Discover millions of ebooks, audiobooks, and so much more with a free trial

Only $11.99/month after trial. Cancel anytime.

The Old Bridge
The Old Bridge
The Old Bridge
Ebook355 pages4 hours

The Old Bridge

Rating: 0 out of 5 stars

()

Read preview

About this ebook

Në këtë libër, përveç studimeve të thelluara në çështje teorike të veprave letrare nga letërsia shqipe, lexuesi gjen edhe artikuj formues dhe informues të vlefshëm për autorë, vepra, figura e pe

LanguageGjuha shqipe
Release dateDec 21, 2020
ISBN9780578769974
The Old Bridge

Related to The Old Bridge

Related ebooks

Reviews for The Old Bridge

Rating: 0 out of 5 stars
0 ratings

0 ratings0 reviews

What did you think?

Tap to rate

Review must be at least 10 words

    Book preview

    The Old Bridge - Arjeta Ferlushkaj

    Lexuesit

    Të gjitha shkrimet e përfshira në këtë përmbledhje, nuk janë shkruar për t’u bërë pjesë e një libri. Ato janë shkruar në kohë të ndryshme dhe për arsye po ashtu të ndryshme.

    Përgatitja e kësaj përmbledhjeje më bëri të kthej kokën pas, kur po hidhja hapat e parë në rrugën e mendimit analitik e kritik në letërsi. E kam nisur me Ernest Koliqin, për të cilin kam hulumtuar gjatë përgatitjes për diplomimin. Kam vazhduar me Ridvan Dibrën, për të cilin kam bërë kërkime për studimet në programin Master dhe për shkollën doktorale.

    Puna në Bibliotekën e Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi" ka qenë një ndihmesë e madhe në rritjen cilësore të kërkimeve të mia, gjithashtu edhe bashkëpunimi me pedagogët e Departamentit të Letërsisë dhe të Gjuhësisë pranë Universitetit të Shkodrës dhe atij të Tiranës.

    Ndryshe nga profili i ndërtuar në Shqipëri, ku fokusi im ishte i përqëndruar kryesisht në letërsi, me ardhjen time në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me dëshirën për të kontribuar në ruajten dhe promovimin e identitetit kombëtar, gama e interesit duhej ta tejkalonte letërsinë. Për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, Shqipëria shihet ndryshe. Ndaj për ta, bëhet e rëndësishme që të gjejnë mundësi e mënyra që të mbajnë në këmbë urat lidhëse mes dy vendeve, mes dy kulturave: asaj të origjinës dhe asaj ku po punon per t’u integruar. Për këtë qëllim, në këtë libër janë përfshirë disa shkrime që nuk lidhen drejtpërdrejt me letërsinë, por që janë kontribute në shërbim forcimit të këtyre urave. Kam dashur që në fillim ta përcjell tek lexuesi dhe bashkëatdhetari im këtë synim, që rrok qoftë mirënjohjen për ata që shkelën para nesh këtë shteg, e qoftë udhëzimin dhe mesazhin për brezin tjetër.

    Ky reflektim i ka dhënë edhe titullin librit.

    Meqënëse në libër janë përfshirë shkrime që datojnë që nga viti 2007, e mendova të arsyeshme që të dhënat për subjektet e përfshira në libër të jenë të përditësuara nga kërkime dhe verifikime që janë bërë këtë vit. Segmenti i emërtuar Profile përmban informacion plotësues historiografik, që mendojmë se mund t’i vijë në ndihmë sidomos lexuesit të specializuar.

    Në përzgjedhjen e këtyre shkrimeve nuk është ndjekur një kriter seleksionues i përcaktuar. Janë përfshirë disa shkrime promovuese, përkujtuese, studime dhe bashkëbisedime (të botuara dhe të pabotuara më parë) me qëllimin për të nxitur tek lexuesi një kureshti për njohje e lexime më të thelluara. Gjithashtu, kjo përmbledhje përbën gurin e parë të hedhur nga ana ime në fortifikimin e urës së vjetër që bashkon Shqipërinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku tashmë është konsoliduar një diasporë elitare.

