Discover millions of ebooks, audiobooks, and so much more with a free trial

Only $11.99/month after trial. Cancel anytime.

Ne, fëmijët e kopshit zoologjik të Berlinit
Ne, fëmijët e kopshit zoologjik të Berlinit
Ne, fëmijët e kopshit zoologjik të Berlinit
Ebook332 pages5 hours

Ne, fëmijët e kopshit zoologjik të Berlinit

Rating: 0 out of 5 stars

()

Read preview

About this ebook

Ky libër është një autobiografi e jashtëzakonshme e Christiane Vera
Felscherinow-it dhe adoleshentëve të tjerë të Berlinit perëndimor, në fund të
viteve 1970.
Libri u botua për herë të parë më 1979 nga gazetarët gjermanë K. Hermann
dhe H. Rieck dhe nga protagonistja Christiane Vera Felscherinoë. Ai lindi nga
një sërë intervistash që gazetarët zhvilluan për rreth dy muaj me Christiane-n,
e cila në atë kohë ishte e akuzuar dhe dëshmitare në një gjyq, që përfundoi në
qershor 1978 me dënimin e saj për përdorim droge dhe prostitucion.
Romani ngjalli reagime të shumta në të gjithë botën, për shkak të moshës
shumë të re të protagonistëve të përfshirë në xhiron e varësisë nga droga dhe
në prostitucion. Vajzat dhe djemtë ishin futur në kthetrat e drogës qysh në
moshën 12-vjeçare dhe nevoja për të siguruar paratë për blerjen e drogës i
detyronte edhe të prostituonin.
Kështu, Christiane F. është katërmbëdhjetë vjeçe. Ka një baba të dhunshëm
dhe një nënë të paaftë për ta mbrojtur. Një histori droge, prostitucioni dhe
dhune. Në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, provon për herë të parë alkoolin,
hashashin dhe LSD-në dhe gjithë përvojat e saj janë përshkruar me imazhe
evokuese. Që Kristina do të bëhet pre dhe e varur nga heroina ndihet qysh në
faqet e para të librit dhe ndjesia e diçkaje tragjike dhe të pashmangshme
mbizotëron në çdo fjalë të sajën. Kristiana rrëfen pamjen e zymtë të
prostitucionit dhe xhiros së ndyrë të drogës rreth e përqark stacionit të
metrosë të Kopshtit Zoologjik të Berlinit, por lexuesit do të shohin edhe
sensin e komunitetit që zhvillohet mes Kristianës dhe miqve të saj.
Pikiata e saj e shpejtë drejt abuzimit me heroinën dhe prostitucionit është
tronditëse, por mërzia, nevoja për t’u pranuar nga të tjerët, rreziqet
drithëruese, madje edhe fiksimet muzikore që mbushin jetën e Christine-s janë të njohura për shumë lexues. Ky portret i luftës së saj nuk është vetëm beteja e saj kundër varësisë nga heroina, por është historia e një adoleshenteje që kërkon të gjejë vetveten dhe vendin që i takon në këtë botë. Më 1981, romani u ekranizua me të njëjtin titull dhe filmi pati po aq sukses sa dhe libri. Gjithashtu, më 2021, në Amazon Prime është shfaqur një serial me tetë seri bazuar mbi këtë libër, por pajisur edhe me episode të tjera aktuale.

LanguageGjuha shqipe
PublisherChristiane F.
Release dateNov 10, 2022
ISBN9780463475188
Ne, fëmijët e kopshit zoologjik të Berlinit
Author

Christiane F.

Christiane Vera Felscherinow (Hamburg, 20 maj 1962) nga një vajzë e re narkomane u shndërrua në një figurë simbolike kundër abuzimit me drogën, si dhe e problemeve të të rinjve në shoqërinë gjermane. Pas daljes së librit, u orvat t’i përkushtohej karrierës muzikore dhe ka bërë një jetë endacake. Vite më vonë, ra sërish pre e heroinës, pas së cilës iu nënshtrua një terapie çintoksimi. Jeton në Berlin dhe ka një djalë.

Related to Ne, fëmijët e kopshit zoologjik të Berlinit

Related ebooks

Related categories

Reviews for Ne, fëmijët e kopshit zoologjik të Berlinit

Rating: 0 out of 5 stars
0 ratings

0 ratings0 reviews

What did you think?

Tap to rate

Review must be at least 10 words

    Book preview

    Ne, fëmijët e kopshit zoologjik të Berlinit - Christiane F.

    Christiane F

    Ne, fëmijët e kopshtit zoologjik të Berlinit

    Një dokument autentik për drogën te të rinjtë

    hartuar nga Kai Hermann dhe Horst Rieck

    Përktheu: Marsela Likaj

    Titulli në origjinal: Wir Kinder vom Bahnohf Zoo

    Autore: Autore: Christiane F.

