Discover millions of ebooks, audiobooks, and so much more with a free trial

Only $11.99/month after trial. Cancel anytime.

Parisi Letrar: Parisi I Njëmijë Bardëve
Parisi Letrar: Parisi I Njëmijë Bardëve
Parisi Letrar: Parisi I Njëmijë Bardëve
Ebook573 pages9 hours

Parisi Letrar: Parisi I Njëmijë Bardëve

Rating: 5 out of 5 stars

5/5

()

Read preview

About this ebook

Një panoramë e aventurës letrare dhe jetës të disa prej shkrimtarëve më të mirë francezë të shekullit IXX dhe XX. Rinia e tyre, dashuritë, pasionet, krijimtaria letrare dhe vdekjet e tyre. Cilët ishin ata në të vërtetë dhe si arritën të bëheshin përfaqësuesit më të denjë të Francës dhe botës?

 

A panorama of the literary adventure and life of some of the best French writers of the ninth and twentieth centuries. Their youth, their loves, their passions, their literary creativity and their deaths. Who were they really and how did they manage to become the most worthy representatives of France and the world?

LanguageGjuha shqipe
PublisherLuan Rama
Release dateApr 5, 2020
ISBN9791094814000
Parisi Letrar: Parisi I Njëmijë Bardëve

Related to Parisi Letrar

Related ebooks

Reviews for Parisi Letrar

Rating: 5 out of 5 stars
5/5

4 ratings0 reviews

What did you think?

Tap to rate

Review must be at least 10 words

    Book preview

    Parisi Letrar - Luan Rama

    PARISI LETRAR

    PARISI I NJËMIJË BARDËVE

    Shtëpia Botuese Les Livres Rama

    Mikut tim Laurent. ..

    Parisi i njëmijë bardëve...

    PARISI ËSHTË NJË HISTORI. Një histori e madhe dhe një gjeografi humane. Ndoshta ai është kryeqyteti ku më shumë se kudo në botë pulson historia e një arti të madh, historia e shkrimtarëve dhe artistëve të Francës dhe të botës, ngjarje dhe jetë njerëzish, artistësh që i kënduan njeriut dhe universit, vende dhe emra që hynë në historinë e botës përmes emrit dhe artit të tyre.

    Endrra ime e adoleshencës ishte të shikoja një ditë Parisin. Të shkelja  mbi kalldrëmet e Parisit për të piktakuar personazhet që kisha ndeshur tek Të mjerët apo romanet e Zhyl Vernit. Ashtu si Zhyl Verni me Dyzet mijë lega nën det dhe Rreth botës për 80 ditë, edhe ne fëmijët e Shqipërisë udhëtonim nëpër qiejt e botës. Atëherë, çdo javë, në shtëpinë time vinte një burrë i moshuar, i kërrusur, me një shkop në dorë dhe një mjekër të bardhë, me një hundë shqiponje dhe një kapelje të vjetër në kokë. Ishte një nga ata që kishin mbaruar liceun francez të Korçës, por që regjimi i kishte larguar dhe mënjanuar si ish borgjezë, që adhuronin Perëndimin. Por ai e kishte qef rakinë dhe kur vinte, nëna ime i nxirrte një dopio raki dhe na linte në detyrat tona të frëngjishtes. Shpejt nga avujt e alkoolit, ai kënaqej dhe udhëtonte në një botë tjetër, të largët, harrohej në ditë dehëse dhe një botë të ëmbël, dhe pas nja dhjetë minutash fillonte të recitonte Nervalin dhe Bodlerin, duke më treguar histori të kaluara që lidheshin me Parisin. Më fliste me pasion për Shatobrianin, dhe Lamartinin, për Senën dhe Eifelin, për urat e shumta dhe Luvrin, për sheshet me emër dhe shkrimtarët e mëdhenj, Bodlerin dhe Hygonë, (Hugo), mbi rrugën Rivoli apo sheshin e Bastijës, për një Bastijë, që siç thoshte ai, në kohën e Revolucionit ishte mbytur mes flakësh. Nostalgjik, ai më tregonte parreshtur gjersa një çast, shikoja që koka e tij varej dhe ai fillonte të dremiste. Ligjërata për shkrimtarët e mëdhenj të Francës kishte mbaruar...

    Kur në vitin 1991 shkova në Paris dhe çdo mëngjes e pasdite kaloja nën këmbët e kullës Eiffel, për të shkuar në ambasadën shqiptare në Rue de la Pompe, afër Trocadero-s, kjo ëndërr e realizuar më dukej si diçka irreale, përsëri si ëndërr.

    Që atëherë, nën urat e Parisit ka rrjedhur shumë kohë. Nga ditë në ditë, nga muaji në muaj, dhe nga vitit në vit, ky qytet më zbulonte hiret dhe të fshehtat e tij. Dhe unë e dashurova këtë qytet. Nëpër vite do të përjetoja pikërisht atë që kishte shkruar dhe Heminguei për të: Parisi, një festë e pambarimtë! Nëpër vite, këmbët, por dhe rastësia më çuan nëpër vende ku zbulohej një histori e re, një ngjarje e madhe, vende ku kishin jetuar shkrimtarët, ku kishin krijuar veprat e kryeveprat e tyre, ku ishin dehur dhe bërë dashuri, ku kishin qarë apo ishin vetëvrarë, vende ku kishin shkuar të jetonin përjetësisht. Padyshim, ishte emocionante vizita ime e parë në shtëpinë muze të Balzakut, në rrugën Raynoud, në atë shtëpi ku Balzaku u fshihej huadhënësve dhe vazhdonte shkrimin e kryeveprave të tij të fundit. Në atë shtëpi ishin ruajtur shumë objekte të shkrimtarit, tavolina e punës dhe shandanët e tij, shishja e bojës së shkrimit, penda, dorëshkrime, piktura e fotografi, duke i ringjallur çdo vizitori figurën e shkrimtarit, i cili në netët e vona, në heshtjen e plotë, pranë tasit të madh të kafesë, vazhdonte të shkruante gjer në dritën e parë të agimit.