    Përmendim se, thuajse të gjitha shkrimet janë lënë të paprekura, me gjithë ndryshimet që shkenca e letërsisë apo vetë studiuesi haset me kalimin e viteve. Qëllimisht janë sjellë të tilla për të treguar se rrugëtimi jonë nuk është gjithnjë njësoj dhe çfarë është më e rëndësishmja, se rruga drejt përmirësimit dhe kualifikimit të vazhdueshëm është e gjatë.

    Studimi i letërsisë, për vetë natyrën e saj, nuk është kurrë i përfunduar dhe gjithmonë do të ketë diçka për të shtuar apo për të ndryshuar. Synimi jonë është që, përmes këtij libri lexuesi të gjejë kënaqësi dhe nxitje për lexime shtesë ndërsa, një lexues i specializuar, të nxitet për qasje të tjera apo plotësuese për veprat që janë marrë në shqyrtim ose edhe të sjellë një këndvështrim të ri në fushë të letrave.

    Arjeta FERLUSHKAJ

    New York, nëntor 2020

    URA E VJETËR (THE OLD BRIDGE) – VEPËR ME INTERESIME TË GJERA STUDIMORE

    Arjeta Ferlushkaj (1983) pas librit studimor Pasqyrat e postmodernitetit (2012) vjen me librin e saj të dytë, me përmbledhjen studimore The old bridge-Ura e vjetër. Pasi ka mbaruar studimet në vitin 2006, në degën Gjuhë-Letërsi, Fakulteti i Shkencave Shoqërore, Universiteti i Shkodrës "Luigj Gurakuqi, ka kryer edhe studimet në Master Shkencor në Studime letrare", në Universitetin e Tiranës, ku edhe ka mbrojtur titullin në vitin 2012. Ka marrë pjesë në konferenca shkencore të shumta si dhe ka botuar artikuj shkencorë në revista të profilizuara për studimet e kritikën letrare si dhe në shtypin periodik. Nga viti 2006 deri në vitin 2016 kur emigroi për në Amerikë, ku edhe jeton, ka punuar në Bibliotekën Shkencore të Universitetit të Shkodrës.

    Libri i saj i parë Pasqyrat e postmodernitetit (2012) u prit me interes nga publiku i specializuar në studimin e letërsisë si një studim që do të sillte një studiuese premtuese, në radhën e studiuesve dhe kritikëve të letërsisë shqiptare. Megjithëse një punim për mbrojtjen e diplomës Master Shkencor, në variantin e botuar libri na bindi edhe më tepër për formimin e duhur teoriko-letrar të autores, për talentin dhe temperamentin e saj kërkues. E ardhmja e autores në Shqipëri duhej të kishte qenë ajo e kërkueses shkencore apo e docentes universitare por rrethanat e jetës shpesh na i ndryshojnë parashikimet për të ardhmen. Megjithatë, konstatoj me kënaqësi se autorja vijon ta ruajë e ta kultivojë kërkesën për studimin e letërsisë siç na e dëshmon edhe ky libër i saj i dytë, kërkesë të cilën me siguri do të ketë mundësi ta plotësojë më tej në vendbanimin e saj të ri, në mesin e komunitetit shqiptar në Amerikë, komunitet me një histori të gjatë kontributesh e rezultatesh të rëndësishme për mbijetesën e kulturës dhe letërsisë shqipe.

    Thelbi i këtij libri të dytë shpreh lidhjen e vijueshme të autores me letërsinë dhe studimin e saj, pavarësisht lëvizjes edhe në zhanre të tjera të përafërta si eseja, recensioni për libra e autorë, shkrimi publicistik etj. Kështu, në pjesën e parë të librit me titullin "Shfletime" dominon tipi i shkrimit eseistik dhe recensionesk kryesisht për autorë, vepra letrare apo çështje që lidhen me komunikimin mes veprës letrare dhe lexuesit.

    Ndërsa në pjesën e dytë: "Hulumtime dhe studime" kemi artikuj studimorë më të thelluar në horizontalitetin dhe vertikalitetin e rrafsheve estetikë, formalë dhe përmbajtjesorë të veprave letrare të marra në shqyrtim.

