Discover millions of ebooks, audiobooks, and so much more with a free trial

Only $11.99/month after trial. Cancel anytime.

Komploti
Komploti
Komploti
Ebook223 pages5 hours

Komploti

Rating: 0 out of 5 stars

()

Read preview

About this ebook

Ngjarjet zhvillohen në vitin 2044, kur në Shqipëri është krijuar një komunitet i madh afgan, ndërkohë që popullsia shqiptare është pakësuar mjaft. Afganët, që tashmë thuajse janë shndërruar në shtet brenda shtetit, kërkojnë të pushtojnë Kosovën për të krijuar një shtet më të madh, ose një Afganistan të ri në mes të Europës. Një plan që shqiptarëve çuditërisht nuk u pëlqen, por nuk kanë forcë ta kundërshtojnë. Rreshtimi i Amerikës dhe Rusisë në këtë konflikt mes shqiptarëve dhe afganëve mund të shkaktojë një Luftë të Tretë Botërore. Në këtë lojë futen edhe tre hebrenj të krisur që, për arsye të ndryshme, përpiqen të thurin një komplot për të penguar pushtimin e Kosovës nga Shqipëria dhe aleancën e kësaj të fundit me Amerikën. Tre hebrenjtë do të luajnë deri në fund gjithë fijet e një konspiracioni, fundi i të cilit do të jetë befasues dhe i paimagjinueshëm për të gjithë.

LanguageGjuha shqipe
PublisherBen Blushi
Release dateNov 14, 2023
ISBN9798215371367
Komploti
Author

Ben Blushi

Romani “Komploti” është botimi i dhjetë i Ben Blushit. Ai e ka filluar krijimtarinë letrare me vëllimin “100 ushtarë”, mandej me romanet “Të jetosh në ishull”, “Otello, Arapi i Vlorës”, “Shqipëria”, “Kandidati” dhe “Kryeministri”; esetë politike “Hëna e Shqipërisë” dhe “Letër një Socialisti”; si edhe librin me portrete “41 sekrete”. Ben Blushi është nderuar me çmime të ndryshme letrare, si çmimi “Kult” (2015) si eseist i vitit për “Hëna e Shqipërisë”, Çmimi Europian për Letërsinë (2014) për romanin “Otello, Arapi i Vlorës”, çmimi “Lumo Skëndo” (2022) për librin “41 sekrete”. Së fundi, Ben Blushi i është kushtuar artit të fotografisë.

Related to Komploti

Related ebooks

Reviews for Komploti

Rating: 0 out of 5 stars
0 ratings

0 ratings0 reviews

What did you think?

Tap to rate

Review must be at least 10 words

    Book preview

    Komploti - Ben Blushi

    BEN BLUSHI

    KOMPLOTI

    Kryeredaktore: Aida Baro

    Redaktore letrare: Aida BARO

    Korrektore letrare: Ornela LECI

    Paraqitja grafike: Elvis BEJTJA

    Kopertina: Florinda ZONJA

    Fotografia e kopertinës: Ben BLUSHI

    Shtypi: Shtypshkronja Pegi, Lundër, Tiranë

    ISBN: 978-9928-371-62-1

    Koncepti i kopertinës dhe logos Skandal nga Meri File

    Ilustrimi i kopertinës nga Florinda Zonja

    © Botime Pegi, nëntor 2023

    Të gjitha të drejtat për këtë botim në gjuhën shqipe janë tërësisht të zotëruara nga Botime Pegi shpk. Ndalohet çdo riprodhim, fotokopjim, përshtatje, shfrytëzim ose çdo formë tjetër qarkullimi tregtar, pjesërisht ose tërësisht, pa miratimin paraprak nga botuesi.

    Botime Pegi: tel: +355/ 042 468 833; cel: +355/ 069 40 075 02;

    e-mail: botimepegi@botimepegi.al; web: www.botimepegi.al

    Sektori i shpërndarjes: cel: +355/ 069 20 267 73; 069 60 778 14;

    e-mail: marketing@botimepegi.al

    Shtypshkronja Pegi: cel: +355/ 069 40 075 01;

    e-mail: shtypshkronjapegi@yahoo.com

    1.

