetit të Serafinit. I theksova pak këto momentet e para të jetës së autorit sepse janë të veçanta, dramatike, mbresëlënëse dhe me domethënie të madhe.

    Serafini nuk është marr me shkrime librash a veprash të ndryshme, por e çmoj si të pashmangshme dhe të dobishme iniciativën për këtë libër. Kjo dëshmon se ai ka qenë mjaft i përgatitur, mjaft i kompletuar me njohuri nga shumë fusha të dijes. Ai na jep historikun e familjes e të fshatit të tij të lindjes. Përshkruan bukur peizazhin e Kolonjës. Tregon me saktësi kasaphanën e nazistëve gjermanë, momentet e dridhjes së zemrës kur ngelet pa nënë. Ai flet me adhurim për gjyshërit dhe gjyshet dhe po kështu për të gjithë bashkëfshatarët. E tëre jeta dhe veprimtaria - në politeknikum, në Cërrik, në shërbimin ushtarak në Korçë, emërimet në sektorin e ndërtimit me detyra të rëndësishme profesionale, teknike e të vështira shtetërore, tregohen thjesht e jepen çuditërisht shumë jetësore, reale, të besueshme. Janë dëshmi e kulturës së tij të kompletuar, si në një ditar të mbajtur me merak. Janë tipare prej kronikani.

    Në kujtimet e tij Serafini paraqet skena pa mbarim nga puna e përditshme. Është njeriu punonjës, të cilit i ngarkohen vetëm detyra, punë të vështira e me shumicë, në çdo kohë, pa e kursyer. Nga ana tjetër, ai i pranon e i merr përsipër i obliguar vetëm për t’i kryer, për t’u dhënë zgjidhje, për t’u kurorëzuar ndërtimi i veprave me sukses. Le të përmendim këtu shembjet e formacioneve argjilore te tuneli i Qafës së Thanës. Ishte problem shumë i vështire teknik dhe delikat për t’u kapërcyer, sa dhe vetë qeveria nuk dinte çfarë të bënte. Sensi praktik, ndjenja e përgjegjësisë dhe guximi bënë të mundur eliminimin e asaj avarie e cila, në të kundërt, zor se nuk do linte pasoja në jetën e vetë Serafinit. Me skena të tilla ai ndeshet që në fillimet e karrierës së tij, në Cërrik. Aty ai realizon një bashkëpunim të ngushtë me inxhinierin sovjetik dhe përfiton shumë. Janë momentet e jashtëzakonshme periudhat kur kishte fatkeqësi natyrore - tërmete, aksionet për zhbllokimin e rrugëve nga dimri, ndërtimi i kombinatit të sheqerit në Maliq e shumë e shumë skena, objekte e vepra të mëdha.

    Me mjaft mjeshtëri jepet linja e komunikimit të tij me njerëzit, shokët, kolegët, bashkëpunëtoret dhe eproret. Mjeshtërisht, pa u venë re jepet takti i komunikimit, i këmbimit të mendimeve. Ai ka qenë i duruar e i vëmendshëm, por edhe i qartë, i prerë e parimor në mbrojtjen e mendimit dhe ideve të tij në çdo rast. Jo pak herë ka patur konflikte dhe i ka kapërcyer me vendosmëri. Jo pak herë ka rrezikuar por ka rezistuar dhe është nderuar. Rrëfimi i çiltër dhe modest i tij na siguron se ai kurrë nuk ka abuzuar me detyrën, me funksionet, me kompetencat, me epërsitë e vendit të punës e detyrës.

    Në kronikën e jetës së vet, autori na jep një mozaik të admirueshëm të interesave të tij shumë të gjera kulturore, shkencore, artistike, letrare dhe muzikore. Ai jep mendime, mban qëndrimin e vet për shumë dukuri. U referohet veprave dhe autorëve të ndryshëm, personaliteteve të njohur të politikës, filozofisë, artit e letërsisë, dijes njerëzore në tërësi. Faqet e fundit të librit këto i dëshmojnë me shumicë.

    Arritja më madhore e mikut tonë Serafinit në luftën e jetës është familja e tij e lumtur që ndriçon te fëmijët e tij, vajza dhe djali: të begatë në shpirt, në ndjenjat njerëzore, të arsimuar e të kulturuar siç ka dëshiruar ati i tyre. Shkrimi i këtij libri u rrit nderin e u shton krenarinë. E meritojnë.