    Në pjesën e tretë: "Urat e shtypit shqiptar të diasporës, kontekstualisht autorja krijon një urë lidhjeje ndërmjet kulturës së vendit mëmë me atë të bijës së saj në diasporën shqiptare të përfaqësuar nga Albania dhe Dielli, dy organet e shtypit shqiptar të diasporës që luajtën një rol emancipues e pasurues të krejt kulturës shqiptare në fund të shek.XIX dhe në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit të njëzetë por edhe më tej përmes gazetës Dielli, e cila vijon rrugën e saj ende edhe sot. Kjo urë përvijohet edhe më tej përmes pjesës së katërt të vëllimit: Modele suksesi, në të cilën portretizohen dy shembuj, ndër shumë të tillë, që manifestojnë arritjet e komunitetit shqiptaro-amerikan: dr. Ermira Babamusta dhe organizata Rrënjët Shqiptare-Albanian Roots".

    Konceptualisht, vëllimi studimor në katër kapitujt por edhe titulli kryesor "The old bridge-Ura e vjetër shpreh edhe zhvendosjen e autores në një kontekst të ri, në atë të jetës së komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e të cilit ajo është bërë tashmë, sigurisht duke ruajtur urat e komunikimit me kulturën mëmë por edhe duke u integruar në atdheun e ri. Siluetat e këtyre urave i vërejmë që në pjesën e parë të vëllimit, tek artikulli Procesi i të lexuarit, sfidat dhe një mundësi për të mësuar, ku shprehet shqetësimi për ruajtjen e kulturës dhe gjuhës shqipe tek nxënësit e komunitetit shqiptaro-amerikan, për të vijuar me pjesën e dytë ku merret në shqyrtim vepra letrare e një autoreje që është pjesë e komunitetit shqiptaro-amerikan, siç është Albana Melyshi Lifschin, ndërsa në pjesën e tretë dhe të katërt Ura e vjetër" na nxjerr gradualisht në kontinentin tjetër…

    Në pjesën e parë "Shfletime vihen në dukje rëndësia dhe vlera e veprës letrare dhe joletrare të disa autorëve të traditës apo bashkëkohësisë, të cilët, ose kanë mbetur jashtë vëmendjes së studiuesve ose është thënë shumë pak për ta. Të tillë janë artikujt për veçori të veprës dhe personalitetit autorëve, si: At Benardin Palajn, At Vinçens Prennushin, por edhe të autorëve të tjerë, si: Ferik Ferra, Mark Lucgjonaj, Fran Camaj, Alfred Çapaliku, Mentor Quku etj. Këto janë shfletime të rastit por edhe fokusime të përgjithshme mbi vepra të caktuara. Në mbyllje të pjesës së parë, autorja, në artikullin Procesi i të lexuarit, sfidat dhe një mundësi për të lexuar", shpreh shqetësimin për një rënie të interesit për leximin e letërsisë nga brezat më të rinj por edhe gjetjen e rrugëve të duhura për t’ua afruar atyre përmes formave më tërheqëse dhe praktike, veçanërisht për nxënësit e shkollave në Shqipëri, por edhe për nxënësit shqiptarë në SHBA. Në këtë artikull autorja e sheh letërsinë, përveçse si një krijim që ngjall përjetime dhe kënaqësi estetike, edhe si një mënyrë efikase për transmetimin e kulturës dhe gjuhës shqipe tek nxënësit me origjinë shqiptare në SHBA.

    Në pjesë e dytë "Hulumtime dhe studime", na shfaqet potenca e autores si studiuese dhe kritike letrare. Përmes një ligjërimi të konsoliduar dhe vënies në përdorim të instrumenteve teoriko-letrare të metodave të ndryshme kritike bashkëkohore, autorja tenton të kryejë interpretime interesante dhe me vlerë mbi veprat letrare të disa autorëve të njohur e më pak të njohur, si: Ernest Koliqi, Elvira Dones, Ridvan Dibra, Albana Melyshi Lifschin, Ag Apolloni.