    Në vjeshtën e vitit 2043, tre çifutë u takuan në plazhin e Durrësit. Ky takim do të ishte i parëndësishëm për kujtimet e secilit prej tyre dhe as do të gjente vend në ndonjë nga arkivat që regjistrojnë komplotet e shumta të çifutëve nëpër botë, sikur atë ditë të mos ndodhte një ngjarje që do t’i detyronte tre çifutët të organizonin një plan për të devijuar rrjedhën e historisë së një shteti të vogël si Shqipëria.

    Ja çfarë kishte ndodhur.

    Një afgan sapo ishte emëruar ministër i Mbrojtjes në qeverinë shqiptare. Quhej Mohamed Durrani. Ai kishte lindur në Afganistan, në familjen e Khan Durranit, i cili ishte pasuesi i 12-të, në linjë mashkullore, i padishahut të madh të Afganistanit, Ahmed Shah Durranit, që në vitin 1747 ishte shpallur mbret dhe më pas, duke bashkuar shumë fise, duke vrarë shumë kundërshtarë dhe duke pushtuar shumë territore, kishte krijuar Afganistanin modern.

    Mohamed Durrani, ministri i 67-të i Mbrojtjes së Shqipërisë dhe pasuesi i 13-të i Ahmed Durranit të Madh, ishte 49 vjeç. Përveçse një avokat i mirë dhe i përkushtuar, Mohamed Durrani ishte kampion i kanoes, sport, i cili dukej krejtësisht i pamundur në Afganistan, një vend që nuk laget nga asnjë det. Mohamed Durrani ishte dashuruar me kanoen duke parë fqinjët e tij anglezë, bij diplomatësh, mësuesish, mjekësh dhe tregtarësh, që sa herë nuk kishte shumë erë, nxirrnin kanoet e tyre në lumin e ndotur të Kabulit, ngrinin dallgë të lehta dhe eksitonin vajzat e pasura afgane që e ndiqnin garën me gjyzlykë dielli dhe me shami me ngjyra në kokë.

    Në gati 30 vjet që merrej me sportin e kanoes, Mohamed Durrani kishte lundruar në rrjedhat e gjithë lumenjve të shumtë të Afganistanit dhe mbi sipërfaqen e shkëlqyer të shumë liqeneve akullnajore, që ngjanin si pasqyra bojëqielli, mbi të cilat kanoe vizatonte vija të drejta dhe të bardha. Me ardhjen e talebanëve sërish në pushtet në vitin 2021, ai ishte larguar nga Afganistani si mijëra afganë të tjerë, por fati kishte dashur që të vinte në një vend me shumë ujëra dhe mbi të gjitha, me det siç ishte Shqipëria.

    Mohamed Durrani ishte vendosur, bashkë me mijëra afganë të tjerë, në Shëngjin, një plazh në perëndim të Lezhës, një qytet i vogël që njihej për prodhimin masiv të akulloreve, të cilat, si të gjithë afganët, edhe ai i kishte shumë qejf. Në Shëngjin, moti ishte i mirë, deti, i qetë dhe kishte diell pothuajse gjatë gjithë vitit. Mohamed Durrani dilte çdo ditë në breg me kanoen e tij, madje, arriti të krijonte të parin ekip kanoistësh me përbërje të përzier, shqiptarë dhe afganë.

    Gazetat filluan të shkruanin për Mohamed Durranin diku nga viti 2033, atëherë kur ekipi i tij shqiptaro-afgan mori pjesë në një garë me kanoe, në lumin Vistula, në Krakovë të Polonisë, ku u rendit i katërti pas Italisë, Francës dhe vetë Polonisë. Mohamed Durrani që ishte jo vetëm themeluesi, por edhe kapiteni i ekipit, u bë shumë i njohur. Mohamed Durrani, afgani që solli kanoen në Shqipëri, ose Mohamedi, Profeti i Ujërave ose Mohamedi si Noah me Kanoe, ishin disa nga titujt e televizioneve që nxitën shumë njerëz të shkonin në Shëngjin për të ndjekur stërvitjet me kanoe.