    Edhe miqtë e shokët do të ndjehen krenare, të lumtur e të frymëzuar duke patur në duar e duke lexuar këtë libër jetëshkrim të mikut të tyre. I uroj sukses këtij libri, shëndet e jetë të gjatë autorit. Është në prag të tetëdhjetë vjetorit të lindjes. Ta presë e ta kremtojë i lumtur.

    Ligor Prifti

    CHAPTER TWO

    BOROVA

    Borova është vendosur në mbylljen jugore të pllajës së Kolonjës, 5 km në Jug të qytetit Ersekë, në kryqëzimin e rrugëve të lashta që përshkojnë këtë krahinë. Kjo pllajë njihet si më e madhja në vendin tonë. Pjesa më e madhe e saj është e sheshtë, por ka edhe kodra e male. Vetë pllaja arrin lartësinë 1100 metra. Mali më i madh në Lindje të saj është Gramozi, që ka një lartësi mbi 2500m. Edhe malet e tjera përqark pllajës, nuk janë shumë më të ulët se ky. Pjesa e sheshtë e pllajës përbëhet nga toka me prodhueshmëri të ulët. Malet janë me pyje, por ka edhe vende të zhveshura, ose me shkurre, por të pasura me burime ujore e kullota. Klima është tipike malore. Ajri shumë i pastër. Kullotat mund të shfrytëzohen vetëm gjatë muajve të verës, po kështu dhe pyjet. Banorët shquhen si punëtorë të mirë, me karakter të fortë, përparimtarë e patriotë.

    Klima është me dimra të ashpër e të gjatë dhe behare të freskët, por të shkurtër e pa reshje. Toka fillon të mbulohet me dëborë nga muaji nëntor deri në fund të prillit. Bujkut kolonjar, duke shtuar dhe kohën për kullimin e arave nga lagështia e dimrit, nuk i mbetej më shumë se 10-15 ditë për të mbjellë misrin. Po të mbillej më vonë, rrezikohej pjekuria. Edhe për mbjelljen e grurit, thekrës etj. në shtator nuk mbetej më shumë se 10-15 ditë, mbasi në këtë muaj fillonin shirat dhe do të prisje kullimin e tokave, para se të bëhej mbjellja. Këto kushte natyrore nuk e ndihmonin shtimin e blegtorisë, sepse, ndërsa vendi ishte i pasur me kullota, bagëtia duhej mbajtur në regjim stallor për më shumë se gjysmën e vitit. Megjithatë, fshatarët edhe arat i mbillnin, edhe bagëtinë e mbanin.

    Kam lindur më 16 Mars 1933, në fshatin Borovë të rrethit Kolonjë, nga prindërit Vangjeli e Stefan Kuke. Të dy prindërit rridhnin nga familje të vjetra autoktone borovare. Në kujtesën time, edhe pse i vogël në moshë, ruhet goreni (tufani) dhe cikna. Tufani ishte një stuhi e dendur dëbore, e shoqëruar me erë, që lëvizte në mënyrë rrethore, e cila jo vetëm të bllokonte shikimin, por të merrte edhe frymën. Kanë ndodhur edhe raste vdekjesh. Kolonjarët e dinin rrezikun e tufanit dhe, duke qenë se nuk vinte papritmas, merrnin masa 3-4 orë më parë, sapo nga mali i Gramozit fillonte të vinte oshtima e madhe. Banorët shpejtonin kthimin në shtëpi, përgatiteshin duke mbushur ujë, afronin drutë e zjarrit, zahirenë, bagëtinë e mbyllnin brenda.

    Cikna nuk ishte kaq e rrezikshme, por mund ta pësoje prej saj. Ajo karakterizohej nga një rënie e madhe e temperaturës, pas rënies së borës. Kur dilnim jashtë shtëpisë, kokën duhej ta mbështillnim mirë. Bënim kujdes të mos i preknim hundën dhe veshët, se mund të kishin ngrirë dhe po t’i prekje mund ta pësoje.