    Me mjaft interes për studiuesin e letërsisë por edhe për mësuesit e letërsisë apo për të interesuarit e tjerë është qasja kritike ndaj autorëve të sipërpërmendur. Kjo qasje nxjerr në pah vlerat e njëmendta të veprave letrare të bëra objekt si edhe aftësitë e autores për të hyrë në strukturat artistike të këtyre veprave në mënyrë profesionale dhe të guximshme, duke asimiluar përvojat e teorive letrare bashkëkohore të cilat bëhen çelësa për dekodifikimin e mesazheve të fshehta të tekstit letrar apo të mekanizmave me të cilat funksionojnë shtresat tekstuale të veprave të shqyrtuara.

    Në artikullin studimor mbi novelat e Ernest Koliqit, autorja zgjedh konceptet e "kujtesës së pavullnetshme të Proust-it dhe kohën si vazhdim" të Bergson-it për t‘i aplikuar në zbërthim të kodeve të botës shpirtërore dhe psikologjike të personazheve, por edhe të kodeve të tekstit të fshehura në shtresat e katër teksteve të përzgjedhura. Herë pas here autorja i referohet në analizën e këtyre teksteve edhe psikanalizës së Frojdit (Freud), sipas së cilës fëmijëria ka një rol të rëndësishëm në jetën e mëpasme të njeriut.

    Ndërsa, në artikullin kushtuar teknikave narrative që përdor në tregime e novela shkrimtarja Elvira Dones ajo veçon elemente kompozicionalë dhe narrativë, si: mbyllja unazore, analepsën dhe prolepsën, futjen e elementit rast, lojën me kohën dhe hapësirën ndërsa nga ana tematike vlerëson se prozat e Dones paraqesin tjetërsimin e njeriut nën diktaturë, stadin e ri të tjetërsimit të njeriut modern dhe qëndrimin se fati i njeriut është gjithnjë paradoksal.

    Mund të vihet re se, në këto punime autorja synon me qëllim apo intuitivisht të pranëvejë autorë të afirmuar me autorë më pak të afirmuar apo më pak të studiuar, siç është rasti me Koliqin dhe Dones apo Ridvan Dibrën dhe Ismail Kadarenë, Albana Melyshi Lifschin e Ag Apollonin. Në fakt hapësirën më të madhe në këtë kapitull e zënë studimet për autorët që krijimtarinë e tyre e botuan pas vitit 1990 dhe në mënyrë të veçantë autori Ridvan Dibra, vepra e të cilit ka qenë objekt shqyrtimi nga autorja edhe në librin e parë "Pasqyrat e postmodernitetit" (2012) por që tashmë analizohet dhe interpretohet nga pikëvështrime të tjera. Në interpretimet e reja për veprën e Ridvan Dibrës studiuesja është fokusuar në veprat Triumfi i Gjergj Elez Alisë, Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë, Nudo, Mjerimi i gjysmës, Franc Kafka i shkruan të birit, Kanuni i Lekës së Vogël etj. Edhe këtu ajo e zgjeron gamën e kërkimeve dhe inventarizimeve në drejtim të elementeve postmoderne në prozat e këtij autori, veprën letrare të të cilit studiesja e përshkruan të pasur me veçori dhe tipare të letërsisë postmoderniste. Besoj se kontributi i interpretimeve kritike të lidhura me këtë autor do të përbëjnë një ndihmesë me vlerë për studiuesit e tjerë që mund të merren me veprën e tij letrare në të ardhmen. Përmes këtyre studimeve, ajo ofron disa mundësi praktike dhe teorike për t’iu qasur teksteve problematike dhe provokative të shkrimtarit Ridvan Dibra.

    Në veçanti, studiuesen e kanë intriguar elementët e letërsisë moderne dhe postmoderne në strukturat artistike të veprave letrare të autorëve shqiptarë bashkëkohorë, në strukturat narrative dhe kompozicionale si edhe në ato semantike. Kërkimi i saj mëton të gjejë dhe të inventarizojë se si funksionojnë këto struktura në raport me veçori të tjera të veprës letrare dhe çfarë ndikimi kanë ato tek vlera estetike e tekstit letrar.