    Në letërsinë e Balzakut ka një gjeografi të habitshme të këtij qyteti, aq sa studjuesit e sotëm flasin për një arkeologjibalzakiane të Parisit, pasi shumë vende të përshkruara nga shkrimtari i madh nuk ekzsitojnë më. Në librin e tij Djalli në Paris, duke përshkruar këtë qytet, ai shkruante:  " Fizionomia e Parisit në vitet 1500 ishte ajo e rrugës Saint-Antoine; më 1600 ishte ajo e rrugës Royal; në vitet 1700 jeta përqëndrohej rreth Pont-Neuf dhe më 1800 rreth Palais Royal. Të gjitha këto vende, njëri pas tjetrit kanë qenë bulevarde. Toka në to ka qenë e pasionuar. Më së fundi dhe vetë bulevardi pati fatin e tij. Nga rruga Faubourg du Temple në Rue Charlot, ku lëvrinte Parisi, jeta e tij në vitin 1815 kaloi në Boulevard des Panoramas. Më 1820 ajo u përqëndrua në bulevardin Gand, ndërsa tani ajo tenton të ngjitet drejt Madelaine-s. Më 1860 zemra e Parisit do të jetë që nga rruga e Paqes e gjer në sheshin e Concorde-s... "

    Père Lachaisenë cep të Parisit ishte një qytet i vërtetë të vdekurish, një qytetme banorëte tij, shtëpitëdhe rrugët e tyre. Aty preheshin shumë nga të mëdhenjtë, nga Molieri, Bomarsheja, (Beaumarché) e La Fonteni, duke vazhduar me Balzakun, Prustin, Bodlerin, Zolan, Mopasanin, e gjer tek Koletë, Elyar, etj. Duke bredhur nëpër të, unë zbuloja historinë dhe gjymtyrët e tij, gjymtyrë njerëzorë dhe shpirtra që i kishin kënduar këtij qyteti, që kishin ngjizur jetët e tyre me historinë e këtij trualli. Udhë, bulevarde, shkallë të çuditëshme, portale të mëdhenj e të habitshëm, varre gjigandë dhe monumente, siç është dhe ai i Balzakut, ku vizitorë jo të pakët kanë dëshirë të bëjnë një fotografi para bustit të tij. Kohë njerëzore, kohë revolucionesh, luftrash dhe çlirimi, vitesh të paqta dhe ngazëllimi. Piketa qytetërimi. Dhe vizitori pasi udhëton në këtë qytet-mortor, pyet vetveten: kush vallë është prehur brenda këtyre mureve? Cilët ishin ata? Kudo janë gjurmët e tyre. Në Hotel Ritz, në sheshin e famshëm Vendôme, atje ku ngrihet obelisku i Napoleonit, një suite e hotelit ka emrin Marcel Proust. Aty ishte një nga prehjet e tij të përherëshme. Por po të futesh në brendësi, të kalosh nëpër korridorin e gjatë, në fund do të gjëndesh në një bar të vogël që quhet Bari Heminguei, vendi ku korrespondeti i luftës, Ernest Heminguei, shkruante dhe dërgonte njoftimet e tij për gazetat amerikane. Deri vonë, një nga kamarierët e Ritz tregonte se në betejën e sheshit Vendôme më 1944, ku Heminguei morri pjesë, ai ishte ndër të parët që hyri në hotel dhe zuri një suitë, duke porositur 50 shishe Martinipër vete dhe miqtë e tij. Atje në Ritz, janë dhe gjurmët e Scott Fitzgerald dhe plot shkrimtarëve të tjerë. Amerikanët e Brezit të Humburi gjeje më shpesh në barin e madh amerikan të La Coupole-s, në bulevardin Montparnasse.

    Në 19, Quai Voltaire, buzë Senës, për një kohë jetoi Bodleri, më pas Uald (Wilde) dhe pastaj në të njëjtën ndërtesë dhe Wagner, ku ai mbaroi partiturën e pjesës muzikore Mjeshtër këngëtarë. Në Rue de l’Université jetonte Xhejms Xhois, autori i famshëm i Uliksit. Surrealistët jetonin më së shumti në Montparnasse, ku lindën disa shkolla letrare. Në kopshtet e Luksemburgut, janë statujat e Verlenit, Floberit, Sandit, etj, dhe kjo sepse jeta e tyre u lidh ngushtë me këtë kopësht, që na kujton gjithnjë dhe Zhan Valzhanin e famshëm të Hygoit, i cili shëtiste me Kozetën e vogël. Lagjia e Marais-së, e Kënetës, siç e kishin quajtur prej shekujsh parizianët, meqë kur vinin shirat e vjeshtës, lagjia përmbytej nga ujrat gjer në pranverë,  të kujtonte barrikadat e Të mjerëve dhe Gavroshin që vërtitej sa andej këndej. Les Hallestë kujton gjithnjë librin e Zolasë për Parisin, Barku i Parisit, (Le Ventre de Paris), pasi aty ishin jo vetëm pazari, por dhe thertoret e qytetit. Në Rue des Beaux Arts, në fundin e shekullit XIX, vdiste i vetmuar Oskar Uald, i cili pak ditë më parë kishte pëshpëritur në ethe: "Unë jam njeriu që duhet ta mbyll këtë shekull. Në varrezat e Bagneux, në perfieri të Parisit, pronari i hotelit të tij, i kishte vendosur një kurorë mbi varr me mbishkrimin: Për qeraxhiun tonë!"

    Një natë dimri të vitit 1902, në Rue de Bruxelles, ishte gjetur i vdekur në apartamentin e tij shkrimtari Zola bashkë me të shoqen. Kishin vdekur në gjumë nga gazi i qymyrit. I gjetën duke fjetur në gjumin e përjetshëm. Në Rue Pigalle, në numrin 16, në epokën e dashurisë së tyre jetonin dikur Zhorzh Sandi dhe Frederik Shopen. Në numrin 55, Hygo, ndërsa në numrin 60, Bodleri. Pak më tutje është kabareja e famshme Le Chat Noir, ku mblidheshin simbolistët me në krye themeluesin e simbolizmit francez, arvanitasin Zhan Moreas apo ndryshe Jani nga Moreja, ndërsa lart në kodrën e Montmartre-s, rrëzë katedrales së Sacre-Cœur, në kabarenë e natës Le lapin agile, në Rue des Saules, mblidheshin surrealistët me në krye Apoliner, Reverdi, apo Maks Zhakob. Jo larg tyre ishte Le Bateau Lavoir, ku mblidheshin Pikaso, Modiliani, Apoliner... Numra, emra rrugësh, histori romanesh e poemash, fate njerëzore, si vetë fati i të madh Vijon, (François Villon), poetit të Parisit, të dënuar në të gjallë të tij që mos ta shkelte më Parisin, qytetin që ai i kishte kënduar aq shumë. Kur u dënua me litar, poeti shkroi balladën e tij të famëshme Ballada e të varurve. Ishte po ajo poemë që liceistët e Korçës, siç kujtonte poeti dhe shkrimtari shqiptar Dhimitër Shuteriqi, e dëgjonin në recitimin patetik të profesorit të tyre Georges Aguesse.