    Por kujtoj dhe bukuritë e dimrit. Peizazhi dimëror me hapësirën e mbuluar me dëborë ngjante shumë bukur. Kur kishte dhe diell, bukuria bëhej më e shkëlqyeshme dhe zbavitëse. Fëmijët, por edhe më të rriturit, dilnin e loznin më topa bore, ose rrëshqisnin mbi dëborë e akull, bënin njerëz prej bore etj. ngrinin leqe për të kapur shpendë, lepuj etj. Pas dimrit vinte pranvera dhe natyra të kënaqte me bukuritë e saj. Pastrimi i degëve të pemëve nga bora, gjelbërimi dhe lulëzimi i tyre e shtonin kënaqësinë. Dimri linte pas një ajër shumë të pastër, sa nuk ngopeshe duke e thithur. Por edhe dëgjimi i blegërimave të qengjave, shqerrave, cicërima e zogjve ta shtonin shumë gëzimin. Pranvera ia linte vendin një vere të freskët e të begatë dhe punës kudo e nga të gjithë banorët e fshatit.

    Për fëmijët kishte lodra për çdo stinë. Kur na thoshin prindërit, se duhej të shkonim në plevicë për të marr kashtë, këtë punë e bënim me qejf. Nga trarët e tavanit të plevicës, lëshoheshim mbi kashtë. Aty gjenim të arrira frutat e egra, si mollë, gorrica, etj.,te vendosura qysh në vjeshtë, të cilat ishin pjekur e ëmbëlsuar gjatë kohës jo të shkurtër, që kishin qëndruar në kashtë. Kënaqësi të jepnin qengjat, kecërit, të cilët, kur i ndiqnim, vraponin e bënin kërcime shumë të bukura. Natën kishte dhe xixëllonja dhe ne rendnim pas tyre për t’i kapur. Edhe fjetja natën në lëmë, për të ruajtur grurin e shirë dhe duajt e grurit, elbit, thekrës e tërshërës etj. ishte e këndshme; para gjumit shikonim qiellin me shumë yje, xixëllimin e tyre dhe mendja fantazonte në këtë hapësirë të pafund.

    * * *

    Gjyshi Serafin (shqiptar-amerikan), që në rini kaloi një jetë të vështirë ekonomike, emigroi në Amerikë në vitin 1906 dhe u kthye në vitin 1924. Më ka treguar dy pasaporta amerikane me një krenari të ligjshme. Në Amerikë ka punuar në profesione të ndryshme: në ndërtimin e hekurudhave Lindje-Perëndim dhe, më vonë, në një fabrikë këpucësh në Saint-Louis. Gjatë qëndrimit në Amerikë, ka ardhur disa herë në Borovë, për të ndjekur mbarësinë e familjes. Unë kam mësuar shumë nga tregimet e tij në emigracion, nga veprimtaria e tij praktike në punë e familje, por edhe të disa fjalëve të para në gjuhën angleze.

    Me të hollat që pruri gjyshi nga Amerika, gjendja ekonomike e familjes filloi të përmirësohej. Në Borovë u ndërtua shtëpia me dy kate, me tre dhoma në katin e dytë, njëra me komunikim të brendshëm me njërën dhomë dhe tjetra e madhe, me sallon midis tyre. Në katin e parë kishim dhomën e ndenjes me oxhak, me sobalka (musendra) të mëdha, gjatë gjithë faqes së murit. Kjo dhomë përdorej shumë gjatë stinës së dimrit. Në hyrje të shtëpisë ishte salloni i madh, shkalla për t’u ngjitur në katin e dytë dhe nënshkalla. Sallonin e përdornim si vend për të ngrënë bukë. Në sallon ishte ndërtuar një tryezë buke me dy këmbëza të varura në mur, të cilën e ulnim kur hanim bukë dhe e ngrinim mbas të ngrënit. Kur kjo ngrihej njësh me faqen e murit, formonin një dekoracion si mobilie, që nuk të linte përshtypjen e tryezës dhe poshtë saj vendoseshin dy karrige. Si magazinë për të gjitha llojet e ushqimeve përdornim nënshkallën. Këtu kishim vendosur kade druri të mëdha për lakër arme, me rubinet në fund të kades, për të marrë në çdo kohë lëngun e saj shumë të mirë. Vendosnim gjithashtu qypa qeramike për djathë, gjizë, turshi të të gjitha llojeve, të thjeshta apo me gjizë, kishim dhe vende të përshtatshme për pastërma, kole etj. Me rrushin e vreshtit e të hardhive bënim raki dhe verë.