    Mohamed Durrani e shijonte famën. Kur moti ishte i mirë, deti, i ulët dhe bregu mbushej me të rinj që prisnin të shikonin lundrimin e kanoes vezulluese, ai nxirrte muskujt, ekspozonte dhëmbët e tij të bardhë dhe duke ngritur lopatat në ajër, përshëndeste vajzat e rreshtuara në breg. Ato qeshnin e prisnin që Mohamedi të dilte nga deti për të bërë një fotografi dhe atij i kujtoheshin ditët në Kabul, kur anglezët silleshin njëlloj me vajzat afgane.

    Ai kishte blerë një apartament të vogël dhe përpiqej të bindte nënën dhe motrën e tij të mbetura në Kabul, që të vinin dhe të jetonin me të në Shqipëri. Ato ishin të vetmit njerëz që kishte në këtë botë dhe ndërkohë që ai u shkruante letra, merrte gjithmonë si përgjigje një kërkesë nga nëna e tij, për t’u martuar me një afgane dhe për të bërë një djalë. Ai duhej me çdo kusht të siguronte vazhdimësinë e dinastisë Durrani, e cila kishte krijuar dhe qeverisur Afganistanin për shekuj. I ati, që kishte vdekur gjatë një aksidenti automobilistik, ishte Durrani numër 12, ai vetë ishte Durrani numër 13 dhe e kishte detyrë jete që të sillte në këtë botë Durranin numër 14.

    Megjithëse nuk ngutej, duke menduar se me ardhjen e nënës dhe motrës, mundësia për të krijuar një martesë nga radhët e vajzave afgane të Shëngjinit do të ishte më e madhe, sërish Mohamed Durrani nuk i linte pa shfrytëzuar mundësitë për t’u takuar me vajzat shqiptare. Për shkak të suksesit të kanoes, ai kishte njohur disa vajza nga Tirana dhe kishte kuptuar se shqiptaret vijnë ngadalë, por ikin shumë shpejt. Me pak fjalë, siç i kishte thënë një ditë një shokut të tij afgan, shqiptaret mendoheshin shumë për t’u afruar me një burrë, por nuk mendoheshin fare për ta lënë atë. Dhe të paktën dy shqiptare e kishin braktisur befasisht Mohamed Durranin, çka i kishte kushtuar atij disa ditë trishtim, përtesë dhe dhimbje trupore, që ia bënin të pamundur stërvitjen me kanoe.

    2.

    Një pasdite të vitit 2040, duke dalë nga deti, Mohamed Durrani u njoh me një vajzë. Ajo kishte kohë që e vështronte nga bregu, se si përkulej mbi kanoe, si i ngrinte lopatat nga uji dhe se si i gjithë trupi i tij fekste në rrezet e diellit të shtatorit. Ndërsa ecnin në rërë, vajza i tha se quhej Agetina dhe sapo kishte nisur Universitetin në Tiranë. Tri ditë më vonë, Mohamed Durrani, njoftoi nënën dhe të motrën se do të fejohej me një vajzë shqiptare, çka u prit me britma paniku prej tyre, pasi në ligjin e pashkruar të familjes Durrani, pasardhësit duhet të ishin me gjak afgan të pastër nga të dy prindërit. Siç i tregoi pas disa ditësh e motra, gjendja shëndetësore e së ëmës ishte rënduar edhe më shumë, kur kishte marrë vesh se Agetina, nusja e saj e re, nuk ishte myslimane, por katolike.

    Tre muaj më vonë, për Krishtlindjen e vitit 2040, Mohamed Durrani dhe Agetina Pagjini u martuan. Agetina erdhi në Shëngjin, në apartamentin e Mohamed Durranit, kundër dëshirës së babait të saj, i cili këmbëngulte që ata të jetonin në Tiranë, në mënyrë që Agetina të vazhdonte shkollën. Mohamed Durrani u tregua i gatshëm, duke menduar se në Tiranë, ndoshta do të kishte më shumë mundësi për t’u pasuruar, ndërsa kanoen mund ta vazhdonte në Durrës, por Agetina kundërshtoi, duke i thënë se do ta linte shkollën një vit, sepse donte të lindte një djalë.