    Para disa kohësh, një mbrëmje të vonët, nuk di pse u gjënda në rrugën Rue Decartes, jo larg Panteonit. Ndoshta për t’i rënë më shkurt drejt shtëpisë time. Kur ja, në anë të rrugës, në numurin 37, një pllakë më tërhoqi vëmendjen: Këtu ka vdekur poeti i madh Pol Verlen, në 9 janar të vitit 1896. Pas Rembosë, (Rimbaud), Verleni për mua ishte nga më të preferuarit e poezisë botërore. Dhe ja, poshtë pllakës, një tjetër shënim: Pikërisht këtu në vitet 1921-1925 ka jetuar gjithashtu Ernest Heminguei. Ngrita sytë lart dhe në dritën e zbehtë të rrugës, në ato dritare, imagjinova ditët e fundit të Verlenit që kishte vdekur si një njeri i varfër edhe pse poet i madh. Ishte hoteli i dikurshëm, i cili dhe tani, shërbente si hotel. Një miku im francez, François Bilange, i apasionuar pas poezisë, më kishte thënë se kur ishte njohur me gruan e tij e kishte sjellë atë në dhomën Verlen. Atje donte të flinte një natë me të, në dhomën ku poeti i kishte kënduar aq shumë dashurisë. Por që ta rezervoje atë dhomë duhej ta bëje kërkesën me kohë, pasi nga e gjithë bota kishte të apasionuar që donin të vinin të kalonin një natë në dhomën e poetit dhe mikut më të madh të Rembosë.

    Po, Parisi ndryshonte, lëvizte, pasionohej sa në njërin apo tjetrin breg të Senës. Nga kodra e Montmartre-s, ku rrinin më parë poetët dhe artistët, më pas në kohën e parnasianëve, bota letrare u zhvendos në Quartier Latin, pastaj drejt Montparnasse-it në fundin e shekullit XIX. Ndërsa në mesin e shekullit XX, shpirti letrar e artistik u vendos në lagjen e vjetër të Saint-Germain-dès-Près. Në kafenetë Le Floredhe Les Deux Magots, mblidheshin shkrimtarët dhe botuesit. Aty niste aventura letrare e shkrimtarëve të mëdhenj të shekullit XX. Para tyre, kryqëzimi ballë kishës së vjetër Saint-Germain-dès-Près e viteve 1100,  tashmë quhet Sheshi Sartre-Beauvoirnë kujtim të çiftit mitik të shekullit. Sot, ky Paris duket se e ka humbur qëndrën e vet, sikur diçka ka ndodhur dhe artistët e mëdhenj janë shpërndarë, si të duan të shkrihen me të tjerët, mes qytetarëve. Rrallë herë ata shfaqen diku dhe kjo më shumë në ekranet e televizioneve dhe rrallë në sheshet publike. Ata nuk dehen më ashtu si kolegët e tyre të hershëm, nuk janë më bohemë...

    Kështu e ka përjetuar Parisi metamorfozën e tij, si një bohem, pa i kapërcyer kufijtë e qytetit, edhe pse disa vende mitike nuk ekzistojnë më. Dikur, në Palais Royal, ishte një kafene që quhej Kafeneja e të Verbërve, pasi në atë kafene kishte një orkestër me katër muzikantë, që të gjithë të verbër. Ç’spektakël! Aty shkonin shpesh shkrimtarët dhe dramaturgët e teatrit të Komedisë Franceze. Deviza që afishohej në këtë kafene ishte: Këtu kemi nderin të jemi qytetarë, të pijmë cigare dhe t’i drejtohemi tjetrit me ti... Koha ka bërë të vetën. As Shtëpia e Artë, (Maison d’Or), siç quhej ajo shtëpi, kur dikur mblidheshin shkrimtarët romantikë, nuk është më. As shëtitoret e dikurshme të Marsel Prustit ku shëtistin personazhet"e tij, as shtëpia e André Bretonit në 43, Rue Fontaine, atelieri i prijësit të madh të surrealistëve, që më parë ruhej si një lloj muzeu privat plot piktura, maska afrikane, libra, manifeste, antikuare artistike, etj. Siç më thoshte një ditë në një kafene të Montparnasse-it, studjuesja e Bretonit dhe e Robert Desnos, profesoresha Marie-Claire Dumas, më së fundi ai apartament ishte kthyer në një afer imobiliar dhe ajo e vuante shumë këtë, revoltohej dhe shante qeverinë. Gjithçka që kishte mbledhur Bretoni në atë shtëpi ishte shitur në ankand. Një histori që humbiste drejt harresës. Tani, jo larg që andej, vetëm kolltuku i Molierit ka mbetur në katin e sipërm të teatrit të Komedisë Franceze. Ai kolltuk është mbresëlënës, sepse pikërisht aty, në shfaqjen e fundit të tij, Molieri i sëmurë ishte ulur dhe interpretonte në komedinë e tij I sëmuri imagjinar. Atje dhe kishte vdekur më 17 shkurt të vitit 1673, në orën dhjetë të mbrëmjes... Po, shumë vende historike nuk janë më, as Café Voltaire, ku mblidhej Balzaku të takonte miqtë e tij letrarë, në Sheshin Odeon. Aty shkonte dhe personazhi i tij i Iluzioneve të humbura, Lucien Rubenpre.

    Bodleri ishte parizian dhe ai i këndoi shumë Parisit, i këndoi hireve të tij por dhe të :keqes në vëllimin poetik Lulet e së Keqes, i këndoi Parisit të ngazëllyer dhe Parisit, me sytë e një plaku të çmendur. Megjithatë, duke iu drejtuar Parisit, ai këndonte:

    "Në çdo gjë tënden, unë kam nxjerrë thelbësoren

    Ti më dhe baltën dhe unë e ktheva atë në ar."

    Viktor Hygo lindi në Paris. Po në Paris dhe vdiq. Nga shtëpia e tij në avenynë Victor Hugo, rruga zgjatet drejt pyllit të Bulonjës, dhe pa arritur ende atje, të shfaqen papritur statuja e punime skulpturale me figurën e Hygosë dhe muzat e tij. Hygo si një pan pagan dhe vajzat-muza, të dashurat e tij. Hygo ishte një dashnor i madh, i përjetshëm. Edhe plak ai përhumbej në hiret lakuriqe të një trupi të kolmë... Po, poetët dhe shkrimtarët janë të pranishëm në jetën e këtij qyteti. Dhe nuk habitesh që pllakat-piketa të njoftojnë për historinë e tyre. Natali Sarot, Alen-Rob Grije, Fransuazë Sagan me romanet e saj të Valës së Re, Mirëmëngjes trishtim apo A e doni ju Bramsin? Ti ecën në Rue Richelieu dhe e di që atje, Stendali shkroi E kuqja  dhe e Zeza, më tutje në 8, Rue Commartin, ai shkroi Kështjella e Parmës dhe më vonë, në Rue Cambon, shkroi kryeveprën tjetër të tij, Lucien Leuven. Atij i pëlqente të bridhte e të jetonte rreth Operas, Bursës, të prehej në kafenetë pranë Teatrit Komik, duke përsëritur shpesh: Parisi është një qytet hyjnor. Ai kishte rënë në dashuri me Parisin. E si mos ta dashuroje këtë qytet? Si?...