    Serafin Kuke (gjyshi)

    Një pjesë e godinës, në katin e parë, përdorej për strehimin e lopës, kaut dhe pelës. Për delet e dhitë ishin ndërtuar ambiente të tjera shtesë ngjitur me atë të kafshëve. Çdo shqetësim që kishin kafshët natën, dëgjohej prej prindërve dhe me shpejtësi shkohej për ndihmë. Hyrja dhe dalja e kafshëve dhe e bagëtive në ambientet e strehimit të tyre, bëhej nga një derë e jashtme e dytë. Ato kishin edhe ambient të veçantë për ngrënie, ushqim e çlodhje brenda territorit të shtëpisë. Para shtëpisë, kishim ngrehina të tjera njëkatëshe për shumë shërbime, si kuzhina verore, furra e bukës, ambiente për ruajtjen e miellit e drithërave për vete dhe të tjera për kafshët, farërat për mbjellje, veglat e punës, drutë e zjarrit, kotecet e pulave e të derrit etj. Në të dy anët e godinës, kishim bahçe me pemë frutore e hardhi. Bahçja lindore, që ishte dhe më e lartësuar, mbahej mirë. Kjo shërbente dhe si pikë çlodhje dhe shikimi. Bahçja perëndimore shfrytëzohej si vend ndenje në natyrë për kafshët e bagëtinë. Muret e avllisë, që rrethonin bahçet, zbukuroheshin me trëndafila shumëngjyrëshe.

    Muratura e godinës ishte ndërtuar me gurë të përpunuar, me breza hekuri kundër tërmetit e tufanit, ndërsa çatia ishte e mbuluar me rrasa guri të sheshta. Dyshemetë dhe shkallët e brendshme me dërrasa, parapetet e shkallëve me dru dekorativ, tavanet me dërrasa të zbukuruara me korniza, kurse dritaret ishin të mira prej druri dhe me hekura. Dyert e shtëpisë dhe të oborrit prej druri të përpunuara bukur, me lloz nga brenda dhe me sofate guri në të dy anët e dyerve, mbi të cilat vendoseshin shtresa druri dhe jastëk sipër.

    Në fshat kishim rreth 3 ha tokë bujqësore, po kaq edhe në fshatin Qafzes, në parcela të shkëputura. Në Borovë, në afërsi të lumit, kishim një tokë që e përdornim për prodhim zarzavatesh dhe pjesën e sipërme të saj për vreshta. Gjithashtu kishim plevicën për vendosjen e kashtës, barit etj. për kafshët e bagëtinë për stinën e dimrit dhe lëmin për të shirë të lashtat (grurin, thekrën etj.). Në vazhdimin verior të lëmit, kishim dy lëndina të vogla njëra në nivelin e lëmit dhe tjetra pak më e lartësuar, që shërbenin për kullotjen e kafshëve e bagëtisë për kohën para e mbas pjelljes së tyre, si dhe për vendosjen e mullarëve të barit e kashtës, kur nuk i nxinte plevica. Vënia e mullarëve kishte teknikë, por gjyshi i bënte me kujdes që të mos dëmtoheshin nga shiu dhe bora. Në Ersekë kishim një godinë, e cila në katin e dytë kishte tre dhoma banimi, ndërsa në katin e parë një dhomë banimi, një shërbimi dhe dyqanin. Shtëpia kishte dhe oborr nga mbrapa dhe pak tokë bujqësore mbas murit rrethues të shtëpisë.

    * * *

    Kujdes tregohej edhe për mobilimin e shtëpive. Në dhomat e gjumit përdoreshin shtretër dopio e teke. Në dhomën në katin e parë kishte shtrat dopio për gjyshin e gjyshen dhe minder pranë sobës, ku rrinim, apo shtriheshim ne për t’u ngrohur në dimër. Dritaret e shtëpisë kishin korniza dekorative, që mbanin perde shumë të bukura të qëndisura me grep. Dhomat e fjetjes dhe ajo e madhja ishin shtruar me qilim. Dhoma e madhe kishte mindere, tavolina dhe karrige të mbuluara me shtroje të bukura prej leshi. Amvisat futeshin në garë me njëra-tjetrën, kush do t’i zbukuronte më mirë mbulesat për fjetje, si çarçafët dhe jastëkët e fjetjes të qëndisura, kuvertat, velenxat me thekë, pa thekë, të thjeshta dhe me lule, me vija dhe ngjyra të ndryshme prej leshi. Shtëpitë kishin dhe objekte mobilimi, si bufe, ku vendoseshin sende zbukurimi dhe shërbimi për raste pritjesh e të tjera. Në dhomën e fjetjes, edhe pse i vogël, mamaja më vendoste në shtrat për të fjetur, por kishte dhe raste kur më vinte në gjumë, më këndonte këngë djepi për fëmijë Ninulla dhe më uronte natën e mirë. Erdhi rasti në këtë libër të përdor fjalën e harruar mama, e cila kujdesej shumë për ne të dy.