    Zakonisht, një pjesë e studiuesve të letërsisë preferojnë të merren me vepra dhe autorë të konfirmuar për vlerat e veprës së tyre letrare. Studiuesja Arjeta Ferlushkaj guxon edhe në këtë drejtim ta thotë fjalën e saj, ndaj me interes janë edhe artikuj studimorë për shkrimtarë pothuajse të pastudiuar siç është rasti i shkrimtarit shkodran Qemal Draçini (1922-1947), i cili vdes në moshë fare të re për shkak të torturave në burgjet komuniste. Në artikullin në fjalë studiuesja merr në shqyrtim tregimin "Era" si një shembull të qartë të talentit të ndërprerë të një prozatori që premtonte shumë të ishte ndër shkrimtarët e rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqipe, nëse nuk do të binte mbi të kazma e diktaturës komuniste, e cila synoi ta varroste përgjithmonë edhe veprën e tij letrare. Pjesë e kësaj kurajoje profesionale janë edhe studimet për vepra letrare të shkrimtarëve Albana Melyshi Lifschin dhe Ag Apolloni. Albana, një nga shkrimtaret e talentuara, pjesë e komunitetit shqiptaro-amerikan e Agu një nga shkrimtarët e talentuar të brezit më të ri në Kosovë. Kësisoj, studiuesja ka përvijuar, me siguri jo rastësisht, edhe një përfaqësim simbolik të degëve të letërsisë tonë kombëtare.

    Në artikullin për romanin Yjet nuk janë të kuq, evidentohen mjetet që janë përdorur për të ndërtuar autenticitetin brenda rrëfimit artistik si dhe shqyrtohet lloji dhe roli i komunikimit që veprat e kësaj autoreje ndërtojnë njëra me tjetrën (dialogimi). Shqyrtimi në roman i raporteve ndërmjet fakteve të jetës reale dhe atyre fiksionale, ndërmjet jetës nën regjimin komunist në Shqipëri dhe përpjekjes për integrim të emigrantëve në SHBA, përbën një nga synimet e këtij studimi që nxjerr në pah natyrën e veçantë të veprës letrare të shkrimtares Albana Melyshi Lifschin.

    Artikulli për librin Mesjeta ime të shkrimtarit Ag Apolloni është ndër më interesantët e këtij vëllimi dhe përveç zhdërvjelltësisë në përdorimin e termave kritikë, tek autorja dallohet edhe frymëzimi për të provuar klasifikime kundra rrymës apo kundra termave tradicionalë me të cilët zakonisht klasifikojmë se kur një tekst përbën një tekst letrar, poezi, tregim apo roman. Kjo edhe për shkak të lëvizshmërisë së natyrës së tekstit të veprës në fjalë, tekst që kalon herë nga domeni i tekstit letrar e herë nga domeni i tekstit eseistik autobiografik apo tjetër fare. Duke qenë një vepër kapriçioze (studiuesja e pranëvë me roman-à-clef, roman çelës, term i Madeleine de Scudéry) me një tekst të luhatshëm dhe vështirë të klasifikueshëm, studiuesja zgjedh t’i qaset duke çmontuar kodet e saj si mënyra më interesante për të komunikuar me veprën, por edhe për t’ia zbuluar atë lexuesit të mundshëm. Kjo tentohet përmes analizës dhe interpretimit të pesë kodeve të aplikuara në vepër: Inventio (Eurexis), Dispositio (Taxis), Elocutio (Lexis), Memoria (Mnemoa), Pronuntiatio (Hypocrisis).