    Personazhet letrare të këtij qyteti janë të panumurt, pasi në çdo rrugë që merr, në çdo kthesë, qoftë dhe një rrugicë e ngushtë, gjen gjurmët e një autori të shquar. Në Rue Mazarine, në një ndërtesë jo shumë të lartë, jetonte Robert Desnos, poeti surrealist me të dashurën e tij Juki, siç e kishte pagëzuar piktori Fujita, në japonisht, që do të thoshte dëbora rozë. Në shkurtin e vitit 1944, një mëngjes, Robert Desnos u arrestua në shtëpinë e tij. Para se ta merrnin, ai i dha Jukit stilografin e tij Parker, duke i thënë: Ruaje. Do të kthehem ta marr.Por më kot e priti Juki. Ai s’do të kthehej më në Rue Mazarine. Ai do të vdiste në një kamp nazist, ditët e para të çlirimit të kampit. Ai nuk e puthi lirinë. As të dashurën e tij. Pikërisht aty në Rue Buci, na shfaqet hija e Bodlerit me armë në dorë, në ditët e Revolucionit të shkurtit të vitit 1848. Shkrimtarët e mëdhenj ishin humanistë, ishin kundër diktaturave dhe shtypjes së lirisë. Kështu shkonte drejt barrikadave të këtij revolucioni Hygo, Lamartin apo Dymas?

    Një ditë, duke iu ngjitur Montmartre-s përmes një rruge të ngushtë e të kalldrëmtë, kisha parë një skulpturë të çuditëshme. Ishte Njeriu që kalon murin, (L’Homme passe-muraille), e krijuar nga Zhan Mare për mikun e tij Marsel Eme, sipas veprës kryesore të këtij shkrimtari. Figura ishte e çuditëshme sepse pikërisht ishte vetë shkrimtari që tentonte të përshkonte përmes murit si një qënie hyjnore. Dhe po të ngresh kokën lart, në një pllakë pranë një ndërtese lexon të shkruhet: Këtu ka banuar deri sa vdiq shkrimtari Marcel Aymé.

    Shkrimtarët janë ngado. Mjafton të ecësh dhe t’i piktakohesh me ata. Mund t’i përshëndesësh. Një ditë, tek prisja një mikun tim përballë kishës së Invalidëve që strehon arkivolin e Napoleonit dhe të disa prej mareshallëve të tij, nuk kisha vënë re se pas shpinës time, në një pllakë mermeri, ishte shkruar se pikërisht atje, gjatë luftës, kishte banuar shkrimtari i famshëm Sent Ekziperi, autori i romanit Fluturimi natën, piloti i luftës që ishte ngritur në qiell dhe nuk ishte kthyer më. Ajo pllakë më kujtoi menjëherë ato ditë të rinisë, kur kineast i ri, me atë frëngjishte të çalë, përpiqesha të përktheja me një mikun tim kineast, librin e tij Princi i vogël, duke hyrë në një botë të veçantë filozofike e humaniste.

    Po, poetët dhe shkrimtarët janë kudo në këtë qytet. Që nga viti 1960, në 56, Rue de la Varenne jetonte poeti Lui Aragon. Aty dhe vdiq. Atë e vendosën pranë varrit të Elsës, të dashurës dhe gruas së tij, në Parc du Moulin. Ai i kishte thënë asaj se do ta rrethonte me muzikë. Pas vdekjes së tij, në varrin e tyre u vendos një gramafon me muzikë të Bahut dhe me Këngën e Bilbilit, i cili gjatë gjithë kohës do të shpërndante muzikën e tyre preferuar. Andre Malro ka lindur në Rue Damremont. Para se të vdiste, autori i La Condition Humaine, kishte shkruar: "Detyra e shekullit të ardhmë do të jetë ri-integrimi  brenda njerëzimit të hyjnive të tij. Thua se njeriu është larguar apo i ka harruar mitet e tij, mitologjinë dhe hyjnitë. Ja dhe Rue de la Vielle-Lanterne. Më 26 janar të vitit 1855, varur tek brava e portës së apartamentit të tij, u gjënd pa jetë turpi i poetit Nerval, veshur me kostumin e tij të zi dhe këpucët llustrafina. Të paktën agonia kishte qenë e butë, sepse kapelja nuk i kishte rënë nga koka."- shkruante Aleksandër Dyma, që ishte nga të parët që kishte shkuar pranë mikut të tij.

    Si çdo qytet, dhe Parisi ka magjinë e tij. Njerëzit i duan kafenetë. Atje piktakohen, kuvendojnë, vëzhgojnë bashkëqytetarët e tyre, shkëmbejnë lajmet e botës dhe tresin vështrimin tutje, ku lumi njerëzor vërshon i pandërprerë. Kur ka diell, taracat e tyre janë të mbushura plot e përplot. Eshtë një tjetër atmosferë. Selecte, Brasserie Lipp, La Rotonde, kafenetë ku bridhte Zhak Prever dhe poetët e tjerë, Elyar, Aragon, Superveij, Sent Xhon Pers, Rob-Grije, Misho, dhe më tutje, Closerie des Lilas, ku mblidheshin simbolistët e më pas rrymat e tjera letrare, ku endeshin personazhet letrarë të shekullit të kaluar si André Gide, Simenon, Jonesko, Malro... Les Procopes, kafeneja më e vjetër e botës, e hapur që në vitin 1688 nga vëllezërit italianë I Proccopi, mblidhte jo vetëm shkrimtarë si Bomarshe, Volter, Didero, por dhe udhëheqësit e Revolucionit Francez si Robespier, Marat, Danton, apo më pas Napoleoni... Aty ngjizej shpirti i bëmave të mëdha. Ajo i ruan ende gjurmët e kohës, me librat e shkrimtarëve të saj vendosur në rafte të vjetër, me letrat e vjetra që stolisin sallonet e stilit mbretëror. Ndërsa Fouquet’s, në Champs Elysées ka më shumë fotot e artistëve sesa të shkrimtarëve, të cilat bëjnë ballë nëpër mure. Aktorët, yjet e teatrit dhe të kinematografisë. Megjithatë fotografia e Xhejms Xhois aty është e palëvizëshme: ai ishte klienti i preferuar dhe i përditshëm; ai dinte të linte veç bakshishe të majme. Ishte fisniku anglez, i ngjashëm në këtë anë me Oskar Uald.