    Gjyshi (Serafini) ishte shumë punëtor, nikoqir dhe kërkonte zbatimin e rregullave si në punë, ashtu dhe në familje. Mua më ka aktivizuar në punimet ndihmëse të bujqësisë, si mbjellje misri, prashitje, ujitje dhe transportim me kafshë të dengjeve të grurit e misrit nga arat në lëmë. Në dimër, kafshët i nxirrnim për ajrim në bahçen e tyre në anën perëndimore të shtëpisë. Shpesh kafshët e trasha: pelën, lopën e kaun i çonim për të pirë ujë. Kishte raste kur ujët e lumit në sipërfaqe kishte ngrirë, duhet ta thyeje akullin, për të pirë ujë kafshët.

    Kur kalonte dimri, kontrolloheshin të gjitha këpucët, ato që ishin të dëmtuara hidheshin, ndërsa ato që kishin nevojë për riparim, futeshim në torbë dhe, së bashku me gjyshin, shkonim me pelën në Ersekë për t’ia lënë për riparim këpucarit. Mbas një jave vinim i merrnim të riparuara etj. Rrugës, duke shkuar për në Ersekë, shikoja punëtorë të ulur në trotuarin e rrugës duke thyer gurë me çekiç në largësi nga njëri-tjetri. Pyeta gjyshin se përse po i thyenin gurët punëtorët? Ai më tha: Aty ku rruga është dëmtuar dhe me gropa, makinat e mirëmbajtjes së rrugëve sjellin gurë në këto vende. Punëtorët që kanë në kujdestari atë pjesë rruge, i thyejnë gurët me përmasa të caktuara (e bëjnë çakëll), për të mbushur me kujdes gropat. Kjo punë është shumë primitive dhe e kushtueshme. Në Amerikë e gjetkë prodhimin e çakllit e bëjnë me makineri.

    * * *

    Borovarët kishin cilësi të larta në punimet bujqësore e veçanërisht në blegtori. Gjyshi nuk të mësonte duke të folur, por të nxiste duke të thënë: Më ndihmo të bëjmë këtë, apo atë në shtëpi, në përkujdesjen e bagëtisë, apo në punët e bujqësisë! Gjyshi ngiste pendën e qeve, kur mbillnim misër dhe gjyshja, mbas tij, hidhte farën. Gjyshi më tha: E shikon gjyshen duke mbjellë misër, mendoj që këtë punë mund ta bësh ti, dhe gjyshen ta lemë të shkojë në shtëpi të na bëjë drekën, apo punë të tjera që ka shtëpia. I thashë gjysh e bëj. E po atëherë po fillojmë! Unë do të filloj të plugoj, ti mbas meje do të hedhësh farën, siç të mësoi gjyshja. Ajo do të shikojë e do të ndihmojë të hedhësh mirë farën e misrit. Nëse ti e bën mirë, do të vazhdosh me mua të mbjellim arën me misër dhe gjyshen ta lemë të shkojë në shtëpi. Megjithëse i vogël, këto punë me gjyshin i bëja mirë.