    Në pjesën e tretë të vëllimit: Urat e shtypit shqiptar të diasporës, në artikullin për gazetën "Albania (1897-1909) të drejtuar nga Faik Konica, autorja thekson rolin e tij në programin dhe orientimin e Albania drejt kulturës evropiane perëndimore. Roli i kësaj gazete në krijimin e një fryme dhe letërsie kritike të shkëputur nga propaganda e thatë atdhetare lidhet pazgjidhshmërisht me idetë dhe projeksionet që kishte Konica për kulturën shqiptare. Konica me Albaninë" e tij u bë një parapërgatitës edhe i zhvillimeve të letërsisë dhe kulturës shqiptare në fundin e shekullit të XIX dhe fillimin e shekullit XX. Siç e analizon edhe autorja në këtë artikull, vërtetë që "Albania" cilësohet si kryevepra e tij, e cila duhet parë edhe si urë që lidhi e përtëriu lidhjet e kulturës shqiptare me atë evropiane perëndimore dhe merita padyshim i takon Faik Konicës, i cili e shihte shpëtimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve vetëm duke ndjekur modelin jetës dhe kulturës së qytetërimit evropian perëndimor.

    Me mbylljen e "Albanisë, Konica do t’i përkushtohet bashkë me Fan Nolin gazetës tjetër Dielli" në Amerikë, e cila pati një jetë më të gjatë… Në artikullin në vijim, i kushtohet rëndësi rolit dhe misionit të gazetës "Dielli" për ndriçimin dhe afirmimin e kulturës kombëtare, por edhe për ruajtjen e identitetit të saj në rrethanat jetësore të komunitetit shqiptar në Amerikë përgjatë një shekulli e në vijimësi. Siç shtjellohet edhe në këtë artikull, gazeta "Dielli" u bë një universitet për emigrantin shqiptar në botën e re. Autorja konsideron se gazeta "Dielli vijon misonin e saj edhe në ditët tona duke ruajtur ato parime e motive që ishin në themel të krijimit të saj, pavarësisht ndryshimeve e përshtatjeve me kohën dhe rrethanat e reja në të cilat ajo botohet. Studiuesja vë në dukje, me këtë rast, lidhjet mes shoqatës Vatra dhe gazetës Dielli", lidhje të cilat i shërbejnë komunikimit me komunitetin shqiptar dhe përcjelljes së mesazhit se ata nuk janë vetëm…

    Në pjesën e katërt të librit: "Modele suksesi", kemi dy shkrime publicistike të kushtuara modeleve të sukseshme të shqiptarëve që jetojnë në Amerikë, artikulli për dr.Ermira Babamusta dhe organizatën shqiptare "Rrënjët Shqiptare - Albanian Roots. Përmes këtyre artikujve, autorja dëshiron të përçojë mesazhin se përmes punës dhe angazhimit shqiptarët që jetojnë në Amerikë mund t’ia dalin madje me sukses deri në nivelet më të larta të administratës amerikane si shembulli i dr. E. Babamusta, drejtoreshë e fushatës elektorale për presidentin Obama, e vlerësuar për punën dhe angazhimin e saj me çmime e tituj të lartë, apo shembulli i aktivistëve të organizatës Rrënjët Shqiptare - Albanian Roots", e cila luan një rol të rëndësishëm në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan.

    Pjesa më e madhe e artikujve dhe studimeve të paraqitura në këtë vëllim studimor janë botuar në disa organe të shtypit dhe në revista shkencore të profilizuara në studimet letrare, pra e kanë kaluar filtrin e verifikimit të disa vlerave thelbësore që duhet të kenë punime të kësaj natyre. Mbetet që me këtë botim të zgjerohet rrethi i receptimit të tyre, duke synuar publikun e specializuar në fushat që u përkasin artikujt, por edhe publikun tjetër që përveç studimeve të thelluara në çështje teorike të veprës letrare, mund të gjejnë artikuj formues dhe informues të vlefshëm për autorë, vepra, figura e personazhe të botës shqiptare. Pra, kategori me interesa të ndryshme kulturore mund të gjejnë veten në secilën nga pjesët e këtij vëllimi studimor.

    ¹Prof.as.dr. Arben PRENDI

    Shkodër, më 11.11.2020


    ¹ Prof. as. dr. Arben Prendi është drejtor i Departamentit të Letërsisë pranë Universitetit të Shkodrës Luigj Gurakuqi.