    Sot nuk është më moda e salloneve letrare që organizoheshin në kohën e Balzakut e të Marsel Prustit, sallonet e zonjës Recamier, apo Madame Strausse, Madelaine le Maire si dhe ai i zonjës de Cavaillet. Sot është koha e kafeneve letrare, e café littéraire ku mblidhen poetë e shkrimtarë dhe prezantojnë librat e rinj, diskutojnë, etj. Madje ka kafene të njohura që kanë dhe çmimet e tyre letrare. E tillë është Les Deux Magots, e cila çdo vit jep një çmim letrar për veprën më të pëlqyer: Prix Les Deux Magots. Por ka dhe kafane letrare mjaft popullore, të vogla, siç është Le Smoke në afërsi të kryqëzimit Vavin, ku një mbrëmje, dhe ne disa shqiptarë, recituam poezitë tona. Poezia është kthyer kështu si kënga dhe kafeneja-letrare një skenë ku mund të këndojnë të gjithë.

    Në Rue de Varenne, në Institutin e Kulturës Italiane, një ditë pata fatin të takoja Zhylien Grin, një amerikan i lindur në Paris dhe që mbeti gjithë jetën një shkrimtar parizian. Autori i njohur i romanit Dixie, banonte në katin e parë të një ndërtese në Rue Cortambert, ku në krah të djathtë ngrihej madhështore fasada e shapeles Les Soeurs Blanches, (Motrat e Bardha). Edhe ai e adhuronte Parisin. Në një libër mbi qytetin, ai kishte shkruar: "Në sytë e mi, Parisi do të mbetet dekori i një romani që askush nuk do të mundë ta shkruajë". Po cili vallë mund ta shkruante portretin e një qyteti të tillë? A mund të bëhesh ky afresk gjigand. Cili gjeni mund ta riprodhonte atë. Vetëm jeta e Vijonit është një roman tronditës më vete. Saga të mëdha janë edhe jetët e Lamartinit, Rembosë, Malarmesë, Mopasanit, Fransua Moriak, Albert Kamy, Elyar...

    Në mbrëmje, buzë Senës, bukinistët i mbyllin bankinat e tyre ku ka me mijra libra që ata ua shesin kalimtarëve e më shumë vizitorëve të huaj. Libra të vjetër, afishe, gazeta të fillimit të shekullit, harta të Parisit të vjetër dhe të botës, kartolina të vjetra dhe pamje nga Belle Epoqueme balerinat e Pigalle, Moulin Rougeapo Folies Bergères. Një herë, pa u bërë shkrimtar i njohur, Zhëné, (Genet) kishte vjedhur tek bukinistët një botim luksoz të Verlenit. Policët e kishin kapur, por ai menjëherë u ishte lutur ta çonin tek poeti Zhan Kokto. Dhe Kokto, (Cocteau) e mori në mbrojtje letrarin e ri. Po ta besoj se Zhëné vjedh për të ushqyer trupin e shpirtin, - i kishte thënë ai mikut të tij avokat, - ai është një Rembo dhe Remboja nuk mund të dënohet. Madje Kokto doli dhe dëshmitar në gjyqin e tij. Kur gjykatësi e kishte pyetur Zhënénë se Çdo të thonit ju po t’ju vidhte dikush librat, ai i ishte përgjigjur: Do të isha krenar. - A e njihni çmimin e këtij libri?- Jo, por njoh vlerat e tij... Në gjyq Kokto u ngrit duke kërkuar të dëmshpërblente dëmin e shkaktuar dhe deklaroi se një shkrimtar i madh nuk duhej dënuar.

    Një ditë, tek vëzhgoja ndërtesën ku kishte banuar Rembo, në Rue Monsieur le Prince, m’u kujtua një bisedë e dikurshme me ish të burgosurin politik Hasan Jero, dikur student në Paris. Edhe ai e adhuronte Rembonë. Edhe ai kishte jetuar në vitet e shkollës në Rue Monsieur le Prince, në hotelin me të njëjtin emër. Kur ishte në burg, siç më tregonte ai, shpesh shpirti i tij bridhte në Parisin e munguar, në Place de la Sorbonne, Place Saint-Michel, në kafenenë Luxembourgapo Cluny, në Rue Harpe, ku kishte jetuar Verleni... Parisi qëndronte i gjallë dhe në momentet më të vështira të një ekzistence në diktaturë, ku jeta mund të shuhej nga çasti në çast. Po kështu kishte ndodhur dhe me Jusuf Vrionin, i cili ishte një lexues i madh i letërsisë franceze por dhe përkthyes i jashtëzakonshëm. Edhe ai ishte student në Paris, edhe ai ishte një ish i burgosur politik. Parisin mundi ta shikonte përsëri pas pesëdhjetë vjetësh. Dhe një ditë, tek shëtisnim buzë Senës, duke më folur për mbresat e këtij udhëtimi të parë, ai më tha sesi një ditë vjeshte, kur kishte lënë Parisin për herë të fundit, në stacionin e trenit në Gare de Lyon, ai ishte përkulur dhe kishte puthur kalldrëmin. Ai kalldrëm ishte gjithçka. Ishte shpirti i një qyteti, nga i cili ai nuk mundej dhe nuk donte të ndahej. Ja pse këto kalldrëme gjithë histori, janë të dashura për ne.

    Po, ky është Parisi, një festë e pambarimtë, një festë ngazëllimi, dhe më shumë... Parisi është atdheu i njëmijë poetëve dhe shkrimtarëve, trualli i njëmijë bardëve.

    HONORE DE BALZAC

    C:\Documents and Settings\SERVEUR\Bureau\libra.L.Rama\Libri - Parisi Letrar\PARISI LETRAR 2\BalzacDessin_de_Nadar_1850.jpg

    Honoré de Balzac, karikaturë e kohës

    Balzak: Kur Europa humbte një shpirt të madh!

    NË FUNDIN E VITEVE 80’ në Tiranë vazhdonte botimi në shqip i romaneve të tjera të Komedisë Njerëzore të Honoré de Balzac (Balzak), i cili për ne, ashtu si dhe Victor Hugo, (Hygo), Emile Zola e të tjerë francezë të mëdhenj, ishte ndër autorët më të njohur. Tekstet e Balzakut studioheshin në gjimnaze e universitete. Botimi i romanit Shkëlqimi dhe Mjerimi i kurtizaneve, pas Iluzioneve të Humbura, Xha Gorio, Evgjeni Grande dhe Kryeveprës së panjohur, vazhdonin të zbulonin në përfytyrimet tona jo vetëm histori e ngjarje të asaj epoke, jo vetëm personazhe të tjerë të universit balzakian, por dhe shfaqje të tjera të universalitetit njerëzor.