    Këtë edukatë në punë e në familje që na e jepte gjyshi, na e ka vazhduar edhe babai që kishte mësuar më parë nga gjyshi. Ishte kënaqësi të shikoje babanë, kur korrte arën me grurë. Lidhte një shami në kokë e korrte grurin si një autokombajnë dhe, mbas 50 minutash punë, bënte 10 minuta pushim. Këtë rregull e përsëriste deri në përfundim të korrjes së arës. Babai, arën në Kovaçaj, që ishte më e madhja dhe me prodhimtari më të mirë, e korrte brenda ditës, kur të tjerët e bënin për dy-tri ditë. Po kështu punonte dhe për vjeljen e misrit. Ai shkëputej për një javë nga puna e tij dhe vinte në fshat për të ndihmuar. Babai m’i ngarkonte me kujdes dengjet e grurit mbi pelë, që të mos më binin rrugës, për t’i çuar në lëmë pranë plevicës dhe për t’i shirë. Gjithashtu më këshillonte, se si duhej të sillesha e të drejtoja pelën me e pa ngarkesë. Edhe pela, - më thoshte, - ka intuitën e saj, të kupton e di të reagojë për keq, ose për mirë si përgjigje ndaj sjelljes e veprimit tënd me të, prandaj ki kujdes! Babai vazhdoi më tej: A të kujtohet, që kur ti u solle keq me pelën, ajo të kafshoi në krahun e djathtë të dorës?... Por edhe Thomaj, kur u soll keq me të, ajo e ndoqi dhe e rrëzoi përtokë me dy këmbët e para që ja vuri mbi kurriz?.. Ne u shqetësuam shumë dhe ndërhymë menjëherë për të qetësuar pelën, por ju ishit shumë më të trembur e të shqetësuar nga veprimi i saj. Kujdes duhet të tregoni dhe për cjapin e dashin: Kur lozni me ta, por edhe kur ushqehen në koritë me krunde, se të godasin fort me brirët që kanë në kokë. Ishte kjo edukatë pune, që na ngulitën mua dhe Thomait jo vetëm me punët bujqësore dhe blegtorale, sa qemë në fshat, por ajo na shoqëroi gjatë tërë jetës sonë. Sot ndiej kënaqësi, se këtë edukatë pune e kanë fituar dhe fëmijët e mi: Vilma dhe Aldi.

    Më kujtohet një rast, kur gjyshi Serafin ftoi për darkë miq e shokë në shtëpi, në dhomën e madhe në katin e dytë. Dhoma u mbush plot me njerëz. Gjyshi hapi gostinë, falënderoi miqtë për ardhjen e tyre dhe porositi: Hani e pini dhe bëni qejf sa të doni, por gostinë mos ma prishni. Në qoftë se ndokush nuk do të jetë korrekt, do ta nxjerr jashtë, askujt nuk duhet t’i mbetet qejfi!. Darka kaloi shumë mirë, me të ngrëna e të pira, me muhabete, me këngë popullore e patriotike, por, kur njëri nga të ftuarit e shkeli rregullin, gjyshi e nxori jashtë.

    * * *

    Gjyshi, kur u kthye nga Amerika, erdhi bashkë me një shokun e tij, Hajredin Caci, që e kishte shtëpinë në Taçin e Poshtëm, midis Borovës dhe Ersekës (Evrenezas). Bashkë me gjyshin kemi bërë vizita në shtëpinë e tyre, por edhe ai na ka bërë vizita në shtëpinë tonë në Borovë. Bisedat ishin shumë të këndshme dhe interesante, veçanërisht për ngjarjet që tregonin nga Amerika. Kishte edhe raste kur ata bisedonin në gjuhën angleze me njëri-tjetrin. Me këtë familje e kemi vazhduar miqësinë me fëmijët e tij. Djali i madh i tij, Aliu, na thotë: Jemi vëllezër pa pjesë.

    Me raste, gjyshi më fliste dhe për jetën shoqërore që bënte në qytetin e Saint-Louis-it. Në atë qytet, kishte mjaft emigrantë shqiptarë, ndërmjet tyre dhe nga Borova: Tota, Marko, Vangjel; Mina, Dhimitër e Niko Martini (Nase); Loni, Papathanasi, Raspopi e të tjerë. Disa nga fëmijët e tyre, si Vangjel Marko, Petraq Papathanasi, Jorgo Stefi e të tjerë, e morën shpejt nënshtetësinë amerikane dhe sot jetojnë familjarisht në Saint-Louis dhe New York. Emigrantët shqiptarë ishin të organizuar në koloni, e cila kryente dhe veprime në interes të bashkatdhetarëve. Gjyshi me ta kishte shoqëri shumë të mirë, ishin të lidhur, të dashur, të respektueshëm dhe i gjendeshin njëri-tjetrit në nevojë. Ata shkëmbenin dhe informacione reciproke për punën në Amerikë, për gjendjen e familjeve të tyre, si dhe për problemet në Shqipëri. Ndër pjesëmarrësit kishte dhe njerëz të përgatitur, por i veçantë ka qenë borovaliu, Vasil Marko, i edukuar me ndjenja patriotike, i cili u përfshi në lëvizjen që po niste të intensifikohej në gjirin e emigracionit shqiptar në SHBA në mbështetje të atdheut. Vasili shquhej për gojëtarinë e tij, për forcën e logjikës dhe pasionin për të cilin propagandonte dhe për ndihmesa të tjera të anëtarëve të kolonisë. Emigrantët që vinin përkohësisht pranë familjes, apo të kthyer në fshat, i kishin dhënë imazh tjetër jetës në fshat.