    SHFLETIME

    ²Bernardin Palaj, poeti në fletët e pakta të studiuesve

    Më 8 dhjetor 2007 u bënë 60 vjet pa shkrimtarin, folkloristin, poetin, muzikologun dhe etnografin dukagjinas Bernardin Palaj. Me këtë rast ia kemi për borxh këtij njeriu pak fjalë përkujtuese, pasi, po të shprehemi me fjalët e shkrimtarit dhe studiuesit Alfred Çapaliku Palaj mori në popull diçka pastaj i ktheu atij gjithçka. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të hulumtojë Bernardinin poet, por më së shumti të paraqesë një shtrirje gjeografike të tij ndër shkrimet e studiuesve.

    Bernardin Palaj na ka lënë gjithsej 5691 vargje poetike (përjashtuar poezinë "Kosova e robnueme dhe një pa titull kushtuar Koliqit). Nuk duhet vënë në dyshim se ky numër do të ishte rritur edhe më, nëse ai s’do e frenonte" veten. Bernardini nuk e la të lirë frymëzimin e lindur prej poeti, sidomos atë epik. Arsyeja ishte mos me dhanë përshtypjen që donte të matej me Mjeshtrin e Madh (Gjergj Fishtën-shën.im-A.F.) (A.Çapaliku, 2003:228)

    Se sa potencial kishte ai në epikë, pos´ vargjeve që ka lënë, e dëshmon edhe vetë Fishta kur thotë "mund t´ma kalojë edhe mue".

    Në shpërthimet e tij të para poetike, Palaj është maskuar nën pseudonime jo gjithmonë të njëjta. Në poezinë e parë Prej burgut të jetës, ai fshihet nën pseudonimin Kukël Lapaj. Më pas, emrin e tij do ta gjejmë të fshehur pas Costandinus dhe Viator.

    Në qarqet letrare, sidomos në rang kombëtar, Palajt nuk i njihen vlerat e meritat ashtu siç duhet, pavarësisht se ai konsiderohet si një ndër ata shkrimtarë të viteve ´30 që e nxorën letërsinë shqipe nga monotonia e temave dhe e formave. (A. Çapaliku, 2003:228)

    Alfred Çapaliku, i vetmi që ka hartuar një monografi mbi Bernardin Palaj³, me të drejtë vë në dukje se përhapja e botimeve të tij nëpër organe të ndryshme shtypi të asaj kohe do të sillte si pasojë mungesën e interesimit të studiuesve, por edhe lexuesve për vlerat e krijimtarisë së dukagjinasit Palaj. Por jo vetëm kjo. Ashtu si mjaft shkrimtarë të tjerë klerikë, duke nisur që nga Fishta etj., mospërfshirja e tij ndër libra antologjie apo studimorë ishte e qëllimshme.

    Përpjekjet e Koliqit për hulumtime rreth poezisë së Palajt janë cilësore, por sporadike. Atij i mjaftoi vetëm cikatja e disa krijimeve të Palajt për t´i dhënë një "vend të ndershëm" në letërsinë shqiptare. Këto i botoi nëpër faqe gazetash e revistash duke mos vonuar të sinjalizojë lexuesin dhe studiuesin: Bernardin Palaj ishte talent i lindur dhe nuk meriton të lihet në harresë. Jo më kot revista prestigjioze "Shêjzat" e ka pasur gjithnjë në gji të vet Bernardinin, kjo falë Koliqit, Gradilone-s etj. Te kjo revistë mori shtysën Angela Cirrincione për të mbledhur krijimtarinë e Palajt. Është pikërisht vepra e kësaj studiueseje të huaj, që do të na kujtojë se ne kemi një Bernardin, një djalë me prejardhje malësore, që di të shkruajë bukur poezinë epike dhe lirike, por që është edhe fort i dashuruar mbas pasurisë së gjuhës popullore e folklorit shqiptar. Në vitin 1969, 22 vjet pas vdekjes së Palaj, ajo boton At Bernardin Palaj. Vepra. Vëllimi I. Poezi., ku ka përfshirë gati të gjithë krijimtarinë e tij poetike. Kjo vepër u bë referentja bosht për studiuesit e tjerë, që u kujtuan për Bernardin Palaj. Këtu ata patën mundësi të njihen me vargjet e poetit, por edhe me analizën e shkurtër, megjithatë me vlerë, që i bën Cirrincione poezive të Palaj.