    Kur erdha në Paris në vitin 1991, ajo që ishte kureshtare për francezët ishte njohja që kishin shqiptarët për letërsinë franceze. Personazhet balzakianë si Rastinjak, Grande, Votren, Lysien de Rubenpre, xha Gorio, etj, ishin ngulitur mirë në kujtesën dhe imagjinatën tonë. Por kur mësova rastësisht se pikërish jo larg ambasadës shqiptare në Rue de la Pompe, pranë Trocadero-së, ndodhej Muzeu i Balzak-ut, (Maison de Balzac), dëshira e madhe për të njohur nga pranë jetën e autorit të madh më shtyu menjëherë drejt asaj shtëpie, e cila ndodhej në 19, Rue Basse de Passy, (sot 47, rruga Raynoud), pikërisht në atë shtëpi ku Balzak u fshihej huadhënësve të tij dhe vazhdonte shkrimin e kryeveprave. Në atë shtëpi ishin ruajtur shumë objekte të shkrimtarit, tavolina e punës dhe shandanët e tij, shishja e bojës së shkrimit, penda, dorëshkrime, piktura e fotografi. Dhe papritur, në atë mjedis balzakian ndjeva se fotografitë gjallëroheshin nga pamja e tyre statike dhe në imagjinatë, rikrijohej figura e shkrimtarit, i cili në netët e vona, në heshtjen e plotë, pranë tasit të kafesë, vazhdonte të shkruante gjer në dritën e parë të agimit.

    Në 2504 personazhet e tij të Komedisë Njerëzore, Balzak krijoi një nga afreskët më të mëdhenj të kohës, me personazhe ku shpesh është dhe një pjesë e vetes së tij, apo njerëz që ai i kishte njohur realisht. Parisi me jetën dhe historinë e tij si të thuash ishte bërë laboratori i tij letrar, por njëkohësisht dhe thelbi i jetës së tij me histori dashurish, vuajtjesh, sallonesh letrare e skena dramatike, me shtëpi ku ai kaloi fëmijërinë, rininë apo vitet e famës së tij. Në Paris ekziston si të thuash një gjeografi e tërë vendesh, një gjeografi njerëzore, apo një arkeologjie qytetit, ku shkrimtari i madh ka lënë gjurmë e tij, jo vetëm si njeri, por dhe si krijim. Parisi ishte bota ku do të vërtiteshin pjesa më e madhe e personazheve të tij. "Parisi është liria e inteligjencës, - shkruante ai, - atje është jeta: një jetë e çuditëshme e pjellore, një jetë komunikuese, një jetë e nxehtë, një jetë hardhuce dhe një jetë me diell, një jetë artisti dhe e këndëshme, një jetë kontrastesh."

    Vizita e fundit në shtëpinë ku sapo kishte vdekur Balzak, kishte qenë ajo e Viktor Hygosë. Ishte data 18 gusht 1850. Gruaja e tij kishte qenë paradite te Hanska, e cila i kishte thënë se Balzaku ishte në grahmat e fundit. Po atë ditë, Hygo kishte shkruar në ditarin e tij: "I rashë ziles. Ishte një hënë e plotë me re. Rruga ishte e shkretë. Prita. Askush nuk e hapi. I rashë prapë. Porta u hap. Duke qarë, një shërbëtore me shandan në dorë pyeti: Çfarë doni zotëri? I thashë emrin. Më çuan në sallon, ku përballë oxhakut ishte një bust i madh në mermer i Balzakut. Një grua tjetër u afrua duke thënë: "Ai po vdes. Zonja ka ikur në dhomë, po kështu dhe mjekët, ikën që dje. Ai nuk flet më. Prifti erdhi dhe i bëri shërbimin e fundit."... Një erë kufome ishte shpërndarë në dhomë. Kërkova ta takoj Balzakun. Kaluam një korridor dhe ngjitëm shkallët. Ishte atje, me kokën e zhytur në jastëk. Kishte një fytyrë ngjyrë violet, gati të zezë, të parruar dhe me flokët gri, të prera. Ngjante me perandorin. Një erë e padurueshme kundërmonte nga krevati. Ngrita jorganin dhe mora dorën e tij. Ishte gjithë djersë. E shtrëngova. Nuk m’u përgjigj. Zbrita duke mbajtur në kujtesë atë fytyrë të zbehtë. Ishte e djelë. Duke hyrë në shtëpinë time njerëzit më prisnin. Ju thashë: "Zotërinj, Europa do të humbë një shpirt të madh!"

    Balzaku vdiq pak kohë pasi u largua Hygo, i cili ishte dhe vizitori i fundit në botën e të gjallëve. Në orën 23.30, ai dha shpirt. "E pashë në profil, i ngjante Perandorit, kishte shkruar Hygo. Të nesërmen, arkivoli i tij u vendos në kishën Saint-Nicolas. Pastaj lumi i njerëzve që shoqëronte funeralin, kaloi përmes Parisit drejt varrezave të Père Lachaise. Piklonte shi. Ishte një nga ato ditët kur të duket se dhe qielli derdh lotë", - shkruante Hygo. Në varreza, përballë gropës së hapur dhe turmës njerëzore që nderonte autorin e Komedisë Njerëzore, Viktor Hygo u shfaq para tyre dhe foli: Ky puntor i jashtëzakonshëm dhe asnjëherë i lodhur, ky filozof, ky poet, ky gjeni, ka jetuar midis nesh një jetë stuhish, luftrash, zënkash, betejash. Sot më së fundi ai është në paqe: ai iku nga kundërshtitë dhe urrejtjet. Dhe në të njëjtën ditë ai hyn në lavdi dhe në varr!...[1]

    AVENTURA LETRARE

    FAMILJA E BALZAKUT kishte zbarkuar në Paris një ditë të vitit 1814. Ata u vendosën në Marais, në 40, Rue du Temple, në atë lagje ku nuk kishte kanalizime dhe ujët e dimrit qëndronte nëpër rrugë një kohë të gjatë. Prandaj e quanin Marais, që do të të thoshte Kënetë. Adoleshent, Balzaku ishte shumë i shëmtuar: me flokë të gjata, i deformuar dhe me dhëmbë të hapura. Cvajgu e përshkruan atë të veshur si një fshatar apo proletar. Pas një qëndrimi në një pension fetar, ai studioi në liceun Charlemagnedhe më pas arriti të bëhej një lloj noteri, duke bërë punë të vogla te disa avokatë, gjersa një ditë vendosi të merrej me letërsi. Kur familja e tij u largua disa kohë nga Parisi, ai u vendos në një mansardë diku nën çati, në një rrugë afër Bastijës, në Rue Lesdiguières. Në Bastijë ende qëndronte një elefant gjigand prej druri, që të kujtonte Kalin e drunjtë të Trojës, dhe që Viktor Hygo kishte imagjinuar dhe vendosur në barkun e tij, strehën e Gavroshit gjatë kohës së Revolucionit francez.