    Copyright © 2009 by Carlsen Verlag GmbH; Hamburg / © stern im Verlag Gruner + Jahr AG & Co KG, Hamburg

    First published in Germany under the title CHRISTIANE F. – WIR KINDER VOM BAHNHOF ZOO

    Përkthyese: Marsela LIKAJ

    Kryeredaktore: Aida Baro

    Redaktore letrare: Tea SADIKU

    Paraqitja grafike: Lindita PRELA

    Shtypi: Shtypshkronja Pegi, Lundër, Tiranë

    ISBN: 978-9928-371-03-4

    Koncepti i kopertinës dhe logos Skandal nga Meri File

    Ilustrimi i kopertinës nga Florinda Zonja

    © Botime Pegi, prill 2022

    Të gjitha të drejtat për këtë botim në gjuhën shqipe janë tërësisht të zotëruara nga Botime Pegi shpk. Ndalohet çdo riprodhim, fotokopjim, përshtatje, shfrytëzim ose çdo formë tjetër qarkullimi tregtar, pjesërisht ose tërësisht, pa miratimin paraprak nga botuesi.

    Botime Pegi: tel: +355/ 042 468 833; cel: +355/ 069 40 075 02;

    e-mail: botimepegi@botimepegi.al; web: www.botimepegi.al

    Sektori i shpërndarjes: cel: +355/ 069 20 267 73; 069 60 778 14;

    e-mail: marketing@botimepegi.al

    Shtypshkronja Pegi: cel: +355/ 069 40 075 01;

    e-mail: shtypshkronjapegi@yahoo.com

    Parathënie

    Pesëmbëdhjetëvjeçaren Kristiana F. e takuam për herë të parë në fillim të vitit 1978 në Berlin, ku e kishin thirrur si dëshmitare në një gjyq. Lamë takim me të për një intervistë me të cilën duhet të përmbyllnim kërkimet tona mbi gjendjen e të rinjve. Ishin parashikuar dy orë për bisedën tonë, por u kthyen në dy muaj. Shpejt u gjendëm jo më në rolin e intervistuesve, por në atë të dëgjuesve jashtëzakonisht të përfshirë në atë histori: nga transkriptimi i bisedave të regjistruara lindi pikërisht ky libër.

    Mendojmë që historia e Kristianës flet shumë më tepër për gjendjen e të rinjve sesa çfarëdolloj hetimi, sado i kujdesshëm qoftë. Kristiana F. deshi që ky libër të bëhej sepse, pothuajse si të gjithë të rinjtë narkomanë, kërkon që të thyhet heshtja e turpshme e të rriturve për realitetin e drogimit kronik. Të mbijetuarit e grupit të saj dhe prindërit u bënë pjesë e projektit të librit dhe u treguan të gatshëm të evidentonin, me dëshmitë dhe emrat e tyre, karakterin dokumentaristik të kësaj vepre.

    Sipas kërkesës së familjeve, personazheve u kemi përmendur vetëm emrin dhe jo mbiemrin e familjes. Urojmë që dëshmitë e nënës së Kristianës dhe të të tjerëve që kanë pasur lidhje me të të kontribuojnë për të dhënë një pamje më të qartë të ngjarjes nga këndvështrime të ndryshme dhe për një analizë më të plotë të problemit të varësisë nga droga.

    Kai Hermann, Horst Rieck

    Akuza

    Fragmente nga aktakuza e prokurorit publik në Gjykatën Rajonale të Berlinit, më 27 korrik 1977.

    Nxënësja Kristiana Vera F., adoleshente, që zotëron përgjegjësi të plotë, pas 20 majit 1976, akuzohet për vazhdimin e qëllimshëm të përdorimit të substancave apo përzierjeve, të cilat janë subjekt i dispozitave të Ligjit për Narkotikët, pa marrë lejen e nevojshme nga Zyra Federale e Shëndetësisë.

    E akuzuara është përdoruese e heroinës që prej shkurtit të vitit 1976. Fillimisht injektonte rreth një dozë në intervale kohore e më pas çdo ditë. Ajo mban përgjegjësi penale që prej 20 majit 1976.

    Gjatë dy kontrolleve të kryera në 1 dhe 13 mars 1977, e akuzuara u kap dhe u kontrollua në hollin e stacionit Kopshti Zoologjik dhe në stacionin e metrosë Kurfürstendamm Mbante me vete 18 mg dhe 140,7 mg të një substance me përmbajtje heroine.

    Përveç kësaj, më 12 maj 1977, në sendet personale të së akuzuarës u gjet një paketë alumini, e cila përmbante 62,4 mg substancë me përmbajtje heroine. Iu gjetën edhe takëme për përgatitjen dhe injektimin e drogës. Ekzaminimi fiziko-teknik zbuloi se te mjetet e gjetura kishte mbetje me përmbajtje heroine. Mostra e urinës, tregoi përmbajtjen morfine.

    Më 12 maj 1977, nëna e së akuzuarës, zonja U.F. gjeti në sendet personale të vajzës së saj 62,4 mg heroinë, të cilën ia dërgoi Policisë Kriminale.

    Në deponimin e saj, e akuzuara deklaroi se kishte qenë përdoruese e drogës që nga shkurti i vitit 1976. Përveç kësaj, në dimrin e vitit 1976 i ishte futur prostitucionit, që të siguronte paratë për të blerë substancën narkotike.

    Supozohet se e akuzuara vazhdon të përdorë heroinë.

    Vendimi

    Pjesë nga vendimi i Gjykatës së Rrethit Neumünster, datë 14 qershor 1978. Gjykim në emër të popullit.