    Disa këshilla të gjyshit Serafin: Për çdo veprim apo kundërveprim në shoqëri numëro deri në 10 e pastaj vepro. I duruar, i fituar! Nuk duhet ngacmuar zjarri, se të djeg! Lumi një herë bie kërcunj, lum kush i kap! Të humbasësh kohë, do të thotë të humbasësh çdo gjë! e të tjera.

    Gjyshja Sofi dhe babai Stefan Kuke para shtëpisë në Borovë

    Gjyshi tregonte kujdes të veçantë për mua, sepse mbaja dhe emrin e tij. Shpesh më merrte në krevatin e tij e flinim bashkë. Më fliste dhe më tregonte shumë ngjarje interesante nga puna e tij në Amerikë. Puna në Amerikë, - më thoshte, - është punë. Kishte raste dhe me orare të zgjatura, por edhe shpërblimi në dollarë ishte i mirë. Në punë kishte rregull, disiplinë e shfrytëzim të mirë të kohës së punës. Fjalët e para në gjuhë të huaj m’i ka mësuar gjyshi. Kujtoj dhe shprehjen e tij në anglisht: The time is Gold. Gjyshja Sofi më tregonte, se dasmë e madhe u bë kur linda unë dhe mora emrin Serafin, emrin e gjyshit, dhe jo kur u martua babai im. Thomaj bëhej xheloz dhe për ta qetësuar kujdesej gjyshja.

    * * *

    Në fshat ishte bërë zakon, që vajzat para martesës përgatisnin pajën. Ato, së bashku me nënat e tyre, bënin qëndisma dekorative për mbulim tryezash, komosh, komodinash, bufesh, karrigesh, madje bënin dekorative edhe për dritare. Çdo shtëpi kishte avlëmend për bërjen e kuvertave, qilimave e të tjera sende të nevojshme, që duheshin për pajë. Gratë, sidomos vajzat, veshjen e tyre e përgatisnin me punime leshi, apo pambuku, të qëndisura, apo të qepura në makinat qepëse në garë të heshtur me njëra-tjetrën, si rrjedhojë shfaqeshin në veshje e në fizionomi të kulturuara.

    Dasmat në fshat bëheshin të bukura, nusen mundoheshin ta zbukuronin sa më shumë, përgatitjet dhe muzika vazhdonte me ditë. Fëmijët e sapolindur i pagëzonin në kishë, aty shpallej emri dhe ne, të vegjlit, shkonim me të katra te shtëpia e tij për të marrë bakshishin. Në fshat, përgjithësisht emrat e gjyshërve e të gjysheve kalonin tek nipat e mbesat e tyre.

    Amvisat borovare ishin shumë të kujdesshme në para-përgatitjen e ushqimeve për dimër. Përveç turshive, ato përgatitnin me shumë kujdes trahanin e thartë, të ëmbël dhe petka. Këto të fundit zëvendësonin makaronat. Si yndyrë kryesore përdorej gjalpi. Çdo shtëpi kishte tundës për të nxjerrë gjalpë dhe dhallë. Petkat me gjalpë bëheshin shumë të shijshme. Trahanin e thartë e përgatisnin me dhe pa cingaridhe, deri dhe me të tjera përzierje ushqimore. Trahanin e thartë e përdornim në mëngjes.

    Vangjeli dhe Stefan Kuke (prindërit e mi)

    Trahanin e ëmbël e gatuanin shumë mirë për mëngjes ose drekë.

    Çdo familje mbante nga një derr. Para therjes së tij, e mbanim në kotec për gati një muaj dhe e ushqenim mirë për të shtuar në peshë. Kishte raste, kur pesha e derrit shkonte deri 70 kilogram. Dhjamin e derrit e tretnim dhe e bënim sallo, që, përveç si yndyrë në gjellë, përdorej edhe për të lyer bukën. Pastërmatë bëheshin me mishin e bagëtive të moshuara dhe me pjesët e brendshme të tyre mbusheshin zorrët për t’i bërë kolen. Shpesh pastërmanë e përdornim jo vetëm në gjellë, por dhe me kolen i piqnim në zjarr.