    Babai i Agetinës, Serafin Pagjini, ishte një burrë i njohur dhe me shumë influencë në Veri dhe prandaj, disa vite më parë, ishte bërë deputet. Ai kishte qenë përgjegjës i portit të Shëngjinit dhe kishte bërë shumë pasuri duke kaluar anije me naftë, të cilat u shpëtonin detyrimeve doganore, duke paguar nën dorë Serafin Pagjinin. Me këto para, kishte blerë një anije të vogël peshkimi dhe në kohën që Agetina u martua, ai zotëronte një flotë me 15 anije që i binin Adriatikut kryq e tërthor, deri afër ujërave italiane, për të kapur peshk. Motoja që drejtonte jetën e ashpër të Serafin Pagjinit ishte: Peshku që kërkon ushqim në tokë, nuk kthehet më në det. Me këtë shprehje të lagur si një peshqir, me të cilën ai shuante zjarrin e ambicies për pushtet, Serafin Pagjini u kishte shpëtuar shumë stuhive që ndodhnin në detin e trazuar të politikës shqiptare. Shumë miq të tij kishin përfunduar nëpër burgje, por ai kishte rezistuar, duke u ikur dallgëve që gjithnjë ishin më të larta dhe flakëve që gjithnjë ishin më të uritura.

    Serafin Pagjinit iu desh t’i shpjegonte natyrën e egër të politikës shqiptare Mohamed Durranit, ditën që i propozoi

    të bëhej kryetar i Bashkisë së Shëngjinit. Agetina ngriu, ndërsa Mohamed Durrani u habit. Pse mua, e pyeti vjehrrin. Sepse sot Shëngjini është një qytet afgan, u përgjigj Serafin Pagjini. Kur ti erdhe këtu, ju ishit disa mijëra. Sot, në gjithë Shqipërinë, janë më shumë se 200 mijë afganë dhe numri i afganëve do shtohet, sepse ju lindni më shumë, ndërsa ne shqiptarët pakësohemi. Pas kësaj bisede mes babait dhe burrit, Agetina i tha Mohamed Durranit: Ti nuk do bëhesh kryetar i Bashkisë së Shëngjinit, nëse unë nuk lind një djalë.

    Atë natë, Mohamedi dhe Agetina fjetën bashkë, pa folur asnjë fjalë, por duke u përpjekur të bënin detyrën e tyre, u kryqëzuan, u rrotulluan dhe u ndanë atëherë kur Agetina kuptoi se diçka fëshfëriti në barkun e saj, ndërsa ai, duke menduar se pasi të bëhej kryetar i bashkisë, do të ngrinte diku përballë detit, me fytyrë nga Europa, bustin e stërstërgjyshit të tij, Ahmed Durranit të Madh, njeriut që kishte pushtuar Azinë për të krijuar Afganistanin.

    3.

    Gjashtë muaj më vonë, në nëntor të vitit 2041, pas një fushate shumë të ashpër, gjatë së cilës partitë kundërshtare e kishin konsideruar tradhti votën e shqiptarëve për një të huaj, për më tepër, një emigranti afgan, ai ishte zgjedhur kryetar i Bashkisë së Shëngjinit, me 12 vota më shumë se kandidati tjetër që ishte një banor i vjetër i Shëngjinit.

    Zgjedhjet në Shëngjin kishin qenë një betejë mes afganëve dhe shqiptarëve. Të gjithë afganët kishin votuar për Mohamed Durranin dhe të gjithë shqiptarët për kundërshtarin e tij. Shtypi dhe kritikët e Tiranës ishin marrë në mënyrë agresive me zgjedhjet në Shëngjin, duke i konsideruar si një kurorëzim të shpopullimit të Shqipërisë. Mohamed Durrani përfaqëson fillimin e qeverisjes së shqiptarëve nga të huajt, thoshin në Tiranë dhe pas tij, sigurisht që do të vijnë të tjerë, ndoshta sirianë, të cilët ishin shtuar shumë rrugëve të Shqipërisë apo edhe iranianë, të cilët edhe ata kishin krijuar komunitetin e dytë më të madh në Shqipëri, pas afganëve.