    Në çështjen penale ndaj nxënëses Kristiana Vera F. për shkelje të ligjit për lëndët narkotike.

    E pandehura është fajtore për blerjen e vazhdueshme të narkotikëve në unitet veprimi me fshehjen e vazhdueshme të taksave. Vendimi i ndëshkimit për të mitur pezullohet me kusht.

    Arsyet: E pandehura ka pasur zhvillim normal deri në moshën 13-vjeçare. Inteligjencën e ka mbi kategorinë mesatare dhe me siguri e ka kuptuar që blerja e heroinës është veprim i dënueshëm. Ka prova të mjaftueshme që më 20 maj 1976 (para moshës së përgjegjësisë penale), e pandehura ishte e varur nga droga. Sidoqoftë, kjo nuk e përjashton përgjegjësinë penale apo fajësinë e saj. Ndërkohë, e pandehura e ka kuptuar situatën në të cilën ndodhej dhe është përpjekur të heqë dorë. Prandaj, ishte plotësisht në gjendje të kuptonte padrejtësinë e sjelljes së saj dhe të vepronte me këtë lloj gjykimi.

    Gjithsesi, parashikimi për të ardhmen në këtë moment është i favorshëm, megjithëse nuk mund të përjashtohet mundësia që e pandehura t’i rikthehet drogës. Të paktën në të ardhmen e afërt, ecuria e mëtejshme e së akuzuarës duhet të ndiqet me kujdes.

    Ishte me të vërtetë fantastike. Për ditë me radhë, ime ëmë paketonte valixhet dhe kutitë. E kuptova që për ne po fillonte një jetë e re.

    Isha gjashtë vjeçe dhe, menjëherë pas shpërnguljes, duhej të nisja shkollën. Ndërsa nëna paketonte pa ndërprerje dhe bëhej gjithnjë e më nervoze, unë rrija pothuajse gjithë ditën te fermeri Fëlkel.

    Prisja që lopët të vinin në stallë për t’u mjelë. Ushqeja dosat e pulat dhe hardallosesha nëpër kashtë me të tjerët. Ose mbaja kotelet. Ishte një verë e mrekullueshme, e para që mbaj mend të kem shijuar.

    E dija që së shpejti do të shkonim shumë larg, në një qytet të madh të quajtur Berlin. Në fillim, nëna u nis vetëm. Do të kujdesej për banesën. Motra ime e vogël, unë dhe babai shkuam disa javë më vonë. Për ne fëmijët ishte fluturimi ynë i parë. Gjithçka ishte tejet emocionuese.

    Prindërit na kishin treguar histori të mrekullueshme në lidhje me apartamentin gjigant me gjashtë dhoma të mëdha, ku do të jetonim tani e tutje. Dhe ata pretendonin të fitonin shumë para. Nëna thoshte se do të kishim një dhomë të madhe vetëm për vete. Donin të blinin mobilie të mira. Asokohe, na pati shpjeguar me saktësi se si do të ishte dhoma jonë. Më kujtohet ende, sepse si fëmijë nuk kam reshtur kurrë së imagjinuari atë dhomë. Madje, sa më shumë rritesha, aq më e bukur bëhej ajo në fantazinë time.

    Nuk e kam harruar kurrë se ç’pamje kishte apartamenti kur mbërritëm. Ndoshta ngaqë fillimisht pata frikë të tmerrshme nga ky apartament. Ishte i madh dhe bosh, saqë kisha frikë se mos humbisja në të. Po të flisje me zë të lartë, zëri kumbonte fort.

    Vetëm tri prej dhomave kishin ca orendi. Në dhomën e fëmijëve ishin dy shtretër dhe një dollap i vjetër kuzhine me lodrat tona. Në dhomën e dytë ishte shtrati për prindërit, ndërsa në atë më të madhen ishte një divan dhe ca karrige. Kështu jetonim në Berlin-Kreuzberg, në Paul-Lincke-Ufer.

    Disa ditë më pas, guxova të dilja vetëm me biçikletë, sepse atje luanin fëmijë që ishin pak më të rritur se unë. Në fshatin tonë, të mëdhenjtë luanin me më të vegjlit dhe kujdeseshin për ta. Fëmijët, që po luanin para banesës sonë, thanë menjëherë: – Çfarë do kjo këtu?, pastaj më morën biçikletën. Kur e mora përsëri, njëra gomë ishte e shfryrë dhe parafangoja e shtrembëruar.

    Babai më hyri në dru për biçikletën e prishur. Kështu që, më pas e ngava biçikletën vetëm nëpër gjashtë dhomat tona. Tri dhoma supozohej të bëheshin zyra. Prindërit donin të krijonin agjenci martesore. Mirëpo tavolinat dhe kolltukët, për të cilët flisnin prindërit nuk erdhën kurrë. Dollapi i kuzhinës qëndroi në dhomën e fëmijëve.

    Një ditë, divani, shtretërit dhe dollapi u ngarkuan në kamion dhe më pas u çuan në një ndërtesë shumëkatëshe në Gropiusstadt. Tani kishim dy dhoma e gjysmë, të vogla, në katin e njëmbëdhjetë. Ajo gjysmë dhome fëmijësh as që do t’i nxinte gjithë gjëra të bukura për të cilat më kishte folur ime ëmë.