    Çdo shtëpi kishte saç për pjekjen e byrekut. Pjekja e byrekut me saç i jepte një shije të mirë. Një herë në javë piqnim bukën në furrat e shtëpisë. Bukën kryesisht e bënim prej gruri, por ndodhte që ta bënim të përzier edhe me misër. Bukën e mbështillnim me velenxë prej leshi të bëra enkas, të cilat e mbanin mirë për gati një javë.

    Fshatarët e mbillnin fasulen bashkë me misrin, që u mbështillej kallinjve të tij. Fasulen e përdornim për gjellë, ndërsa të njomë e gatuanim si bishtajë. Në fshat mbillnin edhe thekër, elb, qiqra, presh dhe lakra, që i përdornim për verë dhe dimër. Preshin e vendosnim jashtë me kokë të futur në tokë, e zinte dhe bora dhe nuk prishej për një kohë të gjatë. Me raste kur mbaronte kafeja, përdornim elbin në vend të saj.

    Ne, të vegjlit, para se të hanim drekë, shkonim e mbushnim ujë tek burimi në Skërkë, që ishte më i miri. Kur uleshim për të ngrënë drekë, nuk mund të filloje të haje pa u ulur të gjithë, do të bëhej lutja e pastaj fillonte ngrënia. Bukën e prisnim me thikë në madhësinë që mendoje të haje, për të mos lënë copa buke të shpërdorohej. Luga nuk duhej mbushur shumë, sepse të pikonte në tavolinë. Kur të mbaronim së ngrëni të gjithë, do të çoheshim nga tavolina.

    * * *

    Më 7 mars 1887 hapet shkolla e parë shqipe në Korçë. Petro Niniluarasi çel në Ersekë një tjetër shkollë shqipe. Shkolla e fshatit ishte një nga 6 lulet e para të përhapjes së shkollave shqipe, ndërtuar në vitin 1892 dhe, në atë kohë, fëmijë, djem e vajza visheshin qytetarçe dhe, pa asnjë përjashtim, merrnin arsimin fillor. Shkollën e dytë e ndërtoi gjyshi me gurë të skalitur, më e mira dhe më e bukura nga shtëpitë e tjera të fshatit. Dy fshatarët tanë kishin studiuar në gjimnazin Zosimea të Janinës, tre djem vazhdonin studimet e mesme në një shkollë profesionale në Vurbanjë Greqi dhe tre të tjerë në shkollën Normale të Elbasanit. Të gjithë këta vinin për pushimet e verës në fshat dhe dëgjoheshin me shumë interes bisedat e tyre. Në Borovë, sidomos për djemtë, synohej edhe arsimi i mesëm. Në shkollën plotore të Ersekës nga Borova vijonin 5 djem.

    Serafin, Vangjeli, Stefan e Thoma Kuke (para shtëpisë në Borovë)

    Borova e fëmijërisë sime ishte e banuar me një popullsi homogjene, me kombësi shqiptare, me jetë të përbashkët e në miqësi, me vështirësi të kurbetit, zanatçinj e bujq të nderuar, punëtorë e mikpritës. Borova ishte një nga fshatrat më të mëdhenj të Kolonjës. Borovarët e kishin shfrytëzuar me shumë kujdes relievin e vendit për ndërtimin e shtëpive, përgjithësisht dy katërshe, të objekteve ndihmëse, të dy kishave brenda fshatit, Shën Harallami dhe Shën Nikolla, në pjesët e ulëta të rrafshinave të kodrinave e të shesheve për t’u mbrojtur nga erërat e forta të dimrit, kurse kishën e Shën Thanasit, sipër fshatit, buzë rrugës automobilistike, ku ishin vendosur edhe varrezat. Ajo numëronte 110 kryefamiljarë dhe rreth 450 banorë, të cilët banonin në 106 shtëpi. Pothuajse çdo shtëpi kishte ndërtesa anekse për gatim, furrë buke, banjë për larjen e teshave, ndërtesa për mbajtjen e zahiresë për bagëtinë, si dhe haure për strehimin e tyre. Fshati kishte mbi 300 ngrehina, me tre lagje, pranë njëra- tjetrës, në shpatet

    Enjoying the preview?
    Page 1 of 1