    Një muaj pasi Mohamed Durrani u zgjodh kryetar bashkie, Agetina lindi një vajzë. Nuk e mbajte fjalën, i tha Agetina. Unë të kërkova djalë, ti më dhe vajzë dhe kjo do të thotë se nuk do t’i mbarosh katër vite si kryetar në Shëngjin. Vajza, që u quajt Farida Durrani, në nderim të gjyshes së Mohamed Durranit, ishte një krijesë e vogël, e cila nuk dëgjohej edhe kur qante dhe kishte një balluke të zezë, të gjatë, që dukej si e prerë nga flokët e babait të saj. Farida, emri mysliman i së cilës nuk i pëlqeu aspak Serafin Pagjinit, lindi shtatanike dhe krevati që i kishin blerë, dukej bosh edhe kur ajo ishte aty e mbuluar me jorganë dhe çarçafë ngjyrë rozë.

    Kur Farida mbushi një vjeçe, Agetina kërkoi ta nxirrnin për herë të parë në det. Teksa dolën në det, ndërkohë që ai i lëvizte ngadalë lopatat për të mos lagur Faridën, të cilën Agetina e mbante ulur në prehër, shumë banorë të Shëngjinit, shqiptarë dhe afganë, u mblodhën në breg për të parë familjen më të njohur të qytetit. Inati që shqiptarët kishin ndaj Mohamed Durranit, përmbahej sa herë mendonin se gruaja e tij, Agetina, ishte shqiptare njëlloj si ata.

    Atë ditë, dielli po skuqte në perëndim dhe nga jugu vinte një erë e lehtë, që ia ngrinte balluken e gjatë Faridës. Mohamed Durrani ndihej i lumtur dhe duke parë familjen e vet, mendonte se ndryshe nga shumë afganë të tjerë, ai nuk do të donte të kthehej më në Afganistan, edhe nëse talebanët rrëzoheshin nga pushteti. Shqipëria ishte atdheu i tij i dytë dhe ndërsa shihte njerëzit që e përshëndesnin me dorë, u kthye nga Agetina dhe e pyeti: A mendon se shqiptarët më duan? Agetina e pa në sy dhe u përgjigj: Shqiptarët i duan gjithmonë pushtuesit, kurse ti je si ata, sepse vjen nga një vend i pushtuar.

    Mohamed Durrani kishte dëgjuar shumë për shqiptarët, për natyrën e tyre të egër dhe mosmirënjohëse, por përcaktimin e Agetinës nuk e kishte ndeshur kurrë dhe prandaj u mat ta pyeste se çdo të thotë që shqiptarët duan vetëm pushtuesit, por në atë moment, një dallgë e lehtë u përplas pas kanoes duke lagur Faridën, e cila u tremb dhe filloi të qante. Agetina i rregulloi flokët, i fshiu fytyrën dhe i bëri me shenjë Mohamed Durranit të ktheheshin në breg. Kur disa gra shqiptare që po prisnin, u afruan për t’i takuar, Mohamed Durranit iu dukën ndryshe dhe mendoi se ky vend, herët a vonë, ndoshta do ta zbonte.

    4.

    Nga fundi i vitit 2043, ditën që Farida mbushi dy vjeçe, një bombë shpërtheu në kampin iranian afër Tiranës dhe Serafin Pagjini që ishte duke festuar ditëlindjen e mbesës, iku me ngut.

    Hedhja e bombës mbi fjetoret e muxhahedinëve, nga shpërthimi i së cilës vdiqën disa iranianë, e rrëzoi qeverinë që prej kohësh dukej e lëkundur. Pas bisedimeve të gjata, partitë shqiptare vendosën të zgjidhnin një kryeministër të ri, që nuk ishte pjesë e asnjë partie.