    Gropiusstadt-i ka ndërtesa shumëkatëshe për 45 mijë banorë, me bar të gjelbër dhe qendra tregtare mes tyre. Nga larg gjithçka dukej e re dhe shumë e mirëmbajtur. Por kur gjendeshe midis rrokaqiejve, kutërbonte era e shurrës dhe mutit gjithandej. Kjo, për shkak të qenve dhe fëmijëve të shumtë që jetonin aty. Më së shumti qelbeshin shkallët.

    Prindërit e mi i qortonin fëmijët proletarë që ndotnin shkallët. Mirëpo, ata përgjithësisht nuk kishin faj. Këtë e vura re qysh herën e parë që luajta jashtë dhe, papritur, më shkohej në banjë. Derisa erdhi ashensori dhe mbërrita në katin e njëmbëdhjetë e kisha bërë në brekë. Babai më rrahu. Pasi ndodhi disa herë të mos arrija arrija në kohë në banjën e shtëpisë dhe haja dru, fillova të mbaroja punë diku, ku nuk më shihte njeri. Duke qenë se nga rrokaqiejt mund të shihej pothuajse çdo cep, vendi më i sigurt ishin shkallët e godinës.

    Kur dilja në rrugët e Gropiusstadt-it, isha vajza budallaqe nga fshati. Nuk kisha të njëjtat lodra si të tjerët. Nuk kisha as pistoletë uji. Vishesha ndryshe. Flisja ndryshe. Nuk i dija as lojërat që luanin. Madje, as nuk më pëlqenin. Në fshatin tonë, shkonim shpesh me biçikleta në pyll, deri te përroi që kishte urë. Atje ndërtonim diga dhe kështjella uji. Herë të gjithë bashkë, herë secili më vete. Dhe nëse donim t'i prishnim, më parë binim të gjithë në një mendje dhe të gjithë bashkë argëtoheshim.Te ne në fshat nuk kishte asnjë udhëheqës. Të gjithë mund të jepnim sugjerime për lojën që do të luanim. Pastaj haheshim derisa të zgjidhej propozimi. Nuk kishte asgjë të keqe që më të rriturit t’u hapnin rrugë më të vegjëlve. Ishte demokraci e vërtetë fëmijësh.

    Në Gropiusstadt, cubi i lagjes ishte një djalë. Ai ishte më i forti dhe kishte pistoletën më të bukur të ujit. Shpesh luanim bandash. Kryebanditi ishte ky djali, sigurisht. Dhe rregulli më i rëndësishëm i lojës ishte që ne duhet të bënim gjithçka që urdhëronte ai.

    Më shumë luanim kundër njëri-tjetrit, sesa me njëri-tjetrin. Gjithë qëllimi ishte se si ta bezdisnim kundërshtarin. Për shembull, duke ia marrë lodrën e re dhe duke ia thyer. E gjithë loja ishte ta vije tjetrin përfund për të fituar avantazhe për vete, të fitoje pushtet dhe të tregoje që ishe i pushtetshëm.

    Më të dobëtit hanin më shumë dru. Motra ime e vogël nuk ishte shumë e fuqishme dhe ishte pak frikacake. E zhdëpnin gjithnjë në dru dhe unë nuk e ndihmoja dot.

    Fillova shkollën. Mezi po e prisja. Prindërit më patën thënë të sillesha mirë dhe të bëja atë që thoshte mësuesi. Kjo ishte e natyrshme. Në fshat, ne fëmijët kishim respekt për çdo të rritur. Dhe them se isha e gëzuar që në shkollë do të kishte një mësues, të cilit duhej t’i bindeshin edhe fëmijët e tjerë.

    Mirëpo në shkollë ishte krejt ndryshe. Që në ditët e para, fëmijët vinin vërdallë nëpër klasë, duke luajtur luftërash gjatë mësimit. Mësuesja jonë ishte krejt e pafuqishme. Gjithmonë bërtiste uluni. Por ata tërboheshin më keq dhe të tjerët qeshnin.

    Që e vogël i doja shumë kafshët. Në familjen tonë, të gjithë i donim kafshët. Prandaj isha krenare për ta. Nuk njihja ndonjë familje tjetër që t’i donte kafshët kaq shumë. Madje më vinte keq për fëmijët, prindërit e të cilëve nuk i donin kafshët dhe ata nuk merrnin kafshë për dhuratë.

    Apartamenti ynë me dy dhoma e gjysmë u shndërrua gradualisht në një kopsht të vogël zoologjik. Pas ca kohësh, u bëra me katër miushë, dy mace, dy lepuj, një papagall dhe Ajaksin, qenin tonë bojëkaf, të cilin e kishim marrë me vete në Berlin.

    Ajaksi flinte gjithmonë pranë shtratit tim. Kur bija për të fjetur, e lija njërin krah të varej nga shtrati në mënyrë që ta ndieja që ishte aty.

    Gjeta edhe të tjerë fëmijë, të cilët mbanin qen. Me ta kuptohesha mjaft mirë. Zbulova se jashtë Gropiusstadt-it, në Rudow, kishte mbetur pak natyrë. Filluam të shkonim atje me qentë tanë. Luanim mbi kazanët e vjetër të mbeturinave, që ishin mbushur me dhè. Bashkë me ne luanin edhe qentë. Loja jonë e preferuar ishte qeni nuhatës. Ndërkohë që njëri fshihej, ne mbanim qenin e tij. Pastaj, qeni duhet ta kërkonte të zotin. Nuhatjen më të mprehtë e kishte Ajaksi im.