    Dhoma e Balzakut ishte e thjeshtë: një shtrat, një tavolinë, dy karrige. Dhe kjo vetëm për 3 centimes në ditë. I ftohti hynte nga të katër anët e çatisë dhe atij i duhej të mbështillte këmbët me batanije që të mund të flinte. Një moment ai ëndërroi të vendosë një piano, por s’kishte para dhe kështu vendosi vetëm një pasqyrë. Bleu letra, bojë shkrimi, lapsa, vaj për llampën dhe mendoi të shkruajë. Atëherë ekzistonin librarë që paguanin talentet e reja që të shkruanin romane për dhomat e leximit. Ishin atelierë shkrimi dhe Balzaku fillimisht u ushtrua me këtë lloj profesioni për të fituar pak para. Botimet e para me aventura, ai i nënshkroi me pseudonime: Lord R’hoone, Horace de Saint-Aubin, etj. Por më pas mendoi për romanin e tij të parë. Po çfarë të shkruante? Një histori dashurie?... Jo! Ai vendosi të shkruajë për historinë e heroit të Anglisë, Kromuellit. Romanet historikë ishin në modë atë kohë. "Përfundimisht mendoj të shkruaj mbi Cromwell, - shkruan ai, - pasi kjo është ngjarja më e bukur e historisë moderne".

    Balzaku ëndërronte të bëhej Walter Scott-i francez. Në moshën 23 vjeçare, ai do të shkruante: "Vetëm dy pasione kam në jetë: dashurinë dhe lavdinë. Deri tani asnjëra prej tyre nuk më është plotësuar."Atë kohë kur kishte shkruar mijra faqe, ai u njoh me një fisnik dhe ra në dashuri me vajzën e tij të ve, Laure de Berny, më e madhe në moshë se ai: 10 vjet jetë pasionante. Në vitin 1823, Balzaku u vendos në Rue Tournon dhe dy vjet më vonë u njoh me dukeshën Abrantes, vejushën e gjeneralit Junot, apo ish të dashurën e mareshallit Marat, një nga femrat më të afërta të perandorit Napoleon dhe familjes së tij. Ata takoheshin shpesh në shtëpinë e saj, në Pavillon de Versailles. Abrantes shkruante kujtimet dhe kishte nevojë për penën e një shkrimtari si ai.

    RUE CASSINI

    NË KËTË RRUGË BALZAKU u vendos në vitin 1828, atëherë kur fillonte aventura e vërtetë e një shkrimtari të ri që kërkonte të pushtonte botën letrare të Parisit. Mjerisht, shtëpia e dikurshme është shëmbur. Ajo nuk ekziston më, por rruga duket sikur i ruan ende kujtimet balzakiane. Aty, pranë Observatorit të Parisit, në atë rrugë të vogël, ai kaloi nëntë vjet, ku veç dhomës së gjumit kishte dhe një dhomë ku punonte. Edhe pse nuk kishte para, duke menduar se shpejt do të fitonte, ai morri 60 mijë franga borxh dhe filloi të blente pajisje për shtëpinë dhe dhomën e punës. I pasionuar pas historisë, lexonte libra historikë, mbante shënime, rrëmonte nëpër biblioteka. Lexonte Rabelais dhe shkrimtarë të kohës; vishej bukur dhe frekuentonte sallonet letrare që atëherë gëlonin në Paris, ku zakonisht ishin zonja fisnikësh që i mbanin ato të gjalla, si zonja Hamelin, zonja Ancelot, etj. Zonja De Berny, e dashura e tij, dhe më pas dukesha Abrantes, me të cilën do të dashurohej gjatë disa vjetëve rradhazi, i tregonin anekdota e histori të ndryshme, të cilat ai i regjistronte në kujtesën e tij. Meqë ai nuk e kishte dorëzuar një dorëshkrim, për të cilin ishte parapaguar 200 franga, një ditë botuesi i trokiti në portë dhe si këmbim ai i dha një dorëshkrim tjetër që sapo e ka përfunduar, Code conjugal, (Kodi bashkëshortor). Botuesi e pranoi këtë shkëmbim se e dinte që ato para që i kishte dhënë s’kishte për t’i marrë ndonjëherë. Ndërkohë Abrantes e prezantoi në sallonin e njohur letrar të zonjës Recamier, ku vinin artistët dhe shkrimtarët më në zë të asaj epoke. Aty njohu Viktor Hygonë, Lamartinin dhe të tjerë. Shkrimtari i ri ra në sy për pasionin dhe energjinë e tij, por njëkohësisht dhe për mënyrën e tij të vrazhdë dhe flokët gjithë yndyrë e të pakrehura. Po ato kohë ai botoi Fizionomia e martesës, (La physionomie du mariage). Një letërsi që pëlqehej veçanërisht nga gratë dhe që autorit i sillnin para. Ese e tregime që zhbironin botën dhe dëshirat e gruas si Gruaja superiore, Vajza e moshuar, Bombastikja, etj. Këto vepra padyshim pagoheshin mirë, por borxhet mbeteshin gjithnjë pa paguar. Huadhënësit shpresonin se autori i ri do të ecte përpara dhe një ditë të afërt do t’i shpërblente mirë.

    Në vitet 1830-1831, filloi një periudhë e re në krijimtarinë e Balzakut. Ai shkruante artikuj gazete dhe ese në disa revista e gazeta, në Revue de Paris, Voleur, Silhuette, Caricature, Mode, etj. Shkruante mbi shoqërinë franceze, mbi martesën, Skena nga jeta private, e më vonë tregimin e famshëm Kryevepra e panjohur. Çdo ditë që shkonte e mbushte atë me besim. Siç i shkruante mikeshës së tij Zulma, mikeshës së vërtetë, "Jeta ime është një betejë ku më duhet të ndeshem çdo çast, për të njohur talentin tim, nëse ky talent ekziston".

    Balzaku shkruante vetëm natën. "Unë s’mund të shkruaj vetëm gjatë një ose dy orëve, - shënonte ai në fletoret e tij. Po, atij i duhej e gjithë nata. Punën e fillonte në mesnatë: përpara kishte lapsat, gërshërët, letrat dhe vetëm një pendë korbi. Në orën tetë të mëngjesit, shërbyesi i tij Auguste i binte portës që ai të linte punën dhe të flinte. Jashtë qyteti kishte kohë që ishte zgjuar. Kur punoj, harroj vuajtjet e mia, - shkruante atë kohë Balzak. - Eshtë pikërisht kjo që më shpëton."Madje Balzaku ishte dhe superticioz. Në një nga gishtërinjtë mbante një unazë të trashë me mbishkrime orientale. Ai mendonte se ajo i sillte fat.