    Ky ishte Raul Fico, ish-ambasador, 82 vjeç, i cili kishte shërbyer si diplomat në shumë vende, përfshi Kinën, Katarin dhe disa herë në Amerikën Latine, pa folur pastaj për Finlandën, Slloveninë dhe Hungarinë, ku kishte qëndruar më gjatë. Ky burrë, që kishte dalë në pension prej kohësh dhe nuk kishte më shpresë se dikush mund të kujtohej për ta thirrur të shërbente, ishte duke lexuar për herë të tretë në katër vitet e fundit, librin e Kurcio Malapartes, Teknika e grushtit të shtetit, kur e morën në telefon dhe i thanë se do të bëhej Kryeministër. Si nuk më lanë një herë ta mbaroj deri në fund këtë libër, tha me vete Raul Fico, që u kujtua se herën e parë e kishte ndërprerë leximin kur i kishte vdekur gruaja dhe herën e dytë kur e kishin njoftuar se vuante nga një kancer në stomak. Pavarësisht vdekjes së gruas para tri vitesh dhe kancerit që ia shtonte sikletet me ushqimin dhe peshën, Raul Fico kishte qejf të vishej mirë, të tymoste një puro çdo darkë dhe mundësisht, t’i shtonte kësaj shoqërie një gotë konjak francez, të cilin më shumë se e pinte, i merrte erë me hundë, duke u hedhur kështu pak parfum netëve të tij të vetmuara. Dy vitet e fundit, e kishte rralluar konjakun, nën presionin e fëmijëve, të cilët megjithatë, nuk e kishin bindur dot se rrjedhja e përnatshme e asaj çezme alkooli në lavamanin e stomakut të tij, ishte arsyeja e kryesore e rritjes së shpejtë të metastazave të kancerit. Ai e dinte që betejën me kancerin nuk do ta fitonte, ndërkohë që bënte çdo përpjekje për ta shtyrë vdekjen sa më larg, me ndihmën e kurave dhe mjekëve që besonin se ai kishte një organizëm të fortë, një durim premtues dhe një karakter të dobët.

    Vetë Raul Fico nuk kishte shumë besim te fiziku i tij, por mendonte se karakteri i dobët mund të ishte një armë e fortë në betejën e përditshme me stomakun e mbushur me damarë të këqij. Sipas tij, njerëzit pa karakter vuajnë më pak nga stresi që, sipas shkencës, është shkaku kryesor i kancerit. Pra, me pak fjalë, teoria e Raul Ficos ishte kjo: Njerëzit e mirë vdesin më shpejt se njerëzit e këqij. Kështu që, kur ishte diagnostikuar vetë me kancer, kishte menduar se megjithëse gjithë jetën ishte përpjekur të ishte njeri i keq, nuk ia kishte arritur dot dhe kanceri ishte një provë e faktit që ai ishte njeri i mirë. Ose më saktë, ai kishte arritur të mbetej njeri i mirë, kundër dëshirës së vet. Ky ishte dështimi më i madh që Raul Fico i njihte vetes. Nuk kishte arritur dot të bëhej i keq. Ose aq i keq sa duhej për të shpëtuar nga një sëmundje vdekjeprurëse.

    Raul Fico kishte bërë eksperimente të plota me karakterin e tij gjatë martesës së gjatë dhe të lodhshme që kishte pasur. Ai e kishte kthyer martesën në diplomaci pasive, por asnjëherë në lumturi aktive. Nëse dikush do ta pyeste se çfarë ishte gjëja për të cilën kishte investuar më shumë në jetë, ai do të përgjigjej: Arritja më e madhe në jetën time është që munda të kthej një martesë të palumtur, në një burokraci praktike. Kjo do të thotë se në 50 vjet martesë, ia kishte dalë të bashkëjetonte me një grua, të cilën e urrente, duke u fshehur pas administrimit të punëve të vogla, si: larja e enëve, hekurosja e këmishëve, zierja e vezëve, rregullimi i antenës, blerja e mishit, derdhja e plehrave apo vendosja e çadrës në plazh, e deri te shëtitja e qenit në oraret e drekës. Raul Fico ishte një dembel, të cilin neveria për gruan, e kishte kthyer në një burrë praktik. Të paktën 20 vitet e fundit, ishte lutur çdo ditë që ajo të vdiste.

    Kur më në fund gruaja kishte vdekur, fëmijët ishin habitur që ai nuk kishte qarë dhe madje as ishte mërzitur.

    Gjatë varrimit, ai mendonte për jetën që prej kohësh përgatitej të kishte kur të mbetej vetëm. Nëse nuk do të kishte sëmundjen e stomakut nëpër këmbë, Raul Fico do të kishte jetuar si një adoleshent i thinjur, që u kushtohet udhëtimeve, leximeve dhe konjakut në mbrëmje. Gratë nuk ishin

    Enjoying the preview?
    Page 1 of 1