    Kafshët e tjera i merrja ndonjëherë me vete në gropën e rërës, madje edhe në shkollë. Mësuesja i përdorte si material ilustrues në orën e biologjisë. Disa mësues më dhanë leje që Ajaksi të rrinte me mua gjatë orës së mësimit. Ai nuk na bezdiste kurrë. Rrinte pranë meje pa lëvizur, derisa binte zilja. Do të kisha qenë shumë e lumtur me kafshët e mia, në qoftë se situata me babain nuk do të ishte përkeqësuar. Ndërsa nëna punonte, ai rrinte në shtëpi. Me ndërmjetësimin e martesave nuk u bë gjë. Tani babai po priste për një punë tjetër që t’i pëlqente. Rrinte ulur në divanin e vjetruar dhe priste. Ndërsa shpërthimet e tij të çmendura të zemërimit po bëheshin gjithnjë e më të shpeshta.

    Detyrat e shkollës i bëja me nënën, kur kthehej nga puna. Për ca kohë e kisha të vështirë t’i ndaja shkronjat H dhe K. Një mbrëmje, po m’i shpjegonte nëna, me një durim derri. Nuk arrija ta dëgjoja, sepse vura re babain që po i hipte inati. E dija se çfarë do të ndodhte. Ai mori fshesën në kuzhinë dhe më goditi. Paskëtaj duhej t’i thosha ndryshimin midis H-së dhe K-së. Sigurisht që nuk më punonte më truri, hëngra dru bythëve dhe më nisi në shtrat.

    Ja, kështu i bëja detyrat me tim atë. Ai donte që të isha e zellshme dhe të bëhesha e aftë. Gjyshi paskësh pasur shumë para. Ndër të tjera, ai kishte pasur në pronësi një shtypshkronjë e një gazetë në Gjermaninë Lindore. Pas luftës, gjithçka në RDGJ u shpronësua. Tani, babai tërbohej kur mendonte se mund të mos qullosja gjë me shkollën.

    Disa mbrëmje i kujtoj ende me hollësi. Një herë, duhej të vizatoja një shtëpi në fletoren e ushtrimeve të matematikës. Duhej të ishte gjashtë kuti e gjerë dhe katër kuti e lartë. Unë e kisha mbaruar një shtëpi dhe e dija saktësisht si t’i bëja, kur papritur babai u ul pranë meje. Ai më pyeti se nga ku e deri ku duhej të vizatohej shtëpia. Nga frika, ndalova së numëruari kutitë dhe fillova të hamendësoja. Sa herë që tregoja një kuti të gabuar, haja çoka. Kur fillova të qaja dhe nuk arrija të jepja më asnjë përgjigje, ai shkoi te lulja e fikusit. Tashmë e dija se çfarë do të thoshte kjo. Mori nga vazoja shkopin e bambusë që mbante fikusin drejt, pastaj më goditi me të në të ndenjura derisa më ra lëkura.

    Frika ime fillonte që kur nisja të haja. Po të bëhesha pis, nuk e kisha punën mirë. Po të rrëzoja diçka, më godiste te të pasmet. Nuk guxoja as ta prekja gotën e qumështit. Nga frika e madhe më ndodhte ndonjë gjë pothuajse në çdo vakt.

    Mbrëmjeve, e pyesja babin gjithmonë me përzemërsi a do të dilte. Ai dilte shumë shpesh dhe ne tri femrat merrnim frymë thellë. Ato mbrëmje ishin mrekullisht të qeta. Por, kur kthehej në shtëpi natën vonë, mund të ndodhte sërish ndonjë gjë e keqe. Shumicën e kohës, rrinte i pirë. Shpërthente edhe për gjërat më vogla. Mund të ishin lodra ose rroba të lëna vërdallë. Im atë thoshte gjithmonë se rregulli ishte gjëja më e rëndësishme në jetë. Kur shihte rrëmujë, më ngrinte natën nga shtrati dhe më rrihte. Pas meje hante dru edhe motra e vogël. Pastaj babai i hidhte sendet në dysheme dhe urdhëronte që gjithçka të rregullohej brenda pesë minutash. Shpesh nuk ia dilnim t’i rregullonim aq shpejt e kështu hanim dru sërish.

    Nëna zakonisht qëndronte te dera, duke qarë. Rrallë guxonte të na mbronte, sepse po të ndërhynte, ai e rrihte dhe atë. Vetëm qeni im futej shpesh në mes. Angullinte fort dhe kishte sy shumë të trishtuar, kur rrihej dikush nga familja. E sillte babanë në vete, sepse ai i donte qentë si të gjithë ne. Ajaksit i kishte bërtitur, por kurrë nuk e kishte goditur.