    Në shkrimet e studiuesve që janë marrë me Palajn, disa prej tyre e mitizojnë, disa janë më objektivë, veçanërisht kur i referohen poezisë Valët e një shpirtit. Isak Ahmeti, hulumtues shqiptar nga Kosova, në librin e tij Kleri katolik shqiptar dhe letërsia i anashkalon disa dukuri të poetikës së Palajt që nuk janë shumë të arrira artistikisht. Dukuritë më të spikatura do t’i rreshtojë Ernest Koliqi në shkrimin Bernardin Palaj dhe një poemth i tij i pakryem. Për Valët e një shpirtit, Koliqi vë në dukje përpjekjen e poetit për të shkrirë dy idetë: lavdinë ilire dhe ngadhënjimin e krishtërimit, por që nuk ia del; metrikën jo të duhur si dhe titullin e papërshtatshëm …valët e një shpirtit nuk i përshtatet si titull nji hartimi epik. (Koliqi, 2003:235) Edhe Çapaliku dhe Cirrincione, tek ecin nëpër vargjet e Bernardinit, në përgjithësi ia pranojnë ndonjë zbehje frymëzimi, sepse, siç shprehet studiuesja italiane …edhe dielli nuk shkelxen, nuk nxenë, nuk ndritë në të gjitha orët e ditës me të njajtën forcë ngrohësie e drite. (Cirrincione, 2005:XI)

    Sipas një mendimi përgjithësues të studiuesve, në krijimtarinë poetike të Palajt nuk ka ndonjë rrëfim të karakterit personal. Alfred Çapaliku mendon se "…ajo [për poezinë Vorreve të flamurit-shën.im- A.F.] për herë të parë e të fundit në të gjithë poezinë e Palajt, e deklaron hapur heroin lirik, gati si në një monografi". (Çapaliku, 1999:35)

    Ndërsa, Cirrincione bindëse pohon se asnjena ndër veprat e tija ka karakter biografik. (Cirrincione, 2005:1)

    Në ishtë më së pari poet a folklorist, mendimet janë të ndryshme. Koliqi dhe Çapaliku i lënë vend të parë folkloristit, pasi ishte pikërisht vepra e tij si folklorist [që] e brumosi […] prodhimin letrar. (Koliqi, 2003: 229v)

    Për Cirrincione-n dhe I. Ahmetin, më së pari nga të gjitha, Palaj është poet i pajisun me të gjitha ato kërkesa që lyp vepra e artit, i hapun ndaj të gjitha pamjeve të jetës, […] intuitiv dhe depërtues, me një shije shumë të hollë. (Cirrincione, 2005:6)

    Studiuesit vërejnë se, pavarësisht ndikimeve të Palajt nga autorë të ndryshëm (Fishta, Carducci, D`Annunzio etj.), pa harruar dhe popullin-poet, krijimi që del nga pena e Bernardinit është i ri, përfundimisht i pastër për të mbajtur veç emrin e tij.

    Literatura:

    AHMETI, Isak: Kleri katolik shqiptar dhe letërsia, Drita, Ferizaj, 1994.

    CIRRINCIONE, Angela: At Bernardin Palaj. Vepra. Vëllimi I. Poezi., Shkodër, 2005.

    ÇAPALIKU, Alfred: Bernardin Palaj. Jeta dhe veprat. Shkodër, 1999.

    KOLIQI, Ernest: Vepra 5, Faik Konica, Prishtinë, 2003.


    ² Shkrim me rastin e 60-vjetorit të vdekjes së Bernardin Palajt. Botuar në gazetën "Dukagjini", 12/2007, nr. 49, Shkodër.

    ³ Shënim: Përveç

    Enjoying the preview?
    Page 1 of 1