    Për një kohë të gjatë, pavarësisht nga marrëdhëniet me dukeshën Abrantes dhe zonjën de Berny, ai dashuronte dhe zonjushën Visconti, për të cilën thuhet se pati një djalë me të. Më pas ai u dha pas markezes Castries. Ishte një fytyrë e ëmbël që e dehte. "Kjo dashuri mbeti një nga dhimbjet e mia më të mëdha, do të shkruante më vonë Balzak. Por dashuritë kalimtare ishin të shumta, siç ndodhi dhe me një vajzë të quajtur Karolinë, të cilën e morri me vete si sekretare gjatë një udhëtimi në Itali, për të mbrojtur një afer të zonjës Viskonti në Torino. Por me kusht, që ajo të vishej si djalë. Dhe kështu ndodhi. Balzaku me djaloshin e ri"u nisën drejt Torinos ku kaluan një udhëtim ekstaze gjatë 20 ditëve.

    Ka një rrugë pranë Odeonit në Paris: quhet Rue Visconti. Në kohën e Balzakut, kjo rrugë quhej Rue des Marais-Saint-Germain. Për mua është një rrugë shumë e njohur, pasi shpesh kam ardhur në veprimtaritë që zhvillon jo vetëm shoqata Albania, por dhe miku ynë, fotografi Eduard, me shoqatën e tij Calligraphes. Sa herë që vija, do të ndeshja gjithnjë atë godinë kur dikur kishte qenë Shtypshkronja Balzakdhe shpesh imagjinoja shkrimtarin e madh që ato vite nxitonte në këto kalldrëme, drejt shtypshkronjës së tij. Që para se ta ngrinte shtypshkronjën, më 1824, Balzaku i kishte propozuar botuesit Urbain Cahel që të botonte një roman të tij, por botuesi i kishte dhënë një ide gjeniale: përse të mos kujdesej për disa botime lluksoze të veprave të La Fontaine, Molière, etj, çka mund të sillte fitime të mëdha. Kjo ide Balzakut i pëlqeu, por për këtë duheshin para që të mund të shtypeshin në shumë kopje. Atëherë Balzaku filloi të përgatiste botimet e reja duke marrë borxhe, me shpresë se librat lluksozë do të shiteshin dhe ai do të mund të fitonte. Por botimet e reja u shitën shumë pak. Ndërkohë ai mendoi se po të kishte dhe një shtypshkronjë si dhe një fonderi shkronjash nën emrin e vet dhe të ortakut, atëherë suksesi do të ishte i sigurtë. Kështu, i ndihmuar me para nga zonja De Berny, ai u vendos në këtë rrugë të ngushtë, ku në katin e parë ishte shtypshkronja dhe në të dytën zyra e tij. Balzaku punonte atje për përgatitjen e librave dhe gjatë ditës priste mikeshat e tij, që nuk mungonin. Ai i pëlqente ato. E pëlqente seksualitetin. Shtypshkronja e Balzakut shtypte jo vetëm librat por edhe reklama, katalogë, libra shkollorë, çdo gjë që të mund të fitonte para, madje dhe një libërth të titulluar Arti i lidhjes së kravatës. E pse jo?... Dhe kravata ka artin e vet. Në mbrëmje vonë, kur kthehej në shtëpi, ai ulej në tavolinën e punës për të vazhduar romanet e tij.

    Edhe pse puna e botuesit nuk eci, megjithatë Balzak nuk u tërhoq. Ai rifilloi të shkruajë akoma më me ngulm. E dinte se vetëm një punë titanike mund t’i sillte para dhe të shpëtonte njëherë e mirë nga mjerimi ku kishte rënë. Por ky mjerim e shtynte çdo ditë drejt krijimit të monumentit të tij letrar: Komedia Njerëzore. Ai u bë një përshkrues i hollë i personazheve, tipave sociale, mjediseve. Kudo që shkonte ai i vëzhgonte me kujdes portretet njerëzore, hotelet, pazaret, lagjet popullore, sallonet, antikuarët, huadhënësit, bankierët. Aty ishte bota e personazheve të tij, aty zbuloi kopracinë e plakut Gobsek, makiavelizmin e Rastinjak, dashurinë e jashtëzakonshme të një xha Gorio, (Père Goriot).

    Në vitin 1835, ai shkruante: "Dua të jem në krye të botës intelektuale në Europë. Edhe dy vjet dhe pastaj do të eci mbi kryet e atyre që donin të më lidhnin duart dhe ta pengonin fluturimin tim. Persekutimet dhe padrejtësitë më japin një kurajo të fortë prej bronxi". Në arkivën e Balzakut ruhet ende dorëshkrimi i romanit Xha Gorio, ku në faqen e parë të titullit, Balzaku kishte bërë llogaritë e borxheve që i duhej të shlyente. Ai jetonte me makthin e tyre. Në vitin 1836, për të fituar para, ai drejtoi një gazetë të re, La chronique de Paris, ku do të bashkëpunonte dhe Hygo e shkrimtarë të tjerë me emër, por meqë gazeta nuk kishte shumë abonentë, pas shumë numrash ai u detyrua ta mbyllë atë, edhe pse faqet e gazetës i mbushte pothuajse vetëm ai. I vetmuar dhe me shëndet të keq, ai i shkruante mikeshës së tij të re, Eveline Hanska: "Jeta për mua paska qenë shakaja më e dhimbëshme. Natyra kishte krijuar te unë një qënie dashurie e të ngrohtë, por rastësia më detyroi vetëm t’i shkruaj dëshirat e mia dhe jo t’i përjetoj ato."

    Sidoqoftë, herë pas here, në errësirën ku jetonte, shkëlqenin drita shprese e gëzimi. Romanet Louis Lambert dhe Medecin du village, (Mjeku i fshatit), u mirëpritën nga kritika. Më pas në duart e lexuesit do të jenë dhe romanet Kolonel Chaubert dhe Eugenie Grandet. Pikërisht në këtë kohë ai fshihej nga huadhënësit: në fillim ishte vendosur në apartamentin e një të dashure, në Champs Elysées, ku policia e kapi dhe e mbylli në Hotel des Haricots, (Hoteli i Fasuleve), që ishte një lloj burgu. Por kolegët e gazetës arritën që pas disa ditësh ai të lirohet. Madje në burg, një adhuruese e romaneve të tij i kishte dërguar dhe trëndafilë.

    I PËRNDJEKURI BALZAK

    QË TU FSHIHEJ  HUADHËNËSVE, të cilët pothuaj i trokisnin çdo ditë në portë, Balzaku ishte vendosur tashmë në një shtëpizë të vogël jo larg kullës Eiffel, një strehëz nën emrin e sajuar të vejushës Durand, në 13, Rue des Batailles. Jeta po i bëhej një kalvar i vërtetë dhe me këtë ankth të përditshëm nuk mund të shkruante. Por tashmë askush s’mund ta gjente atë, vetëm ata pak miq të cilët dinin kodin apo parrullën e tij: "Kam sjell dantella

    Enjoying the preview?
    Page 1 of 1