    Megjithatë, në njëfarë mënyre, e doja dhe e respektoja tim atë. Mendoja se ishte shumë më superior se baballarët e tjerë. Por mbi të gjitha, kisha frikë prej tij. Më dukej krejt normale që na rrihte kaq shpesh. Nuk ndodhte ndryshe në shtëpitë e fëmijëve të tjerë në Gropiusstadt. Madje, ndonjëherë, bëheshin mavi në fytyrë, po ashtu edhe nënat e tyre. Kishte baballarë që rrinin të dehur në rrugë ose në sheshin e lojërave. Im atë nuk dehej kurrë kaq keq. Në rrugën tonë ndodhte që të fluturonin mobilie rrugëve nga rrokaqiejt dhe gratë të thërrisnin për ndihmë policinë. Pra, në famijen tonë nuk ishte aq keq.

    Im atë e akuzonte nënën vazhdimisht sikur harxhonte shumë para. Ndërkohë, paratë i fitonte ajo. Ndonjëherë, mamaja i thoshte se shumica e parave shkonte për të pirat e tij, gratë, shto këtu edhe makinën. Atëherë, sherri bëhej i dhunshëm.

    Makina, Porsche, ishte gjëja që im atë donte më shumë. Kur nuk e çonte në ofiçinë, e pastronte pothuajse çdo ditë. Nuk kishte asnjë Porsche të dytë në Gropiusstadt. Një i papunë me atë lloj makine, e sigurt që jo.

    Asokohe, natyrisht që nuk e kisha idenë se çfarë po ndodhte me tim atë, se përse shpërthente vazhdimisht. I rashë në të më vonë, kur nisa të flisja më shpesh me time ëmë. Gradualisht, fillova të kuptoja disa gjëra. Nuk ia dilte dot. Dëshironte vazhdimisht të bënte për lart dhe çdo herë thyente turinjtë. I ati e përçmonte për këtë. Gjyshi e kishte paralajmëruar time ëmë, qysh përpara martesës me këtë parazit. Ai kishte thurur ëndrra të mëdha për babanë. Familja duhej të mëkëmbej si dikur, përpara se të shpronësohej e gjithë prona e saj në RDGJ.

    Nëse nuk do të ishte njohur me nënën, mbase do të ishte bërë menaxher pronash dhe mund të kishte pasur qendrën e vet të zbutjes së qenve. Në kohën që u njohën, babai ndiqte shkollën për menaxhim. Ajo ngeli shtatzënë me mua, ndërsa ai e ndërpreu shkollën dhe u martuan. Më pas arriti në përfundimin se ne ishim fajtore për mjerimin e tij. Nga të gjitha ëndrrat që kishte, gjithçka i mbeti ishte Porsche dhe disa miq.

    Jo vetëm që e urrente familjen, por e refuzonte krejtësisht. Shkoi deri aty sa askush nga shokët e tij nuk e mësoi se ishte martuar dhe kishte fëmijë. Sa herë ia takonim shokët ose kur vinin ta merrnin të njohur në shtëpi, gjithmonë duhej t’i drejtohesha si xhaxhi Rikardi. Isha programuar me dru që të mos bëja kurrë gabim. Sa herë vinin njerëz të tjerë, ai bëhej xhaxhai im.

    E njëjta gjë ishte dhe me nënën. Përpara shokëve të tij nuk mund të thoshte kurrë se ishte e shoqja dhe sidomos të mos sillej si e tillë. Mendoj se e prezantonte si motër.

    Babai i kishte shokët më të rinj. Ata e kishin jetën përpara, ose të paktën kështu mendonin. Im atë dëshironte të ishte njëri prej tyre. Njëri për të cilin gjithçka sa po fillonte. Dhe jo dikush që kishte tashmë në qafë një familje, të cilën nuk mundej as ta ushqente. Pak a shumë, kështu qe situata për babanë.

    Sigurisht që në moshën gjashtë deri tetë vjeçe nuk i kuptoja aspak gjërat. Babai vetëm më konfirmoi rregullin e jetës, që e kisha mësuar tashmë në rrugë dhe në shkollë: rrih ose rrihu. Nëna, e cila ishte rrahur mjaftueshëm në jetën e saj, kishte ardhur në të njëjtin përfundim. Vazhdimisht më thoshte: Asnjëherë mos fillo e para. Por nëse dikush të lëndon, ktheji përgjigje. Sa më fort dhe sa më shumë të mundesh. Ajo vetë nuk mund të kthente më dorë.

    Po e mësoja lojën dalëngadalë: Pushtet mbi të tjerët, përndryshe të shtypin. Në shkollë fillova me mësuesin më të dobët. Bërtisja për diçka në orën e mësimit. Të tjerët qeshnin me mua. Kur zura ta bëja këtë edhe me mësuesit më të rreptë, atëherë shokët e klasës nisën të më vlerësonin.

    Kisha mësuar se si të mbijetoja në Berlin: mjafton të kishe gojë të madhe. Më saktë, më të madhen nga të gjithë. Atëherë mund të ishe e para. Pasi dola e suksesshme me gojën, guxova të provoja edhe muskujt. Në fakt, nuk isha shumë e fortë. Por mund të më kapte tërbimi. Pastaj rraha edhe më të fortën. Më pas, pothuajse gëzohesha kur dikush gërricej me mua në shkollë dhe e takoja pastaj sërish jashtë shkollës. Shumicën e herëve nuk ishte nevoja të përdorja dhunë. Fëmijët thjesht më respektonin.

    Ndërkohë mbusha tetë vjeçe. Dëshira ime më e madhe ishte të kalonin vitet shpejt, të bëhesha e rritur si babi, të kisha pushtet mbi njerëzit e tjerë. Ndërkaq po e provoja çfarë pushteti kisha.

    Pas ca kohësh, im atë gjeti punë. Nuk ishte punë që e bënte të lumtur, por të paktën, fitonte para për pijen dhe Porsche-n e tij. Kështu që, pasditeve mbetesha në shtëpi vetëm me time motër, që ishte një vit më e vogël. Gjeta një shoqe dy vjet më të madhe se unë. Me të isha edhe më e fortë.

    Unë, motra dhe shoqja ime luanim pothuajse çdo ditë lojën që kishim mësuar. Kur ktheheshim nga shkolla, kërkonim bishta cigaresh nëpër tavllat dhe koshat e plehrave. I drejtonim, i vinim midis buzëve dhe tymosnim. I jepnim diçka edhe sime motre, kur na kërkonte. E urdhëronim të bënte punët e shtëpisë, pra, të lante, të merrte pluhurat dhe gjithçka tjetër që na kishin lënë porosi prindërit. Pastaj merrnim karrocat e kukullave, tërhiqnim derën e apartamentit pas vetes dhe dilnim shëtitje. Motrën e linim mbyllur në shtëpi derisa të mbaronte punët.

    Kur isha tetë ose nëntë vjeçe, në Rudow u hap një fermë e vogël kuajsh. Fillimisht u zemëruam shumë, sepse edhe ajo copë natyrë që na kishte mbetur, ku arratiseshim bashkë me qentë, tashmë ishte rrethuar për të ndërtuar fermën. Por me kalimin e kohës fillova të merresha vesh mirë me njerëzit aty dhe nisa të punoja në stallë, duke u kujdesur për kuajt. Për punën që bëja, më lejonin të kalëroja pa pagesë për pak minuta, disa herë në javë. Kjo për mua ishte fantastike, sigurisht.

    I doja kuajt dhe gomarin që kishin atje. Por kalërimi kishte edhe diçka tjetër që më magjepste. Isha në gjendje të provoja sërish se kisha forcë dhe pushtet. Kali që kalëroja ishte më i fortë se unë. Por mund ta detyroja t’i bindej vullnetit tim. Kur rrëzohesha, i hipja përsëri. Për sa kohë kali më bindej.

    Në stallë nuk kishte punë gjithmonë. Dhe që të mund të kalëroja të paktën një çerek ore më duheshin para. Para xhepi na jepnin rrallë. Dhe fillova të mashtroja pak. Ktheja kuponët dhe shishet e birrës së tim eti për të marrë paratë.

    Kështu, në moshën dhjetë vjeçare fillova edhe të vidhja. Vidhja nëpër supermarkete gjëra që ndryshe nuk na binim në dorë. Sidomos ëmbëlsirat. Pothuajse të gjithë fëmijëve të tjerë iu lejohej të hanin ëmbëlsira, ndërsa im atë thoshte se na prishnin dhëmbët.

    Në Gropiusstadt mësoje të bëje atë që ishte e ndaluar. Për shembull, ishte e ndaluar të luaje lojëra argëtuese. Në fakt, gjithçka ishte e ndaluar. Në çdo cep në Gropiusstadt kishte tabela. Të ashtuquajturit parqe, midis rrokaqiejve, ishin parqe me tabela që iu ndalonin fëmijëve të bënin diçka.

    Më vonë, thëniet në tabela i kopjova në ditarin tim. Tabela e parë gjendej që në hyrje. Te shkallët dhe në afërsi të godinës sonë, fëmijët duhet të përvidheshin në majë të gishtave. Ndalohej të luaje, të hidheshe, të bëje patina apo xhiro me biçikletë. Pastaj vinte bari dhe në çdo cep kishte tabela: Mos shkelni barin! Këto tabela gjendeshin përpara çdo copëze të gjelbër. Nuk na lejohej as të uleshim në bar me kukullat tona. Pastaj vinte brezi i trëndafilave dhe aty para qëndronte tjetër tabelë e madhe. Hapësirë e gjelbër, e mbrojtur. Poshtë kësaj vijonte një paragraf, sipas të cilit ndëshkohej kushdo që u afrohej atyre trëndafilave të lodhur.

    Kështu pra, na lejohej të shkonim vetëm në sheshe lojërash. Disa ndërtesa shumëkatëshe kishin edhe sheshe lojërash. Përbëhej nga rërë e fëlliqur, ca pajisje të prishura për t’u kacavjerrë, si edhe një tabelë gjigante. Tabela qe futur në një kuti hekuri nën xham dhe para xhamit kishte hekura, kështu që ne nuk mund ta bënim copash atë budallallëk. Tabela lexonte: Rregullore e Këndit të Lojërave dhe, nën të thuhej se fëmijët duhet ta përdorin atë për argëtim dhe çlodhje. Megjithatë, nuk na lejohej të çlodheshim kur na pëlqente. Sepse ajo që vinte më pas ishte nënvizuar me shkronja të zeza: ... nga ora 8:00 deri në 13:00 dhe nga ora 15:00 deri në 19:00. Pra, në kohën kur ktheheshim nga shkolla nuk bëhej fjalë për t’u çlodhur.

    Në fakt, mua dhe motrës sime nuk na lejohej fare të luanim në këndin e lojërave sepse, sipas tabelës, aty mund të luaje vetëm me pëlqimin dhe nën mbikëqyrjen e prindit ose kujdestarit. Edhe kjo në qetësi të madhe: Duke pasur parasysh nevojën e komunitetit për pushim. Pra, një top llastiku mund ta hidhje e ta prisje gjithë kujdes. Përndryshe: Lojërat me topa sportivë nuk lejohen. As topa-luftash, as futboll. Kjo ishte keq, sidomos për djemtë. Ata e lëshonin forcën e tyre të tepërt te pajisjet, te stolat e sheshit të lojërave dhe natyrisht te tabelat kufizuese. Duhet të jenë shpenzuar shumë para për të zëvendësuar vazhdimisht tabelat e prishura.

    Për respektimin e tabelave kishte roja. Unë e dhjeva që në fillim me rojën tonë. Pas shpërnguljes në Gropiusstadt, parku i lojërave me beton dhe rërë, me rrëshqitësen e vogël prej llamarine më mërziste shumë. Pastaj gjeta diçka interesante. Ulluqet në beton, përmes të cilave duhet të shkarkohej uji i shiut. Në atë kohë, grila mbi të mund të ngrihej. Më pas e fiksuan. Kështu që e ngrija kapakun dhe bashkë me motrën hidhnim gjithë mbeturinat e mundshme në ulluk. Pastaj erdhi roja, na kapi dhe na tërhoqi zvarrë në zyrën e administratës së godinave. Ne të dyja, gjashtë dhe pesë vjeçe, duhej të jepnim të dhënat tona personale. Aq sa mundeshim. U njoftuan prindërit dhe babai kishte arsye të mirë për të na rrahur. Nuk e kuptova fare pse bllokimi i kullimit ishte gjë kaq e keqe. Në fshatin tonë kishim bërë gjëra të ndryshme në përrua dhe asnjë i rritur nuk na kishte qortuar ndonjëherë. Kuptova pak a shumë që në Gropiusstadt lejoheshin vetëm lojëra të menduara nga të rriturit. Pra, të rrëshqisje dhe rrëmoje në rërë. Ishte e rrezikshme të kishe idetë e tua teksa luaje.

    Mbaj mend që takimi tjetër me rojën ishte më serioz. Ndodhi kështu: Dola shëtitje me qenin, Ajaksin, dhe më lindi ideja të këpusja lule për mamin. Siç kisha bërë gjithmonë në fshat pas çdo shëtitjeje. Mirëpo, midis rrokaqiejve kishte vetëm trëndafila të vegjël. M’u gjakosën gishtat për të këputur ca lule nga shkurret. Nuk dija ta lexoja tabelën Kopshte të mbrojtura ose nuk e kuptoja. Por e kuptova menjëherë kur pashë kujdestarin tek vraponte mbi barin që nuk duhej shkelur, duke bërtitur dhe bërë gjeste. Më zuri tmerri prej tij dhe bërtita: – Ajaks, kujdes!

    Ajaksi ngrehu veshët, natyrisht, disa qime në pjesën e pasme të qafës iu ngritën përpjetë. U tendos dhe pa burrin me sy të hakërryer. Ai bëri menjëherë prapa në bar dhe guxoi të bërtiste sërish vetëm kur mbërriti përpara hyrjes. U gëzova, por i fsheha lulet, sepse e kuptova që kisha bërë sërish diçka të ndaluar.

    Kur shkova në shtëpi, kishin telefonuar nga administrata e kompleksit të banimit. Kishin thënë se kisha kërcënuar kujdestarin me një qen. Në vend të puthjes që pretendoja të merrja prej mamasë sime në këmbim të luleve, hëngra një dru të mirë bythëve nga babai.

    Në verë, i nxehti këtu bëhej ndonjëherë i padurueshëm. Nxehtësia ruhej dhe reflektohej nga betoni, asfalti dhe gurët. Ato dy çika pemë që ishin nuk bënin fare hije. Ndërsa era pengohej nga rrokaqiejt. Nuk kishte as pishinë e as ndonjë basen. Vetëm një shatërvan në mes të sheshit të betonit. Aty hidheshim e spërkateshim ndonjëherë. Sigurisht që ishte e ndaluar dhe na përzinin shpejt që aty.

    Pastaj erdhi periudha kur neve na pëlqente të luanim me zare. Mirëpo, në Gropiusstadt nuk gjeje asnjë vend, në të cilin mund të luaje me zare. Nuk mund të luaje as në beton, asfalt apo bar të tipit Ndalohet shkelja!. As tek arka e rërës. Sepse për atë lojë duhej tokë relativisht e fortë, që të mund të gërmoje vrima të vogla.

    Ne gjetëm një vend pothuajse ideal për lojën me zare. Nën pemët e ahut, të mbjella te ne. Që fidanët e pemëve të mos mbyteshin nën tërë atë asfalt, u kishin lënë hapësirë rrethore. Përqark trungut kishte tokë të fortë,

    Enjoying the preview?
    Page 1 of 1